Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ti, Njëni e Trinisë,

   që me pushtet sundon gjithë botën,

   mbaj vesh këngët e lavdeve

   që këndojmë në përgjime.

 

   Pse ne nga shtrati ngrihemi

   në kohë të qetë të natës,

   nga ti me ngulm të lypim

   shërimin e të gjitha plagëve.

 

   Ku gjithçka që gabuam

   ndër net nga gënjeshtra e djajve,

   atë e shleftë nga qielli

   pushteti i lavdisë sate.

 

   Me besë të shpirtit të lusim,

   na mbush me dritën tënde,

   për çka në rrjedhë të ditëve

   të mos ngelim pa asnjë vepër.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për të gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, gjendu pranë zemrave,

   dashuri e lartë e të shpërblyerve,

   diko ndër zërat tona

   vajtim të zjarrtë, të lutemi.

 

   Ty, Jezus, krejt i shenjti,

   me fe t’i drejtojmë lutjet,

   shlyej, o Krisht, me vepra,

   të keqen që bëjmë, të lutemi.

 

   Me shenjë të Kryqit tënd,

   me trupin tënd hyjnor

   na mbro ne si bij

   të gjithë, kudo, Ty të lusim.

 

   O Krisht, mbret i tërë shenjti,

   Ty e Atit ju qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

   Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit

 

   Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti dhe ta vrasin (Mt 26, 3. 4).

 

   I (1-2. 3c. 9-12)

 

Dënoji, o Zot, ata që më padisin, *

   luftoji ata që më luftojnë!

 

Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *

   thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«

 

Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *

   do ta gëzojë shpëtimin e tij.

 

Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:

   »E kush është, o Zot, si ti †

   që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *

   prej cubave të mjerin e skamnorin.«

 

U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *

   më pyesin për gjëra që s’i di,

të mirat m’i kthejnë me të këqija: *

   vetmi për shpirtin tim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

   II (13-16)

 

E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,

   ngjishesha me grathore, †

   me agjërim e mundoja shpirtin tim, *

   lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.

 

Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *

   kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.

 

E tani që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *

   u bashkuan për të më salvuar papritmas,

 

vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †

   më përqeshin duke më shpotitur, *

   kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.

 

   III (17-19. 22-23. 27-28)

 

O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †

   Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *

   prej luanëve të vetmen të mirë timen.

 

Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *

   do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.

 

Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *

   që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.

 

Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *

   o Zot, mos më rri larg!

Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *

   o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!

 

U kënaqshin dhe u gëzofshin, *

   ata që e kanë për zemër drejtësinë time!

Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *

   që e do paqen e shërbëtorit të vet.«

 

Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *

   ditë për ditë lavdin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë

 

   D Biri im, ruaji fjalët e mia,

   C mbaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zakarisë profet 12, 9-12a; 13, 1-9

 

   Shpëtimi në Jerusalem.

 

   Kështu thotë Zoti: “Do të ndodhë: atë ditë do të kërkoj t'i zhbij të gjitha kombet që do të vijnë kundër Jerusalemit. Mbi shtëpinë e Davidit e mbi banorët e Jerusalemit do ta ndikoj shpirtin e hirit e të uratës, e ata do t'i drejtojnë sytë kah unë. Do ta vajtojnë atë që e shporuan siç vajtohet djali i dëshirit, do të gjëmojnë mbi të siç bëhet gjëma mbi djalin e parëlindur. Atë ditë do të jetë gjëmë e madhe në Jerusalem sikurse vaji i Adadremonit, në fushën e Magedos.

   Mbarë vendi do të bëjë gjëmë, secila familje veçmas:

   Familja e shtëpisë së Davidit veçmas e gratë e tyre veçmas; familja e shtëpisë së Natanit veçmas e gratë e tyre veçmas;

   Në atë ditë do të jetë kroi rrjedhës për shtëpinë e Davidit e për banorët e Jerusalemit për larje të mëkateve e të papastërtive. Atë ditë do të ndodhë ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive ‑ do t'ua zhduk emrat idhujve mbi tokë, s'do të përmenden më. Do t'i zhduk profetët e rremë dhe shpirtin e papastër përmbi tokë. E do të ngjajë: kur ndokush të guxojë të profetizojë, do t'i thotë i ati dhe e ëma, ata që e lindën: “Mos e paç jetën e gjatë, sepse fole rrena në emër të Zotit!” I ati dhe e ëma, ata që e lindën, do ta shporojnë pse profetizon. Atë ditë çdo profet do të turpërohet për vegimin e vet; nuk do të mbulohen më me thes dhie për të rrejtur, por do të thotë secili: 'Nuk jam profet! Jam njeri që punoj tokën, sepse toka është prona ime që prej rinisë sime.' Atëherë do t'i thonë: “Nga këto varrë në duar të tua?” Do të përgjigjet: “U plagosa në shtëpi të miqve!”

   Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim, kundër njeriut që e kam të afërm ‑ thotë Zoti i Ushtrive. Godite bariun që të shpërndahen delet, do ta çoj dorën kundër të vegjëlve.

   Atëherë do të ngjajë mbi mbarë tokën ‑ thotë Zoti: dy të tretat e saja do të shpërndahen, do të mbarojnë; veç një e treta do t'i lihet.

   Nëpër zjarr do ta kaloj këtë të tretë, do ta pastroj siç pastrohet argjendi, do ta sprovoj si sprovohet ari: ai do të ma thërras emrin e unë do ta dëgjoj. Unë do të them: “Ai është populli im!” e ai do të thotë: “Zoti është Hyji im!”

 

   Përgjigjja Krh. Mt 26, 31; Zak 13, 7

 

   C Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin në mua. Sepse Shkrimi shenjt thotë: * Do t’i bie bariut e dhentë e tufës do të shpërndahen.

   D Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim, kundër njeriut që e kam të afërm, thotë Zoti i Ushtrive.

   C Do t’i bie bariut e dhentë e tufës do të shpërndahen.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbretëria e Jezusit” i shën Gjonit Eudes, meshtar

   (Pjesa 3, 4; Opera omnia, 1, 310-312)

 

   Misteret e Krishtit dhe jeta e Kishës.

 

   Ne duhet t’i zhvillojmë vazhdimisht në ne dhe duhet t’i kundrojmë gjendjet dhe misteret e Jezusit. Duhet, pastaj ta lusim që ai vetë t’i sjellë në plotësi në ne dhe në tërë Kishën e tij.

   Dhe vërtet, misteret e Krishtit nuk e kanë arritur akoma përsosmërinë dhe realizimin e tyre të plotë. Ato janë të plotësuara dhe të përsosura për sa i përket personit të Jezusit, por nuk janë akoma në ne që jemi gjymtyrët e tij, e as në Kishën e tij, që është trupi i tij mistik. Biri i Hyjit dëshiron njëfarë pjesëmarrjeje dhe një lloj zgjerimi dhe vazhdimësie të misterit të mishërimit të tij në ne dhe në tërë Kishën e tij, të lindjes së tij, të fëmijërisë së tij, të jetës së tij të fshehur. E bën duke marrë formë në ne duke dashur të lind në shpirtrat tanë përmes sakramenteve të shenjta të pagëzimit dhe të eukaristisë së shenjtë. E bën duke bërë që ne të jetojmë me një jetë shpirtërore dhe të brendshme që është e fshehur në të në Hyjin.

   Ai dëshiron t’i bëj të përsosura në ne misteret e mundimit, të vdekjes dhe të ringjalljes së tij. Këtë gjë e bën duke na bërë të vuajmë, të vdesim dhe të ringjallemi me të dhe në të. Ai dëshiron të na dhurojë gjendjen e lavdishme dhe të pavdekshme që ai vetë e ka në qiell. E arrin këtë qëllim duke bërë që ne të jetojmë me të dhe në të me një jetë të lavdishme dhe të pavdekshme. Këtë gjë do e bëjë kur do të bashkohemi me të në qiell. Në të njëjtën mënyrë ai premton se do t’i realizoi në ne dhe në Kishën e tij të gjitha gjendjet dhe misteret e tija. Këtë gjë e arrin nëpërmjet atyre gjërave që na dhuron dhe na bën pjesëtar. Shën Pali thotë se Krishti rritet dhe arrin pjekurinë e tij në Kishë dhe se ne kontribuojmë në këtë proces të zhvillimit. Ne bashkëpunojmë në krijimin e njeriut të përsosur dhe për të sjellë pjekurinë e plotë të Krishtit (krh. Ef 4, 13). Në këtë kuptim kuptohet mirë Apostulli kur pohon se ai plotëson në trupin e tij atë që i mungon vuajtjeve të Krishtit (krh. Kol 1, 24). Porsi përsosmëria e shenjtërve që nuk arrin në kulmin e saj përveçse në fund të kohës së caktuar nga Zoti, kështu misteret e Jezusit nuk do të arrijnë shkallën e fundit dhe absolute të veprimit të tyre të shëlbimit në çdo njeri dhe në Kishë veçse në fundin e botës. Vetëm në ditën e gjykimit të përgjithshëm trupi mistik do të arrijë moshën e saj të përsosur.

 

   Përgjigjja Krh. Kol 1, 24. 29

 

   C Jam i gëzuar për vuajtjet e mia; * plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij - Kishën.

   D Prandaj edhe mundohem dhe luftoj me forcën që vjen prej tij dhe që vepron në mua me pushtet.

   C plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij - Kishën

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, t’i gëzohemi gjithmonë përshpirtërisë, pasi lumturia e përhershme dhe e përsosur është të shërbejmë ty, Krijuesin e të gjitha të mirave. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.