Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetekatërtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Shpendi lajmëtar i ditës

   me kangë njofton po afrohet drita;

   ne tani ndërtuesi i mendjeve

   Krishti na fton te jeta.

 

   “Hiqni – thërret – nga shtretërit

   të smurë, gjumashë, përtacët;

   ju t’urtë, të drejtë, t’përmbajtur

   përgjoni; unë tani jam afër”.

 

   Që, kur me frymë flakruese

   agimi n’qiell të hapet,

   të gjithë me punë t’stërvitur

   t’forcojë në shpresë të dritës.

 

   Me zëra t’thrrasim Krishtin

   me vaj, me uratë, të esëllt;

   se lutja e fuqishme

   s’lejon t’flejë zemra e pastër.

 

   Ti, o Krisht, shpërndaje gjumin,

   këput prangat e natës,

   ti zgjidh mëkatin e vjetër,

   ndriçimin e ri sille.

 

   Ty Krisht, mbret shumë i drejti,

   ty e Atit qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Zgjo ndjenja dashurie

   ndaj ty, dhurues i fajit,

   shpirtmirë t’u bëhesh zemrave

   si të pastrosh ndyrësitë.

 

   Këtu ne arrijmë të huaj (jashtëm)

   dhe të mërguar rënkojmë;

   ti je liman e atdhe,

   na ço n’tremet e jetës.

 

   Dashni e lumtur që ka etje

   për ty gurrë jete, o e Vërteta;

   ata sy shumë të lumtur

   të popullit që ty vëzhgojnë.

 

   N’ty është lumnia e madhe

   kujtesa e lavdisë tënde,

   që pa mbarim madhërojnë

   ata që ngrejnë nga thellësia zemrën.

 

   Bëj, o Atë krejt i drejti,

   dhe, o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.

 

   Psalmi 44 /43/ Populli i Hyjit në fatkeqësi

 

   Në gjithçka jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).

 

   I (2-9)

 

O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *

   etërit tanë na e treguan,

veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *

   në ditë të kahershme.

 

Me dorën tënde i çrrënjose paganët †

   e i vendose stërgjyshët tanë në vend të tyre, *

   i zhbive popujt e stërgjyshët i zgjerove.

 

Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *

   as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,

 

por e djathta jote dhe krahu yt †

   e drita e fytyrës sate, *

   sepse i kishe për zemër.

 

Ti je mbreti im dhe Hyji im *

   që ia dhurove fitoren Jakobit!

 

Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †

   me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *

   ata që u çuan kundër nesh.

 

Shpresa ime nuk është në harkun tim, *

   as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,

por ti na shpëton nga armiqtë, *

   ti i turpëron ata që na urrejnë.

 

Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *

   Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.

 

Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.

 

   II (10-17)

 

Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *

   Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.

Na bëre të ikim para armiqve tanë, *

   ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.

 

Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *

   dhe na trete ndër paganë.

E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *

   as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.

 

Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjve tanë, *

   përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.

Na bëre përrallë për popuj: *

   përmbi ne paganët e tundin kokën!

 

Përditë turpin tim e kam para sysh, *

   marrja ma mbulon fytyrën

prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *

   prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.

 

Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.

 

   III (18-27)

 

Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *

   as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,

 

as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *

   as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,

e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *

   na mbulove me hije të vdekjes.

 

Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *

   t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,

pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *

   nuk do ta kishte hetuar këtë?

E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *

   të çmuar porsi delet për therore.

 

Zgjohu, përse po fle, o Zot? *

   Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!

Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *

   përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?

 

Se u poshtëruam e ramë përdhe, *

   zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.

Çohu, na eja në ndihmë! *

   Na shpëto pashë dashurinë tënde!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.

 

   D Te kush të shkojmë, o Zot?

   C Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull 2, 9-22

 

   Akuzimi i mëkatarëve.

 

   Fort të dashur, Zoti di t'i lirojë besimtarët nga prova, por edhe t'i ruajë të mbrapshtët për t'i ndëshkuar Ditën e Gjyqit, sidomos ata që në veset e veta shkojnë mbas prirjeve të ndyta të mishit dhe të gjakut dhe përbuzin Madhërinë hyjnore.

   Krenarë, mujsharë, që nuk tremben të vënë gojë në qenes të lavdishëm, ndërsa engjëjt, më të mëdhenj se ata për kah forca e për kah pushteti, nuk sjellin para Zotit kundër tyre gjyq poshtërues. Kurse këta, shtazë të paarsyeshme të lindura prej natyrës për gjah e për shfarosje, shajnë çka nuk njohin. Do të mbarojnë siç mbarojnë shtazët: do të marrin shpërblimin e padrejtësisë. Çmojnë kënaqësi të bëjnë shfreni për pikë të ditës! Ndyrësi dhe turpëri! Kënaqen në gënjeshtrat e veta ndërsa gostiten bashkë me ju! Sytë e tyre gjithmonë të ngulur në ndonjë lavire, kurrë nuk ngihen me mëkat; ngashënjejnë shpirtra të lëkundshëm, zemrat i kanë të stërvitura në lakmime, bij mallkimi! E lanë udhën e vërtetë, shkuan pas Balaamit, birit të Bosorit, i cili e mori pagën e padrejtësisë, por mori edhe qortimin për veprën e vet të keqe: si njeri foli shtaza e pagojë dhe e pengoi marrëzinë e profetit.

