Shërbesa e leximeve

21 nëntor, Kushtimi i shën Marisë Virgjër

 

Përkujtim

 

      Në këtë ditë të kushtimit (543) të kishës së Shenjtës Mari të Re, të ndërtuar pranë tempullit të Jerusalemit, kremtojmë së ∫bashku me të krishterët e Lindjes, atë “kushtim” të vetvetes që Maria i bëri Hyjit, që nga fëmijëria, e nxitur nga Shpirti Shenjt, me hirin e të cilit qe mbushur në të nxënit e saj të papërlyer.

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

21 nëntor, Kushtimi i shën Marisë Virgjër

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

      Himni

 

      T’falem, nëna e mëshirës,

      e shpresës nënë dhe e ndjesës,

      nënë e Hyut dhe nënë hirit

      nënë plot me gëzim të shenjtë.

 

      Luginë e gjelbër me zambakë virtutesh,

      ku buron plot me kënaqësi të larta,

      nënë e shenjtë, me pëlqimet tua

      denjou n’mjerime tona.

 

      Ty të krijoi Ati i pakrijuar,

      me hije ty mbuloi i Vetëmlinduri,

      ty të frytnoi Shpirti i Shenjtë:

      atyre u qoftë nderimi me gjithë zemër. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

   Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpirti i fëmijërisë

 

   Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).

 

O Zot, nuk krenohet zemra ime *

   as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha, *

   as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

 

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †

   si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *

   si kërthi është shpirti im në mua.

 

Le të shpresojë Izraeli në Zotin *

   tani e për gjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

   Psalmi 132 /131/ Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit

 

   Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).

 

   I (1-10)

 

Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *

   e gjithë mirësia e tij,

si iu përbetua Zotit, *

   si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:

 

»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *

   nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *

   s’do t’i lë të koten qepallat e mia,

 

pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *

   një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«

 

Ja, dëgjuam se është në Efratë, *

   e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

Le të hyjmë në tendën e tij, *

   të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!

 

Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *

   ti dhe arka e Pushtetit tënd!

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *

   shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

 

Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *

   mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit

 

   Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).

 

Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *

   assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:

»Bamin e kraharorit tënd *

   do ta vë mbi fronin tënd!

 

Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *

   dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,

po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *

   do të rrinë përmbi fronin tënd.«

 

Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *

   e pëlqeu për banesë të veten:

»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *

   këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.

Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *

   skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.

Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *

   shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.

 

Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *

   do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.

Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *

   kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:

   C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zakarisë profet 14, 1-21

 

   Salvimet dhe lavdia e Jerusalemit në kohët fundit.

 

   Qe, po vjen një ditë për Zotin: do të ndahen plaçkat e tua në mesin tënd tok do t'i bashkoj të gjitha kombet për të luftuar kundër Jerusalemit. Qyteti do të merret, shtëpitë do të shkretohen e gratë do të dhunohen! Gjysma e qytetit do të shkojë në skllavëri, pjesa tjetër nuk do të nxirret nga qyteti.

   Atëherë Zoti do të dalë e do të luftojë kundër këtyre kombeve si di Ai të luftojë në ditën e luftimit. Këmbët e tija atë ditë do të qëndrojnë mbi Malin e Ullinjve që është përballë Jerusalemit në lindje. Mali i Ullinjve do të ndahet dysh: një pjesë në lindje e një pjesë në perëndim. Do të trajtohet një luginë e thellë shumë: njëra pjesë do të mbajë në veri e tjetra në jug. Ju do të ikni në luginën e këtyre maleve, sepse lugina e maleve do të arrijë deri në Jasol; do të ikni sikurse ikët nga tërmeti në ditët e Ozisë, mbretit të Judës. Atëherë do të vijë Zoti, Hyji im, e me të të gjithë shenjtërit.

   Do të ndodhë: atë ditë nuk do të ketë dritë, por të ftohtë e akull. E do të jetë një ditë e veçuar ‑ këtë e di Zoti ‑ as ditë as natë; në mbrëmje do të ndriçojë drita!

