Shërbesa e leximeve
Java e tridhjetekatërtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E mërkurë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Krijues i sendeve, ripërtëritës jete,
Krisht, mbreti i mbretërve, gjyqtar i rreptë,
ti lutjet tona e lavdërimet baras
pranoji i ëmbël.
Ja ty gjatë natës po t’përmbushim kushtet
me lavde, e bëji për ty të pëlqyeshme
e ne ringjall me harmoni t’përjetshme
o autor i dritës.
Na jep ne ditë me mirësi të mbara
duke dhënë jetën që nuk e njeh vdekjen,
që t’jetë përherë paprerë me vepra tona
lavdia jote.
Zemrën tonë ndize, dhe i drejtë na i ngroh kryqet
me zjarr hyjnor edhe na bëj syhapët,
që në çdo kohë të mbajmë ndër duart tona
llambat e ndezura.
Lavdërim i madh kremtoftë Prindin e Epërm,
dhe Ty, Shëlbues, mbret i drejtë, n’amshim,
e në mbarë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjt, Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Krisht, drita e vërtetë, mirësia e jeta,
gëzimi i botës, mëshira pa mbarim,
që me gjak tënd plot jetë neve nga vdekja
na ke shëlbuar.
Dashurinë tënde, shtjere, po të lutemi
ndër mendje tona, dhe besimit ktheji
ndriçim t’amshuar, dhe dashurisë vëllazërore
kënaqësinë shtoja.
Dhe larg nga ne qoftë Djalli i pabesë,
që u thye e u dërrmua nga fuqitë e tua,
na qëndroftë pranë Shpirt Shenjt dërguar
prej Selisë tënde.
Lavdi i qoftë Hyjit Atit të amshuar,
dhe ty gjithmonë, o Bir nga Ati i lindur,
me t’cilin Shpirti Hyj i barabartë
sundon ndër shekuj. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.
Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje
Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur bijësimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).
I (2-7)
Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *
që të mos mëkatoj me gjuhën time,
fre do t’i vë gojës sime *
sa të jetë para meje bakeqi.«
Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *
por më kot dhembja ime u përtërit.
Flakë u ndez në mua zemra, *
posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,
fola me gjuhën time: *
»Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,
cili është numri i ditëve të mia, *
që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«
Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *
jeta ime është asgjë para teje,
vetëm avull është çdo njeri. *
Porsi hije kalon jeta e njeriut,
e kotë është krejt puna e tij: *
ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
II (8-14)
E tani çka mund të pres, o Zot? *
Shpresa ime është në ty!
Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *
mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!
S’bëj zë, gojën nuk e çel *
sepse je ti ai që vepron.
Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *
se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!
Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †
porsi tenja e bren dëshirën e tij. *
Vërtet tytësi është çdo njeri!
Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *
vështro klithmat e mia!
Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †
Para teje unë jam i huaj, *
endacak porsi etërit e mi.
Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *
para se të shkoj e të mos jem më!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.
Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve
Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).
Pse krenohesh me vepra të këqija *
ti që je i madh për nga paudhësia?
Gjithë ditën djerron tradhti! †
Gjuha jote brisk i mprehtë, *
o mjeshtër fitmesh!
Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *
rrenën se të flasësh të vërtetën,
të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *
o gjuhë fitmesh!
Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *
do të të zhdukë përgjithmonë,
do të të çrrënjosë prej tendës, *
do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.
Të tmerruar do të shohin të drejtët *
e do të qeshin mbi të:
»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †
por shpresoi në kamjen e vet të madhe *
dhe krenohej me tradhtitë e veta.«
E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †
shpresoj në mirësinë e Hyjit *
për amshim e në shekuj të shekujve.
Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †
shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *
në sy të besimtarëve të tu.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.
D Shpirti im shpreson në Zotin,
C dhe me padurim e pret fjalën e tij.
Leximi i parë
Prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull 2, 1-9
Mësuesit e rrejshëm.
Fort të dashur, ka pasur profetë të rrejshëm edhe në Popullin e Izraelit, sikurse edhe ndër ju do të ketë mësues të rrejshëm, që fshehurazi do të shtien herezi të dëmshme, do ta mohojnë edhe Zotëruesin, që i shpërbleu dhe mbi vete do të sjellin dënimin që nuk do të vonojë. Shumë do t'i ndjekin epshet e prujta të tyre dhe për shkak të tyre do të shahet udha e së vërtetës. Ata në lakmimin e vet do t'ju shfrytëzojnë ju me fjalë gënjyese, porse dënimi i tyre është tanimë në veprim dhe shkatërrimi i tyre nuk kotet.
