Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetekatërtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjt

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

   Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë vështirësie

 

   O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).

 

   I (2-9)

 

Në ty, o Zot, shpresoj: †

   mos lejo të turpërohem për amshim, *

   më liro me drejtësinë tënde.

Prire drejt meje veshin tënd, *

   nxito të më shpëtosh!

Ji për mua qetë shpëtimi, *

   kështjellë mbrojtjeje!

 

Sepse forca ime e strehimi im ti je: *

   pashë Emrin tënd më pri e më sundo.

Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *

   sepse ti je fuqia ime.

 

Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *

   më shpërble, o Zot, Hyji besnik.

Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *

   ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.

 

Me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate †

   se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *

   ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;

 

nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *

   hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

   II (10-17)

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   se ndodhem në ngushtim të madh!

Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *

   shpirtin edhe trupin.

 

Jeta më sharroi në dhembje *

   e vjetët më kaluan në dënesë,

fuqia më mbaroi nga mundi *

   e eshtrat m’u thanë.

 

Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, †

   për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr *

   Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje. –

Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *

   u bëra porsi enë e thyer.

 

Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †

   bëjnë mbledhje kundër meje, *

   pleqërojnë si të ma marrin jetën.

 

E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †

   unë them: »Ti je Hyji im, *

   në duart e tua fati im!«

 

Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *

   dhe prej atyre që më salvojnë.

Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *

   më shpëto me mëshirën tënde.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   III (20-25)

 

Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *

   të cilën e ruan për ata që të druajnë,

e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *

   në sy të bijve të Adamit.

 

Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *

   larg nga ngatërresat e njerëzve,

i strehon në Tendën tënde *

   larg nga gjuhët ngatërrestare.

 

Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *

   me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!

 

Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *

   »I përjashtuar jam prej syve të tu!«,

por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *

   kur drejt teje lëshova kushtrimin.

 

Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *

   ai i ruan besimtarët e vet,

por edhe atë që vepron me madhështi *

   Zoti e shpaguan sipas meritave.

 

Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *

   që shpresoni në Zotin.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   D Më drejto në të vërtetën tënde dhe më mëso:

   C Hyji im, ti je shëlbimi im.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull 1, 1-11

 

   Besnikëria ndaj thirrjes së krishterë.

 

   Simon Pjetri, shërbëtori dhe apostulli i Jezu Krishtit, atyre që, me anë të drejtësisë së Hyjit tonë dhe Jezu Krishtit Shëlbues, e fituan të njëjtën fe të çmueshme sikurse edhe ne:

   Paçi hir dhe paqe të plotë me anë të njohjes së Hyjit dhe të Jezusit, Zotit tonë.

   Vërtet, fuqia hyjnore na dhuroi gjithçka na nevojitet për jetë dhe për përshpirtëri me anë të njohjes së Atij që na grishi në saje të lavdisë dhe të forcës së vet. Bashkë me to na u dhuruan premtimet më të çmueshmet dhe më të mëdhatë që me anë të tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmimit.

   Për këtë arsye përqendroni të gjitha forcat tuaja t'ia shtoni fesë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë, përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshin gjithkënd. Sepse këto cilësi, nëse i keni dhe nëse përparoni në to, nuk ju lënë të papunë as të pafrytë në njohjen e Zotit tonë Jezu Krishtit. Kurse ai që nuk i ka këto virtyte, është i verbët, dritëshkurtër; ka harruar se u pastrua prej mëkateve të veta të mëparshme. Prandaj, o vëllezër, mundohuni ta përforconi përherë e më tepër thirrjen dhe zgjedhjen tuaj: nëse bëni kështu, kurrë nuk do të bini në mëkat. Kështu, vërtet, do t'ju hapet plotësisht hyrja në Mbretërinë e amshuar të Zotit tonë, Jezu Krishtit.

 

   Përgjigjja Krh. 2 Pjt 1, 3. 4; Gal 3, 27

 

   C Zoti ju grishi në saje të lavdisë dhe të forcës së vet. Ju dhuroi premtimet më të çmueshmet dhe më të mëdhatë, * që të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore.

   D Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin me Krishtin edhe jeni veshur,

   C që të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Fjalimet” e shën Leonit të Madh, papë

   (Fjal. 92, 1. 2. 3; PL 54, 454-455)

 

   Si të jetë puna ashtu do të jetë edhe paga.