   Do të ndodhë: atë ditë do të pëlcasin ujërat e gjalla në Jerusalem: gjysma e tyre do të derdhen në Detin e Lindjes e gjysma e tyre në Detin e Perëndimit: kështu do të jetë verës e dimrit! Atëherë Zoti do të jetë Mbreti i mbarë tokës: atë ditë do të jetë një Zot i vetëm e një i vetëm do të jetë Emri i tij! Mbarë toka do të bëhet e shkretë prej Gabës e deri në Remon, në jug të Jerusalemit, i cili do të ngallitë e do të banohet në vendin e vet qysh prej Derës së Beniamit deri te Dera e Parë, deri te Dera e Këndeve, atëherë prej qytezës Hananeel deri në Shtrydhësit e mbretit. Do të banohet në të e nuk do të ketë më mallkim, e Jerusalemi do të banohet në qetësi.

   Dhe, qe, varra, me të cilën do t'i goditë Zoti të gjithë popujt që do të luftojnë kundër Jerusalemit: secilit do t'i kalbet mishi, ndërsa ende do të qëndrojnë në këmbë të veta; sytë do t'u kalben në birat e syve, në gojë do t'u kalbet gjuha. Atë ditë Zoti do ta çojë një kryengritje të madhe ndër ta: njëri do t'ia kapë tjetrit dorën, njëri kundër tjetrit do të çojë dorë. Edhe Juda do të luftojë në Jerusalem. Pasuritë e të gjitha kombeve përreth do të bashkohen: ar, argjend e petka në një sasi tejet të madhe.

   Me plagë të tillë do të goditen kuajt, mushqit, gamilet, gomarët dhe të gjitha kafshët që do të gjenden në fushime.

   Po edhe të gjithë që do të mbesin gjallë prej atyre kombeve që erdhën të luftojnë kundër Jerusalemit, vit për vit do të ngjiten për ta adhuruar Mbretin, Zotin e Ushtrive e për të festuar të kremten e Tendave. E do të ndodhë: në qoftë se ndonjë fis i tokës nuk do të ngjitet në Jerusalem për ta adhuruar Mbretin, Zotin e Ushtrive, shi mbi ta s'do të bjerë. Po në qoftë se as fisi i Egjiptit nuk do të ngjitet e nuk do të vijë, do ta gjejë po ai frushkull me të cilin Zoti do t'i godasë kombet që nuk do të ngjiten për ta kremtuar festën e Tendave. I tillë do të jetë ndëshkimi për Egjiptin e për të gjithë popujt që nuk do të ngjiten për ta kremtuar festën e Tendave.

   Atë ditë do të jetë mbi cingaret e kuajve e shkruar: 'I kushtuar Zotit'; e në Shtëpinë e Zotit do të jenë kusi porsi kupat e flijimit para lterit. Madje çdo kusi në Jerusalem e në Judë do të jetë e kushtuar Zotit të Ushtrive. Të gjithë ata që do të duan të kushtojnë do të vijnë e do të marrin sosh e do të zijnë në to. Atë ditë nuk do të ketë më tregtar në Shtëpinë e Zotit të Ushtrive.”

 

   Përgjigjja Krh. Zak 13, 1; Gjn 19, 34

 

   C Në atë ditë do të jetë kroi rrjedhës për shtëpinë e Davidit e për banorët e Jerusalemit * do të rrjedhë një burim për larje të mëkateve e të papastërtive.

   D Njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë,

   C do të rrjedhë një burim për larje të mëkateve e të papastërtive.

 

Leximi i dytë

 

      Nga “Fjalimet” i shën Augustinit, ipeshkëv

      (Fjal. 25, 7-8; PL 46, 937-938)

 

      Ajo që besoi në saje të fesë, në saje të fesë edhe mbeti shtatzënë.

