Shërbesa e leximeve
Java e tridhjetekatërtë e Kohës së rëndomtë
Jezu Krishti Mbreti i gjithësisë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, ta adhurojmë një të vetmin Hyj të vërtetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë
Himni
Gur në këndin e themelit
qe vendosur Jezu Krishti,
që në ndërtimin e mureve
e bën lidhjen në dy krahët,
atë Sioni i shenjtë e mori,
në të qëndron besimtari.
Ai qytet i tërë i shenjtë
dhe i dashur për Perëndinë,
plot me melodi ndër lavde
dhe me brohori ushtuese,
Zotin Trini e një të vetëm
i lavdëron me ngrohtësi.
Në këtë tempull, Hyj i epërm,
nxitur nga lutjet tona eja,
dhe me mirësi t’ëmbël
të pranosh kushtet e lutjeve;
dhe bekimin zemërgjerë
këtu derdhe pandërprerë.
Këtu të gjithë të meritojmë
të fitojmë ato që lypëm,
në dorë të shtiem të gjitha fitoret
bashkë me shenjtërit përjetë,
derisa në tru të mos ndahemi
e të hyjmë në lumni të Parrizit.
Lavdi e nderi i qoftë Zotit
shumë të lartë e anembanë,
bashkë me Atin dhe me Birin
dhe me Shpirtin Shenjt jetëdhënës,
me lavdi e me pushtet
ndër gjithë shekujt e amshueshëm. Amen.
Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Hyji e bëri mbret për popullin e vet, që ta shfaqte në të misterin e vullnetit të tij.
Psalmi 2 (1-12)
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
“Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!”
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
“Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!”
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: “Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!”
E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Hyji e bëri mbret për popullin e vet, që ta shfaqte në të misterin e vullnetit të tij.
Ant. 2 Atij do t’i përkulen të gjithë mbretërit, do t’i shërbejnë mbarë kombet.
Psalmi 72 /71/ I (1-11)
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd *
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi *
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
Malet le t’i sjellin paqen popullit *
e kodrat drejtësinë.
Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, †
do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit *
do ta përulë shpifësin.
Ai do të jetojë sa dielli e hëna, *
nga breznia në brezni.
Do të zbresë porsi vesa mbi bar, *
porsi shiu që e lag tokën.
Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia *
dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.
Do të sundojë prej detit në det, *
prej Lumit e deri në skajin e botës.
Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës, *
kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun.
Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve
dhurata do të sjellin, *
mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,
të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien *
e popujt mbarë do t’i shërbejnë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Atij do t’i përkulen të gjithë mbretërit, do t’i shërbejnë mbarë kombet.
Ant. 3 Në të do të bekohen të gjitha fiset e tokës; mbarë popujt do t’i japin lavdi.
II (12-19)
Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, *
të varfrin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, *
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
Do t’i shpëtojë prej padrejtësisë e dhunës, *
gjaku i tyre do të jetë i çmueshëm përpara tij.
Do të jetojë e do t’i jepet prej arit të Arabisë, †
gjithmonë do të luten për të, *
gjithë ditën do ta bekojnë.
Toka do të japë drithëra me shumicë, *
në maja të maleve do të valëviten kallëzat,
porsi Libani frytet e tokës, *
do të lulëzojnë porsi bari i tokës banorët e qytetit.
Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, *
sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri!
Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, *
të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.
Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit, *
që i vetmi bën mrekulli!
Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm, †
toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij. *
Amen! Amen!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Në të do të bekohen të gjitha fiset e tokës; mbarë popujt do t’i japin lavdi.
D Të bëra dritën e popujve,
C do ta sjellësh shëlbimin tim deri në skajet e tokës.
Leximi i parë
Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
1, 4-6. 10. 12-18; 2, 26-28; 3, 5. 12. 20-21
Vegimi i Birit të njeriut në pushtetin e tij.
Paçi hir dhe paqe prej Atij që është, që ishte dhe që po vjen dhe prej shtatë shpirtrave që janë para fronit të Tij
dhe prej Jezu Krishtit, Dëshmitarit besnik, të Parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesit të mbretërve të tokës!
Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet,
që na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet, ‑ Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj [të shekujve]. Amen.
Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete,
U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandana të artë dhe në midis të shandanave dikë si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës, kryet e tij dhe flokët i kishte të bardhë porsi leshi i bardhë, porsi bora e sytë e tij porsi flaka e zjarrit; këmbët e tija ishin porsi bronzi i lëmuar, i skuqur në furrë; zëri i tij porsi ushtima e ujërave të mëdha; në dorën e djathtë mbante shtatë yje, nga goja e tij dilte një shpatë dy tehesh, e mprehtë, fytyra e tij porsi dielli kur ndriçon me plot fuqinë e vet.
Kur e pashë, rashë para këmbëve të tija porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: “Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Sprasmi, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!
Ngadhënjyesit, atij që deri në fund do t'i kryejë veprat e mia unë do t'i jap pushtet mbi paganë,
dhe do të sundojë mbi ta me skeptër hekuri dhe do t'i thyejë porsi enë argjilore,
ashtu sikurse edhe vetë e mora pushtetin prej Atit tim. Dhe do t'ia jap Yllin e Dritës.
Kështu edhe ngadhënjyesi do të mbarë petka të bardha; nuk do ta fshij emrin e tij prej librit të jetës dhe do ta dëshmoj emrin e tij para Atit tim dhe para engjëjve të tij.
