Shërbesa e leximeve
24 nëntor, Shën Andreu Dung-Lac, meshtar dhe shokët, martirë
Përkujtim
Kalendari liturgjik kujton sot 117 martirë vietnamezë, të kanonizuar nga Gjon Pali II në vitin 1988, dhe të beatifikuar që më përpara, në katër radhë: 64 në vitin 1900 nga Leoni XIII, 8 në vitin 1906, dhe 20 në vitin 1909 nga shën Piu X, 25 në vitin 1951 nga Piu XII. Epokat e ndryshme historike, nga shpallja e parë e Ungjillit në shekullin XVI deri në përndjekjen e madhe që u ndez në shekullin XIX në Tonkin, Anam dhe Koçinçinë (sot Vietnam) qenë të karakterizuara nga bashkimi në martirizim ndërmjet evropianëve dhe vendasve.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëi zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Mbret plot lavdi i martirëve,
kurora e dëshmitarëve,
nga që s’i pranuan tokësorët
i çove ndër qiellorët.
Fill veshin tënd mirëdashës
zërave tona drejtoiau;
këndojmë trofetë e shenjta,
mos na i shiko gabimet.
Ti ngadhnjen ndër martirët,
duke kursyer dëshmuesit,
hidhi poshtë fajet tona,
duke dhuruar ndjesën.
Na ruaj, Atë mëshirëplotë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues,
që në amshim mbretëroni. Amen
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit
Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).
I (1-11)
Mos u zemëro kundër keqbërësve *
as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.
Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *
e do të kalben si bari i njomë.
Shpreso në Zotin e bëj mirë: *
kështu do të banosh Tokën e premtuar
e do të jetosh në paqe.
Vëre gëzimin tënd në Zotin *
e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *
shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.
Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *
të drejtën tënde porsi mesdita.
Hesht para Zotit e shpreso në të †
e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *
për njeriun që djerron tradhti.
Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *
mos u shqetëso se vetëm prish punë,
sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *
kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.
Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *
tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,
kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *
e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
II (12-29)
Bakeqi i vë prita të drejtit, *
kundër tij kërcëllon dhëmbët,
por Zoti e përqesh atë, *
sepse e sheh se do t’i vijë dita.
Mëkatarët vringëlluan shpatën *
dhe ngrehën harkun
për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *
për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.
Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *
harku i tyre copë e grimë do të bëhet.
Më mirë pakica e të drejtit *
sesa pasuria e madhe e bakeqit, –
sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *
ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.
Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *
trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.
Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *
s’do t’u mungojë buka në kohë zie.
Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †
porsi stolia e fushave do të vyshken, *
do të zhduken porsi tymi.
I paudhi merr hua e nuk kthen, *
ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.
Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *
ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.
Zoti i forcon hapat e njeriut *
dhe përcjell me dashuri udhën e tij.
Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *
sepse Zoti e mban për dore.
I ri qesh edhe u plaka, †
por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *
as fëmijët e tij duke lypur bukë.
Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *
prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.
Hiqu së keqes e bëj të mirën *
e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,
sepse Zoti e do të drejtën *
dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *
breznia e tyre do të shuhet.
Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *
dhe në të do të banojnë për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
III (30-40)
Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *
gjuha e tij shpall të drejtën.
Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *
nuk shqepojnë hapat e tij.
I paudhi e përgjon të drejtin: *
këqyr si ta vrasë.
Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tij *
nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.
Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †
ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *
dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.
E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *
të lartë porsi cedrin e kërthndezët;
kalova dhe, ja, nuk ishte, *
e kërkova e nuk e gjeta.
Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *
njeriu i paqes pas vetes lë djalin.
Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *
bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.
Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *
ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.
Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †
do t’i lirojë prej keqbërësve *
sepse shpresuan në të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
D Ma mëso urtinë dhe njohurinë:
C sepse kam besim në fjalët e tua.
Leximi i parë
Prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull 1, 5-7. 12-21
Dëshmia e apostujve dhe e profetëve.
Përqendroni të gjitha forcat tuaja t'ia shtoni fesë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë, përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshin gjithkënd.
Për këtë arsye gjithherë do t'ju përkujtoj për këto, edhe pse i dini dhe qëndroni të palëkundshëm në të vërtetën që keni marrë. Mendoj, pra, se është e drejtë, deri sa të jetoj në këtë trup t'ju nxis me anë të qortimit të rrini zgjuar, sepse e di se nuk do të vonoj të ndahem nga trupi im, sikurse më vuri në dijeni edhe vetë Zoti ynë Jezu Krishti. Por vetë do të kujdesohem që edhe pas vdekjes sime, t'jua mundësoj t'i keni parasysh gjithmonë këto mësime.
Sepse nuk ju shpallëm Fuqinë dhe Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij. Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga Lavdia e madhërueshme, i tha: “Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa.” ‑ të cilin zë, që zbriste nga qielli, e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në Malin e shenjtë.
Kështu u vërtetua fjala e profetëve dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët ‑ deri të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja.
Para të gjithash dinie mirë këtë: asnjë profeci që gjendet në Shkrim shenjt nuk mund të shpjegohet sipas trillit të kujtdo, sepse askurrë nuk ndodhi ndonjë profeci me vullnet të njeriut, por njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit.
Përgjigjja Krh. Gjn 1, 14; 2 Pjt 1, 16. 18
C E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. * Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm.
D E kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij derisa ishim bashkë me të në Malin e shenjtë.
C Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm.
Leximi i dytë
Nga letrat e shën Pal Le-Bao-Ting drejtuar nxënësve të Seminarit të Ke-Vinh në vitin 1843.