 

      Kini kujdes, ju lutem, në atë që tha Zoti ynë Jezu Krishti, duke e shtrirë dorën drejt nxënësve të tij: “Ja, nëna ime e vëllezërit e mi! Sepse vëllai im, motra ime e nëna ime është ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell” (Mt 12, 49-50). A thua nuk e ka kryer vullnetin e Atit Virgjëra Mari, e cila besoi në saje të fesë, ngjizi në saje të fesë, u zgjodh si ajo prej së cilës duhej të lindte shpëtimi ynë mes njerëzve, u krijua nga Krishti para se Krishti të krijohej në të? Me siguri se e ka bërë vullnetin e Atit shenjta Mari dhe pikërisht për këtë arsye vlen më shumë për Marinë fakti se ka qenë nxënësja e Krishtit, se sa fakti se ka qenë nëna e Krishtit. E përsërisim prapë: ishte për të dinjitet më i madh dhe lumturi më e madhe të qenit nxënëse e Krishtit se sa të qenit nëna e Krishtit. Për këtë arsye Maria ishte e lumtur, sepse edhe para se ta nxirrte në dritë Mësuesin, e barti në kraharorin e saj.

      Vëreje mirë nëse nuk është e vërtetë ajo që po them. Derisa Zotëria kalonte, i ndjekur nga një mori e madhe njerëzish, dhe bënte mrekullitë e tija hyjnore, një grua klithi: “Lum kraharori që të barti e gjinjtë që thithe” (Lk 11, 27). Lum kraharori që të barti! E që lumturia të mos kërkohej në mish, çfarë u përgjigj Zotëria? “Madje, të lumtë ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë” (Lk 11, 28). Edhe Maria pikërisht për këtë gjë është e lumtur, sepse e ka dëgjuar fjalën e Hyjit dhe e ka vënë atë në praktikë. Vërtet ajo e ka ruajtur më shumë të vërtetën në mendjen e saj, se sa mishin në kraharorin e saj. Krishti është e vërteta, Krishti është mish; Krishti është e vërteta në mendjen e Marisë, Krishti është mish në kraharorin e Marisë. Vlen më shumë ajo që është në mendje, se sa ajo që bartet në kraharor.

      E shenjtë është Maria, e lumtur është Maria, por është më e mirë Kisha se sa Virgjëra Mari. Përse? Sepse Maria është një pjesë e Kishës: një anëtare e shenjtë, një anëtare e shkëlqyer, një anëtare që i tejkalon të gjithë në dinjitet, por prapë se prapë është gjithmonë një gjymtyrë në krahasim me tërë trupin. Nëse është gjymtyrë e tërë trupit, atëherë me siguri vlen më shumë trupi se një gjymtyrë e tij. Zoti është kreu, dhe Krishti i tërë është kryet dhe trupi. Çfarë të themi? Kemi kreun Hyjnor, e kemi kreun Hyj.

      Për këtë arsye, o fort të dashur, kini shumë kujdes: edhe ju jeni gjymtyrë të Krishtit, edhe ju jeni trup i Krishtit. Vëreni se në ç’mënyrë jeni sepse ai thotë: “Ja, nëna ime e vëllezërit e mi” (Mt 12, 49). Si mund të jeni ju nëna e Krishtit? Kushdo që e dëgjon dhe e kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell, është për mua vëlla, motër dhe nënë (krh. Mt 12, 50).

      Kur them vëllezër, kur them motra, është e qartë se dëshiroj të flas për të vetmin dhe të njëjtin trashëgim. Për këtë arsye edhe Krishti në mëshirën e tij, duke qenë i vetëm, nuk deshi të ishte i vetëm, por bëri në mënyrë që edhe ne të bëhemi trashëgimtarë të Atit dhe bashkëtrashëgimtarë të tij në të njëjtin trashëgim.

 

      Përgjigjja Krh. Is 61, 10; Lk 1, 46-47

 

      C Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, * sepse më veshi me petkat e gëzimit, porsi nuse me argjendari e stolisur.

      D Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim.

      C Sepse më veshi me petkat e gëzimit, porsi nuse me argjendari e stolisur.

 

      Lutja

 

      Na shiko me mirësi, o Zot, ne që po e kremtojmë përkujtimin e shën Marisë Virgjër dhe bëj që të kemi pjesë në plotësinë e hirit tënd. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.