   Këta njerëz janë gurra pa ujë, re që i mbart era. Për ta ruhet terri i zi. Me fjalë të mëdha e të kota i ngashënjejnë me ëndje të prujta të mishit e të gjakut ata që posa u larguan nga ata që jetojnë në gabim. U premtojnë lirinë e vetë janë skllevër të paudhësisë. E njëmend, gjithkush është skllavi i atij që e mundi. Vërtet, nëse ia dolën njëherë të ikin nga ndyrësitë e botës me anën e njohjes së Zotit dhe Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit, por prapë rishtas ngatërrohen në to dhe munden nga ato, gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para. Këndej, më mirë do të kishte qenë për ta kurrë të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë se, pasi e njohën një herë, t'ia sjellin shpinën urdhrit të shenjtë që u qe dhënë. U ndodhi çka thotë fjala e urtë:

   “Qeni u kthye në të vjellat e veta.”

   dhe:

   “Derri i larë u kthye të zhgërryhet në llom”.

 

   Përgjigjja Krh. Fil 4, 8. 9; 1, Kor 16, 13

 

   C Mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e denjë për dashuri: * dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.

   D Rrini zgjuar! Qëndroni të palëkundshëm në fe. Bëhuni burra! Jini të fortë;

   C dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimet mbi Ungjillin e Mateut” i shën Gjonit Gojart, ipeshkëv

   (Pred. 33, 1. 2; PG 57, 389-390)

 

   Nëse do të jemi qengja do të fitojmë, nëse do të jemi ujq do të mposhtemi.

 

   Derisa të jemi qengja, do të fitojmë dhe, nëse do të jemi të rrethuar nga ujqër të shumtë, do të arrijmë t’i tejkalojmë. Nëse bëhemi ujqër do të mposhtemi, sepse nuk do ta kemi ndihmën e bariut. Ai nuk kullot ujqër, por qengja. Për këtë arsye do të largohet dhe do të të lërë vetëm, sepse ti e pengon atë që ai të tregojë pushtetin e tij.

   Është sikur të kishte thënë Krishti: mos u shqetësoni për faktin se duke ju dërguar mes ujqërish, unë ju urdhëroj të jeni porsi qengjat dhe pëllumbat. Do të mund t’ju thosha të kundërtën dhe t’ju kurseja çdo vuajtje, t’ju pengoja të paraqiteshit porsi qengja para ujqërish dhe t’ju bëja më të fortë se luanët. Por është e nevojshme që të ndodhë kështu, sepse kjo gjë ju bën më të lavdishëm dhe e shfaqë pushtetin tim. Të njëjtën gjë i thoshte edhe Palit: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi” (2 Kor 12, 9). Jam unë, pra, që ju kam dashur kaq zemërbutë.

   Për këtë arsye kur thotë: “Ju dërgoj porsi qengja” (Lk 10, 3), dëshiron të bëj që të kuptojnë se nuk duhet të dëshpërohen, sepse ai e di mirë se me zemërbutësinë e tyre do të jenë të pamposhtur për të gjithë.

   Dhe duke dashur që nxënësit e tij të veprojnë spontanisht, që të mos duket se çdo gjë vjen nga hiri dhe të mos besohet se do të fitohet shpërblimi pa asnjë arsye, shton: “Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat” (Mt 10, 16). A thua çka mund të bëjë maturia jonë mes të gjithë këtyre rreziqeve, mund të na bëhet kjo vërejtje? Si mund të jemi të kujdesshëm, kur jemi të goditur nga të gjitha këto stuhi? Çka do të mund të bëjë një qengj me kujdesin e tij kur të jetë i rrethuar prej ujqërve grabitqarë? Sado që e madhe të jetë thjeshtësia e një pëllumbi, çka do të shërbejë kur të jetë sulmuar nga shpendët grabitqarë? Atyre kafshëve nuk iu shërben kjo gjë por ju iu shërben shumë.

   Të shohim çfarë urtie kërkon: atë “të gjarprit”. Ashtu si gjarpri që braktis çdo gjë, edhe trupin, dhe nuk kundërshton vetëm e vetëm për ta shpëtuar kokën, ashtu edhe ti, me qëllim që ta shpëtosh fenë, duhet të braktisësh çdo gjë, të mirat, trupin edhe vetë jetën.

   Feja është porsi koka dhe rrënjët. Duke e ruajtur këtë edhe nëse i humb të gjitha, do të fitosh çdo gjë me mbushullim. Ja pse nuk urdhëron që të jemi vetëm të thjeshtë apo vetëm të vëmendshëm, por i bashkon këto dy cilësi në mënyrë që të bëhen virtyte. E kërkon urtinë e gjarprit, që të mos marrësh plagë vdekjeprurëse, dhe thjeshtësinë e pëllumbit, që të mos hakmerresh kundër atij që të lëndon dhe të mos i largosh me hakmarrje ata që të ngrenë kurth. Asgjë nuk shërben maturia pa thjeshtësi.

   Askush të mos mendojë se këta urdhra nuk mund të vihen në vepër. Krishti e njeh më mirë se çdo njeri tjetër, natyrën e gjërave. E di mirë se dhuna nuk ndalohet me dhunë, por me zemërbutësi.

 

   Përgjigjja Mt 10, 16; Gjn 12, 36

 

   C Ja, unë po ju dërgoj porsi dele midis ujqish. * Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat.

   D Derisa të keni dritë, besoni në dritën që të bëheni bijtë e dritës.

   C Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat.

 

   Lutja

 

   Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnesat e besimtarëve të tu, që të marrim pjesë në veprën tënde të shëlbimit, dhe kështu të fitojmë fryte të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.