(Launay A.: Le clergé tonkinois et ses prêtres martyrs, MEP, Paris 1925 fq. 80-83)
Pjesëmarrja e martirëve në fitoren e Krishtit udhëheqës.
Unë Pali, i burgosur për shkak të emrit të Krishtit, dua t’ju bëj të njohur vuajtjet në të cilat çdo ditë jam i zhytur, në mënyrë që të ndezur me dashurinë hyjnore, t’i ngrini bashkë me mua lavdinë Hyjit: e amshueshme është mëshira e tij (krh. Ps 136 /135/, 3).
Ky burg është vërtet shëmbëllesë e ferrit të amshuar: mundimeve të dhunshme të çdo lloji, siç janë cungu, zinxhirët e hekurt, litarët, u shtohen urrejtja, hakmarrja, fyerjet, fjalët e turpshme, akuzat e rreme, keqdashjet, përbemjet e mbrapshta, mallkimet dhe më në fund ankthi dhe trishtimi.
Hyji, që i liroi tre djelmoshat nga furra e zjarrtë, më është gjithmonë pranë; dhe më ka liruar edhe mua nga këto trishtime, duke i shndërruar ato në ëmbëlsi: e amshueshme është mëshira e tij.
Në mes të këtyre trazirave, që zakonisht i përulin dhe i thyejnë të tjerët, në saje të hirit të Hyjit jam plot me gëzim dhe hare, sepse nuk jam i vetëm, por Krishti është me ua. Ai, mësuesi ynë, e bartë tërë peshën e kryqit, duke e ngarkuar mbi mua vetëm pjesën më të vogël dhe të fundit: ai vetë luftëtarë, e jo vetëm spektator i luftës sime; fitimtar dhe përkryes i çdo beteje. Mbi kokën e tij është vënë kurora e shkëlqyer e fitores, në të cilën marrin pjesë edhe gjymtyrët.
Si të durohet ky spektakël i tmerrshëm, duke parë çdo ditë perandorë, mandarinë dhe oborrtarë të tyre, që e shajnë emrin tënd të shenjtë, o Zot, që je i ulur përmbi Kerubinj (krh. Ps 80 /79/, 2) dhe Serafinj?
Ja, kryqi yt është i shkelur nga këmbët e paganëve! Ku është lavdia jote? Duke parë gjithë këtë parapëlqej që, në zjarrin e dashurisë sate, t’i kisha të prera gjymtyrët dhe të vdisja në dëshmi të dashurisë sate.
Ma trego, o Zot, pushtetin tënd, më eja në ndihmë dhe më shpëto, sepse në dobësinë time është shfaqur dhe lavdëruar fuqia jote para popujve; dhe armiqtë e tu nuk mund të ngrejë me krenari kokën, nëse unë do të lëkundem gjatë udhës.
Vëllezër fort të dashur, në të dëgjuar të këtyre gjërave, galdoni dhe ngriteni një himn të përhershëm të falënderimit ndaj Hyjit, që është burimi i çdo të mire, dhe bekojeni bashkë me mua; e amshuar është mëshira e tij. “Shpirti im e madhëron “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur: ja se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur” (Lk 1, 46-48): e amshuar është mëshira e tij.
Lavdërojeni Zotin, o popuj të gjithë; ju kombe të gjitha jepni lavdi (krh. Ps 117 /116/, 1), sepse “Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t’i turpëruar të fortit” (1 Kor 1, 27). Me gjuhën dhe me mendjen time i kam pështjelluar filozofët, nxënësit e të urtëve të kësaj bote: e amshuar është mëshira e tij.
Po ju shkruaj të gjithë këtë, që feja juaj dhe e imja të formojnë një gjë të vetme. Ndërsa sulet stuhia unë hedh spirancën time deri tek froni i Hyjit: shpresa e gjallë, që është në zemrën time.
E ju, vëllezër të dashur, vraponi në mënyrë që të arrini kurorën (krh. 1 Kor 9, 24); “visheni pancirin e fesë” (1 Sel 5, 8); ngjeshuni me armët e Krishtit në të djathtë dhe në të majtë (krh. 2 Kor 6, 79), ashtu siç mëson shën Pali, pajtori im. Është më mirë për ju të hyni në jetë të çalë apo me një sy të vetëm (krh. Mt 18, 8-9), se sa të hidheni jashtë me të gjitha gjymtyrët.
Më ejani në ndihmë me lutjet tuaja, që unë të mund të luftoj sipas ligjit, që të mund ta mbaj deri në fund betejën e mirë, që të përfundoj i lumtur vrapimin tim (krh. 2 Tim 4, 7).
Nëse nuk do të shihemi më në jetën e tanishme, kjo do të jetë lumturia jonë në botën e ardhshme: do të jemi para fronit të Qengjit të flijuar dhe do të këndojmë njëzëri lavditë e tij duke galduar në amshim në gëzimin e fitores. Amen.
Përgjigjja Krh. Heb 12, 1-3
C Të luftojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, * me shikim të drejtuar mbi Jezusin, Autorin dhe Përkryesin e fesë.
D Mendoni, pra, atë që duroi nga ana e mëkatarëve një kundërshtim aq të madh kundër vetes, në mënyrë që ju të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra.
C Me shikim të drejtuar mbi Jezusin, Autorin dhe Përkryesin e fesë.
Lutja
O Hyj, fillim dhe burim i çdo atësie, ti që shën Andreun Dung-Lac dhe shokët martirë i bëre besnikë ndaj kryqit të Birit tënd deri në derdhjen e gjakut, me ndërmjetësinë e tyre bëj që të jemi misionarë dhe dëshmitarë të dashurisë sate në mes njerëzve, për t’u quajtur dhe për të qenë bijtë e tu. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.