 

   Zoti thotë: “Nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit” (Mt 5, 20). E si mund të ketë me shumicë drejtësi, nëse mëshira nuk mbizotëron mbi gjykimin? (krh. Jak 2, 13). Është punë e mirë dhe e drejtë që krijesa t’i ngjasojë krijuesit të vet, kopja modelit të saj, në shëmbëllesën dhe ngjasimin e së cilës është bërë. Hyji bën që përmirësimi dhe shenjtërimi i besimtarëve të jetë në faljen e mëkateve. Pasi të falen mëkatet, pushon ashpërsia e hakmarrjes dhe pezullohet çdo ndëshkim, fajtorit i kthehet prapë pafajësia dhe fundi i mëkatit bëhet fillimi i një shenjtërie të re. Njeriu duhet të bëjë si Zoti.

   Drejtësia e krishterë mund ta tejkalojë atë të skribëve dhe të farisenjve, jo duke e zbrazur ligjin, por duke refuzuar çdo shtjellim të tij material. Për këtë arsye Zotëria, duke u propozuar nxënësve mënyrën për të agjëruar, thotë: “Kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim!” (Mt 6, 16). Çfarë shpërblimi, nëse jo ai i lavdisë së njerëzve? Për shkak të prirjes drejt kësaj lavdie shpesh nxirret në pah një famë e drejtësisë, dhe nuk shqetësohet aspak për ndërgjegjen dhe vihet në kërkim të një fame të rreme. Kështu mbrapshtia, e cila e dënon vetveten duke u fshehur, më pas kënaqet me një mirënjohje hipokrite.

   Atij që e do Hyjin i është e mjaftueshme të dijë se i pëlqen atij që do; dhe nuk kërkon shpërblim më të madh se vetë dashurinë. Shpirti i pastër dhe i shenjtë është aq i lumtur të jetë plot me të, saqë nuk dëshiron t’i pëlqejë në asnjë gjë përveçse në të.

   Është shumë e vërtetë, ajo që thotë Zotëria: “Atje ku është thesari yt, atje është edhe zemra jote” (Mt 6, 21). Cili është thesari i njeriut nëse jo korrja e veprave dhe mundimeve të tija? “Çka kush mbjell, atë edhe do të korrë” (Gal 6, 7); si të jetë puna e çdonjërit ashtu do të jetë edhe shpërblimi që do të marr. Pastaj aty ku vihet lumturia e kënaqësisë, aty përqendrohet edhe brengosja e zemrës. Por duke qenë të shumta llojet e pasurive dhe të ndryshme shkaqet dhe burimet e kënaqësisë, për çdonjërin thesari qëndron në atë që përbën objektin e aspiratave të tij. Por nëse këto janë të prira drejt të mirave tokësore, edhe pse plotësisht të plotësuara, prapë se prapë nuk bëjnë të lumtur. Përkundrazi, sjellin lumturi ato që janë të drejtuara drejt gjërave që janë atje lartë.

   Vërtet, ata të cilët janë të prirë drejt gjërave qiellore dhe jo drejt atyre të tokës dhe nuk shkojnë drejt gjërave të shkatërrueshme, por drejt të mirave të amshuara, kanë vënë pasurinë e tyre të pashkatërrueshme në atë të mirë për të cilën flet profeti, duke thënë: “Pasuri shpëtimprurëse është urtia e dija, visari tij është frika e Zotit” (krh. Is 33, 6). Përmes këtyre te mirave, me ndihmën e hirit të Zotit, edhe të mirat tokësore shndërrohen në të mira qiellore. Janë të shumtë ata të cilët shërbehen me pasuri, ose të trashëguara në mënyrë të drejtë apo të fituara në ndonjë mënyrë tjetër, porsi mjete përmes së cilave ushtrojnë mëshirën.

   Dhe kur, për të mbajtur të varfrit, japin nga ajo që u tepron, bashkojnë për vete pasuri që nuk humbet, sepse ajo që ata dhurojnë për të varfrit nuk ka mundësi të humbasë më.

   Me të drejtë këta njerëz kanë zemrën e tyre atje ku kanë vënë thesarin e tyre, sepse lumturia e tyre më e madhe është ajo që të shijojnë pasuritë e fituara dhe t’i rrisin gjithnjë e më shumë pa asnjë frikë se ato do të humbasin.

 

   Përgjigjja Krh. Gal 6, 9-10. 7

 

   C Mos të lodhemi duke bërë mirë; nëse nuk do të tërhiqemi, në kohën e duhur do të korrim. * Derisa të kemi kohë, të bëjmë mirë.

   D Secili do të korrë atë që ka mbjellë.

   C Derisa të kemi kohë, të bëjmë mirë.

 

   Lutja

 

   Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnesat e besimtarëve të tu, që të marrim pjesë në veprën tënde të shëlbimit, dhe kështu të fitojmë fryte të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.