Shërbesa e leximeve

Java e tridhjetekatërtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nëpërmjet kangës së gjelit

   tashmë errësinë e natës

   dhe të natës së pangopur

   duke heqë tmerrin e zi,

   Hy jetëdhënës, po të lusim

   dhe të lypim me gjithë shpirt.

 

   Dritë e fortë, syhapët, erdhe

   dhe mbikqyrës i njerëzimit,

   ndërsa mbanin gjitha sendet

   bashkarisht heshtje t’zakonshme.

   Madje e nxirrnin krejt të vdekur

   Përfytyrimin e të vdekurit.

 

   Ti, o Krisht, ne të na zgjoje

   nga gjumi i prapësisë,

   dhe falas të na libroje

   nga burgu i natës sterrë,

   edhe të na ktheje dritën

   shoqëruese gjithnjë e jetës.

 

   Ty e Atit ju qoftë nderi,

   po ashtu Shpirtit të Shenjtë,

   Hyjt n’tre Vetë dhe një t’vetëm,

   paqes, jetës, edhe dritës,

   mbi të gjithë emnit të ëmbël

   dhe vullnetit të hynueshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Na mbro, krijuesi i sendeve,

   lavdi e dritës s’Atit,

   pa hirin e të cilit

   dridhen krahrorët tanë.

 

   Dhe me Shpirt tënd të mbushur,

   tue mbartë Zotin me vete,

   asgjë e grabitësit të pabesë t’mos duket

   me mashtrime shkatrruese.

 

   Që ndër punët e shekullit,

   si e lyp nevoja e jetës,

   çveshur nga çdo lloj krimi

   të rrojmë me ligjet tua.

 

   Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,

   Ty e Atit qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushllimtar

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.

 

   Psalmi 38 /37/ Lutja e mëkatarit në ngushticë

 

   Ai nuk bëri mëkat ... Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona... me varrët e tija jemi shëruar (1 Pjt 2, 22. 24. 25).

 

   I (2-5)

 

Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *

   as mos më ndëshko në zemërimin tënd!

sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *

   mbi mua rëndoi dora jote.

 

S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *

   për shkak të zemërimit tënd,

s’ka paqe në eshtrat e mi *

   për shkak të mëkateve të mia.

 

Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *

   më ndrydhin porsi barra e rëndë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.

 

   II (6-13)

 

U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *

   për shkak të marrëzisë sime,

u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *

   i trishtueshëm endem gjithë ditën.

 

Digjen prej etheve ijët e mia, *

   asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.

I lodhur e i këputur krejtësisht *

   gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.

 

Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *

   as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,

 

zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *

   edhe drita e syve të mi po fiket.

Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *

   edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.

 

Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †

   më kërcënohen me vdekje

   ata që ma dëshirojnë të keqen, *

   gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.

 

   III (14-23)

 

E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *

   si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,

u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *

   si ai që në gojë përgjigje s’ka.

 

Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *

   o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.

 

Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *

   kur të më merren këmbët,

   të mos krenohen kundër meje.«

 

E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *

   dhembjen time përherë e kam para syve.

Ja, unë e pranoj fajin tim, *

   jam i prishur për mëkatin tim.

 

E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *

   u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.

Të mirën ma kthejnë me të keqe *

   e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.

 

Mos më lër vetëm, o Zot, *

   Hyji im, mos u largo prej meje.

Nxito të më ndihmosh, *

   o Zot, Shëlbuesi im.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.

 

   D Sytë e mi po shkrihen duke pritur,

   C premtimin e Shëlbuesit tim.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull 3, 1-18

 

   Zoti është besnik: ta presim ardhjen e tij.

 

   Të dashurit e mi! Ja, po ju shkruaj letrën e dytë. Në të dyja mundohem ta zgjoj kuptimin tuaj të shëndoshë me anë të porosisë, që t'i kujtoni fjalët e paralajmëruara prej profetëve të shenjtë dhe urdhrin e Zotit dhe Shëlbuesit që shpallën apostujt tuaj.