Dhe vërtet, nëse Hyji nuk i kurseu engjëjt që mëkatuan, por i plandosi në Tartar dhe i dorëzoi në humnerat e errëta të ruhen për Gjyq; nëse nuk e kurseu as botën e vjetër ‑ shpëtoi vetëm Noehin vet të tetin, lajmëtarin e drejtësisë ‑ por lëshoi përmbytjen mbi botën e të patenzonëve; nëse qytetet: Sodomën e Gomorrën i bëri hi: i dënoi dhe i la shembull për të patenzonë të ardhshëm; nëse e liroi Lotin e drejtë që s'mund e duronte më sjelljen e poshtër të të këqijve ‑ e njëmend, këtij të drejti që jetonte në mesin e tyre i helmohej shpirti dita‑ditës duke shikuar dhe dëgjuar veprat e poshtra të tyre ‑ d.m.th. se Zoti di t'i lirojë besimtarët nga prova, por edhe t'i ruajë të mbrapshtët për t'i ndëshkuar Ditën e Gjyqit.
Përgjigjja Krh. Mt 7, 15; 24, 11. 24
C Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, * kurse përbrenda janë ujq grabitqarë.
D Do të ngriten shumë profetë të rrejshëm dhe do të tregojnë shenja të mëdha e të çuditshme, aq sa do të gënjejnë shumë kënd;
C kurse përbrenda janë ujq grabitqarë.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet” të njohura si të shën Makarios, ipeshkëv
(Pred. 28; PG 34, 710-711)
Shpirti që nuk është banesë e Krishtit është fatkeq.
Një herë Hyji, i hidhëruar kundër Judenjve, e dorëzoi Jerusalemin në duar të armiqve. Kështu ata ranë pikërisht nën sundimin e atyre që i urrenin dhe nuk kishin më mundësi të kremtonin ditët e festave dhe të bënin flijime. Në të njëjtën mënyrë, Hyji, i hidhëruar kundër shpirtit që i thyen urdhërimet e tija, e dorëzon atë në dorë të armiqve të tij, të cilët, pasi ta kenë shtyrë të bëjë keq, e shkatërrojnë atë plotësisht. Një shtëpi, që nuk është e banuar më nga pronari, mbetet e mbyllur dhe e errët, duke rënë në braktisje; si pasoj e kësaj ajo mbushet me pluhur dhe me papastërti. Në të njëjtën gjendje është edhe shpirti të cilit i mungon Zoti. Më parë krejtësisht e shndritur nga prania e tij dhe nga ngazëllimi i engjëjve, pastaj mbështjellët me errësirën e mëkatit, të ndjenjave të papastra dhe me çdo të keqe tjetër.
Mjerë ajo udhë mbi të cilën nuk ecën askush dhe nuk gëzohet nga asnjë zë njeriu! Ajo udhë bëhet vendtakim i parapëlqyer i të gjitha llojeve të bishave. Mjerë ai shpirt në të cilin nuk ecën Zoti, që me zërin e tij i largon bishat shpirtërore të së keqes! Mjerë ajo anije që nuk ka timonier! E përplasur nga dallgët e detit e nganjëherë edhe nga stuhitë, do të shkatërrohet.
Mjerë shpirti që nuk ka në vete timonierin e vërtetë, Krishtin! I mbështjellë nga errësirat e një deti të shqetësuar dhe i përplasur nga dallgët e dëshirave të mbrapshta, i shpartalluar nga shpirtrat e këqij si nga një uragan i dimrit, do të shkatërrohet në mënyrë të mjerueshme.
Mjerë shpirti që nuk e ka Krishtin, i vetmi që mund ta kultivojë me kujdes në mënyrë që të prodhojë fryte të mira të Shpirtit! Vërtet, një herë i braktisur, menjëherë do të jetë i pushtuar nga ferrat dhe nga shkurret, dhe në vend që të prodhojë fryte, do të përfundojë në zjarr. Mjerë ai shpirt që nuk do ta ketë Krishtin në vete! I lënë vetëm, do fillojë të jetë tokë e pëlleshme e prirjeve të mbrapshta dhe do fillojë të bëhet një shtresë vesesh.
Fshatari, kur përgatitet për të punuar tokën, i zgjedh mjetet më të përshtatshme të punës si dhe vesh rrobat që përkojnë më shumë me llojin e punës. Krishti Jezus, mbret i qiellit dhe bujk i vërtet, duke ardhur drejt njerëzimit, të shkatërruar nga mëkati, mori mbi vete trupin njerëzor, dhe duke bartur kryqin si mjet pune lëroi shpirtin e tharë dhe të pagdhendur, i hoqi ferrat dhe shkurret e shpirtrave të këqij, e çrrënjosi egjrën e së keqes dhe hodhi në zjarr tërë kashtën e mëkateve. E punoi kështu me drurin e kryqit dhe mbolli në të kopshtin shumë të dashur të Shpirtit. Ajo sjell çdo lloj frytesh të ëmbla dhe të shijshme për Hyjin, që është pronari i saj.
Përgjigjja Gjn 15, 1. 5. 9
C Unë jam hardhia e vërtetë, ju jeni shermendet. * Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt.
D Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju.
C Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt.
Lutja
Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnesat e besimtarëve të tu, që të marrim pjesë në veprën tënde të shëlbimit, dhe kështu të fitojmë fryte të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.