Ngadhënjyesin do ta bëj shtyllë në tempullin e Hyjit tim dhe prej andej ai s'do të dalë më kurrë! Në të do ta shkruaj Emrin e Hyjit tim edhe emrin e qytetit të Hyjit tim, të Jerusalemit të ri, që zbret nga qielli, prej Hyjit tim, edhe Emrin tim të ri.
Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua.
Ngadhënjyesin do ta vë të rrijë me mua në fronin tim, sikurse edhe vetë ngadhënjeva dhe ndenja bashkë me Atin tim në fronin e tij.
Përgjigjja Krh. Mk 13, 26-27; Ps 98 /97/, 9
C Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet * e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës, prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.
D Ai do ta gjykojë botën me drejtësi e popujt me maturi,
C e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës, prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.
Leximi i dytë
Nga broshura “Lutja” e shën Origenit, meshtar
(Kap. 25; PG 11, 495-499)
Ardhtë mbretëria jote.
Mbretëria e Hyjit, sipas fjalëve të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, nuk do të vijë në mënyrë që të tërheq vëmendjen e të tjerëve dhe askush nuk do të thotë: Ja këtu, apo ja aty; mbretëria e Hyjit është në mesin tuaj (krh. 16, 21), sepse fjala e tij është shumë afër në gojën tonë dhe në zemrën tonë (krh. Rom 10, 8). Për këtë arsye, pa asnjë dyshim, ai që lutet për ardhjen e mbretërisë së Hyjit, në të vërtet lutet që të zhvillohet, të prodhojë frytet e saj dhe të arrijë në plotësinë e saj ajo mbretëri e Hyjit që ai e ka në vetvete. Hyji mbretëron në shpirtin e shenjtërve dhe ata u binden ligjeve shpirtërore të Hyjit që banon në ta. Kështu shpirti i shenjtit bëhet pikërisht si një qytet i sunduar mirë. Në shpirtin e të drejtit është i pranishëm Ati dhe bashkë me Atin edhe Krishti, sipas fjalës: “Tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë” (Gjn 14, 23).
Por kjo mbretëri e Hyjit, që është në ne, do të arrijë në plotësinë e saj me ecjen tonë të palodhshme, kur do të ndodhë ajo që thotë Apostulli i Krishtit. Kur Ai, pasi të ketë nënshtruar të gjithë armiqtë e tij, do t’i dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, në mënyrë që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë (krh. 1 Kor 15, 24. 28). Për këtë arsye të lutemi pa u lodhur. Ta bëjmë këtë gjë me një qëndrim të brendshëm të lartësuar dhe si të hyjnizuar nga prania e Fjalës. T’i themi Atit tonë që është në qiell: “U shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote” (Mt 6, 9-10). Të kujtojmë se mbretëria e Hyjit nuk mund të shkojë bashkë me mbretërinë e mëkatit, ashtu si nuk ka marrëdhënie mes të drejtës dhe të përlyerës, as bashkim mes dritës dhe errësirës, as marrëveshje mes Krishtit dhe Beliarit (krh. 2, Kor 6, 14-15).
Nëse, pra, dëshirojmë që Hyji të mbretërojë në ne, në asnjë mënyrë “mos të mbretërojë mëkati në trupin tonë të vdekshëm” (Rom 6, 12). T’i përulim, pra, gjymtyrët tona që i përkasin tokës (krh. Kol 3, 5). Të japim fryte në Shpirt, që Hyji të mund të banojë në ne si në një parajsë shpirtërore. Le të mbretërojë në ne vetëm Hyji Atë me Krishtin e tij. Në ne le të jetë Krishti i ulur në të djathtën e atij pushteti shpirtëror të cilin edhe ne vet kemi dëshirë ta fitojmë. Le të qëndrojë gjersa të gjithë armiqtë e tij, që gjenden brenda nesh, të bëhen “shtrojë për këmbët e tija” (Ps 99 /98/, 5), dhe kështu të largohet nga ne çdo pushtet i tyre, çdo fuqi dhe ndikim. E gjithë kjo mund të ndodhë brenda çdonjërit prej nesh. Atëherë, në fund, “armiku i fundit që do të asgjësohet do të jetë vdekja” (1 Kor 15, 26). Atëherë Krishti do të mund të thotë edhe brenda nesh: “O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?” (1 Kor 15, 55; krh. Oz 13, 14). Që tani, pra, “trupi ynë i shkatërrueshëm” do të rivishet me pashkatrrueshmëri; dhe ajo që është e vdekshme të përzejë vdekjen, të mbulohet me pavdekësi të Atit (krh. 1 Kor 15, 54). Kështu duke mbretëruar Hyji në ne, mund të shijojmë tashmë të mirat e rilindjes dhe të ringjalljes.
Përgjigjja Krh. Zb 11, 15; Ps 22 /21, 28-29
C U vendos mbi rruzull Mbretëria e Zotit tonë dhe e Krishtit të tij: * ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.
D Do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve, sepse Zoti është mbret:
C ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti deshe të ripërtërish gjithçka nëpër Krishtin, Birin tënd, Mbretin e gjithësisë, bëj që mbarë krijesat, të liruara nga robëria e mëkatit, t’i shërbejnë madhërisë sate e të lëvdojnë pa pushim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.