   Më së pari duhet ta dini: në ditët e fundit do të vijnë përqeshës që do të përqeshin; ata do të jetojnë sipas prirjeve të veta të ulta dhe do të pyesin: “Ku është premtimi i Ardhjes së tij? Sepse, qysh se vdiqën të parët tanë, gjithçka mbetet si në fillim të krijimit!” Ata me qëllim harrojnë se qielli është që moti dhe se toka, në fuqi të fjalës së Hyjit, nxori prejardhjen nga uji dhe nëpër ujë. Po në të njëjtën mënyrë, bota e atëhershme, e përmbytur me ujë, mbaroi. Edhe qielli dhe toka e tanishme, prej të njëjtës fjalë, ruhen për zjarr dhe presin Ditën e Gjyqit dhe shkatërrimin e njerëzve të këqij.

   Por një gjë, fort të dashur, assesi s'duhet ta harroni, e kjo është se te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme. Nuk vonon Zoti ta çojë në vend premtimin, si disa e mendojnë të ngadalshëm, por është i durueshëm me ju, se nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen. Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi. Atë ditë qiejt do të zhduken me krismë, elementet do të shkrihen prej të nxehtit dhe toka e veprat në të do të gjenden para Gjyqit.

   Pasi kështu do të shkatërrohen të gjitha këto, sa njerëz të mirë duhet të jeni ju të gjithë me jetë të shenjtë, me përshpirtëri, ju që e prisni dhe e shpejtoni Ditën e Ardhjes së Hyjit, në të cilën qiejt do të shkatërrohen me zjarr dhe elementet e botës do të shkrihen prej nxehtësisë. Ne veç, sipas premtimit të tij, presim “qiellin e ri dhe tokën e re,” ku banon drejtësia.

   Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe! Po edhe duresën e Zotit tonë çmojeni si rast shëlbimi, sikurse edhe Pali, vëllai ynë i dashur, ju shkroi me dije që iu dhurua. Kështu ai thotë në të gjitha Letrat, ku flet për këto gjëra. Në to ka nga diçka që merret vesh vështirë, çka të padijshmit dhe të paqëndrueshmit e shtrembërojnë, si bëjnë edhe me pjesët tjera të Shkrimit të shenjtë ‑ në dënim të vetvetes.

   Ju, pra, o të dashur, pasi jeni të porositur që më parë për këto, ruajuni që, të marrë mendsh nga gabimi i të mbrapshtëve, të mos e humbitni sigurinë që jep feja! Por rrituni në hir dhe në njohje të Zotit tonë Jezu Krishtit Shëlbues! Atij i qoftë lavdi qysh tash dhe deri në ditë të amshimit. [Amen].

 

   Përgjigjja Krh. Is 65, 17. 18; Zb 21, 5

 

   C Ja, unë po krijoj qiell të ri e tokë të re, do të gëzohet e do të galdohet përgjithmonë në ato që unë po krijoj. * Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet.

   D Jerusalemin do ta bëj gëzim, popullin e tij do ta bëj hare.

   C Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi vdekjen” i shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir

   (Kap. 18. 24. 26; CSEL 3, 308. 312-314)

 

   Pasi të largojmë frikën nga vdekja, të mendojmë në pavdekësi.

 

   Nuk duhet ta bëjmë vullnetin tonë, por atë të Hyjit. Është një hir të cilin Zotëria na ka mësuar ta kërkojmë çdo ditë në lutje. Por është një kundërthënie të lutesh që të bëhet vullneti i Hyjit, ndërsa kur ai na thërret dhe na fton të dalim nga kjo botë, të tregohemi revoltues në kryerjen e vullnetit të tij! Këmbëngulim dhe tërhiqemi prapa porsi shërbëtorë kokëfortë. Kaplohemi nga frika dhe nga dhimbjet në mendimin se duhet të dalim para fytyrës së Hyjit. Dhe në fund dalim nga kjo jetë jo të kënaqur, por sepse jemi të detyruar me forcë. Kërkojmë nderime dhe shpërblime nga Hyji pasi e takojmë me aq pak dëshirë!

   Por atëherë, pyes unë, përse lutemi dhe kërkojmë që të vijë mbretëria e qiellit, nëse vazhdon të na pëlqejë burgu i tokës? Përse me lutje të shpeshta kërkojmë dhe përgjërohemi vazhdimisht që të shpejtojmë të vijë koha e mbretërisë, nëse nga ana tjetër kloçisim në shpirtin tonë pëlqime dhe dëshira më të mëdha që të shërbejmë këtu mbi tokë djallin, se sa të mbretërojmë me Krishtin?

   Meqë bota i urren të krishterët, përse duhet të duash atë që të urren e jo të shkosh pas Krishtit, që të ka shëlbuar dhe të do? Gjoni në njërën prej letrave të tij bërtet për të na nxitur që të mos e duam botën, duke shkuar pas dëshirave të mishit. “Mos e doni botën as sendet që i përkasin botës. Nëse ndokush e do botën, në të nuk është dashuria e Atit. Sepse çdo gjë që është e botës: - lakmia e mishit dhe e gjakut, lakmia e syve dhe krenaria e jetës – nuk është prej Atit, por vjen prej botës. Bota kalon dhe lakmia e saj, kurse mbetet në amshim ai që kryen vullnetin e Hyjit.” (1 Gjn 2, 15-17). Në të kundërtën, vëllezër fort të dashur, me mendje të kthjellët, me fe të pathyeshme dhe me shpirt të madh, të jemi të gatshëm për të bërë vullnetin e Hyjit. Ta largojmë frikën nga vdekja, dhe të mendojmë në pavdekësinë që ajo e fillon. Të tregojmë me vepra atë që themi se jemi.

   Duhet të marrim para sysh dhe të mendojmë shpesh se ne e kemi mohuar botën dhe se ndërkohë banojmë këtu poshtë vetëm si mysafir shtegtar. Të presim me gëzim ditën e cila çdonjërin prej nesh e dorëzon në banesën e vërtet, ditën që, pasi të na ketë liruar nga këto leqe të shekullit, na kthen prapë të lirë për parajsën dhe mbretërinë e amshuar. A thua kush është ai njeri që do gjendej larg nga atdheu dhe nuk do të nxitonte për tu kthyer sa më shpejt? Atdheu ynë nuk është tjetër veçse parajsa. Atje na pret një numër i madh i të dashurve tanë, na dëshirojnë prindërit tanë, vëllezërit dhe bijtë në shoqëri festuese dhe të hareshme, të sigurt tashmë për lumturinë tonë, por akoma në dridhje për shpëtimin tonë. T’i shohësh dhe ti përqafosh të gjithë: sa gëzim i madh për ata dhe për ne! Sa kënaqësi e madhe në atë mbretëri qiellore të mos i frikësohesh më kurrë vdekjes; dhe sa lumturi të jetosh përgjithmonë!

   Atje është kori i lavdishëm i apostujve, aradhja e madhërishme e profetëve; atje është ushtria e panumërt e martirëve, të kurorëzuar me lavdi pse kanë fituar në luftëra dhe kanë qëndruar në tundime; virgjërat ngadhënjyese, të cilat e mundën lakminë e mishit dhe të trupit me virtytin e vetëpërmbajtjes; atje shpërblehen të mëshirshmit, të cilët bënë vepra bamirëse, duke ushqyer dhe duke ndihmuar në mënyra të ndryshme të varfrit dhe kështu i mbajtën urdhërimet e Zotit dhe, me pasuri tokësore, fituan thesare qiellore. Të shpejtojmë me gjithë entuziazëm të arrijmë shoqërim me këta të lumtur. Hyji e paftë këtë mendim tonin; këtë vendim të mendjes sonë, të fesë sonë; e paftë Krishti, i cili do tu japë, në dashurinë e tij, shpërblime më të mëdha atyre që për të kanë pasur një dëshirë më të zjarrtë.

 

   Përgjigjja Krh. Fil 3, 20. 21; Kol 3, 4

 

   C Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. * Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm.

   D Kur të duket Krishti, Jeta jonë, atëherë edhe ne bashkë me Të do të shfaqemi plot lavdi.

   C Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm.

 

   Lutja

 

   Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnesat e besimtarëve të tu, që të marrim pjesë në veprën tënde të shëlbimit, dhe kështu të fitojmë fryte të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.