Shërbesa e leximeve
Java e tridhjetekatërtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E shtunë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,
ditë që s’mbaron kurrë,
ngadhënjyese mbi natë t’errët
ripërtritëse e ndriçimit,
shkatërruese e errësirës,
shkëlqimtare e mendjeve.
Kur lind ajo ringjallemi,
kur na thërret shpejt ngrihemi,
kur del na bën të lumtur
kur na lë jemi t’mjeruar,
kur nga vdekja liruar
ne jemi të qartë si drita;
kur dalë fitues mbi vdekjen,
përmbi natën dhe mbi shekullin;
prandaj, o Mbret i amshuar,
dhurona neve dritën,
që nga asnjë natë s’errësohet,
veç me ndriçim kënaqet.
Atit dhe Ty nderimi,
dhe Shpirtit Shenjt Ju qoftë,
Hyjit n’tre vetë por një të vetmit,
paqes, jetës, ndriçimit,
mbi të gjithë emnit t’ëmbël,
dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hy që s’vjen nga askush,
o Hy që rrjedh prej Hyjit
Hy që buron prej këtyre,
ndër ne eja përkrahës.
Ti je dëshira jonë,
ti qofsh dashnia e gëzimi:
në ty lakmimi ynë
e në ty qoftë kënaqësia.
O Atë, sunduesi i t’gjithëve,
me t’Lindurin nga Virgjëra,
brenda dhe rreth e rrotull
me Shpirtin Shenjt sundona.
Kujto, Shenjtja Trini,
ç’ndërtoi mirësia jote,
njeriun më parë krijove,
me anë t’gjakut e rimkëmbe.
Se ata që ka krijuar Njënia,
shpërbleu dashnia e Krishtit
atëherë tue vuajtur i ndërgjegjshëm,
tani të duaj ne duke na zgjedhur.
Trinisë së Shenjtë gëzimi,
paqja, virtyti dhe sundimi,
pushteti i plotë e dinjiteti,
lavdi, nderimi dhe lavdia. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.
Psalmi 136 /135/ Himni i Pashkëve
Të shpallësh veprat e Zotit do të thotë ta lavdërosh atë (Cassiani).
I (1-9)
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Zotin e zotave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Diellin që ta sundojë ditën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
II (10-15)
Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
saqë foli marrëzisht me buzë të veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
III (16-26)
E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Vrau mbretër të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Sehonin, mbretin e amorrenjve, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
D Më udhëheq, o Zot, udhës sate,
C m’i mëso shtigjet e tua.
Leximi i parë
Prej Letrës së shën Judës apostull 1-8. 12-13. 17-25
Akuzimi i bakëqijve. Nxitja e besimtarëve.
Juda, shërbëtori i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit: të dashurve në Hyjin Atë, të ruajturve për Jezu Krishtin ‑ të grishurve.
Paçi me begati mëshirë, paqe dhe dashuri!
Të dashur!
Ndërsa plot kujdes mendoja t'ju shkruaj lidhur me shëlbimin e përbashkët, e ndjeva veten të detyruar t'ju jap zemër me anë të letrës të luftoni për fe që u qe dhënë shenjtërve njëherë e përgjithmonë. Sepse disa njerëz depërtuan me dredhi ndër ju ‑ të cilët që moti kanë qenë shënuar për dënim ‑ njerëz të patenzonë, që hirin e Hyjit tonë e zëvendësojnë me ndyrësi dhe e mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin Zotërues dhe Zotin tonë.
Tani dëshiroj t'ju përkujtoj ‑ ndonëse tanimë i dini të gjitha këto njëherë e përgjithmonë ‑ se Zoti, pasi e shpëtoi Popullin nga dheu i Egjiptit, pastaj i zhbiu ata që nuk besuan. Po edhe engjëjt që nuk e ruajtën denjësinë e vet, por e lëshuan banesën e vet, i ruajti për Gjyqin e Ditës së madhe të lidhur me pranga në errësirë. Po kështu edhe Sodoma e Gomorra dhe qytetet përreth tyre, të cilat, sikurse edhe ato, u dhanë pas fëlligështisë dhe mëkatuan kundër natyrës, mbesin si shembull duke pësuar ndëshkimet në zjarr të pasosur.
Po kështu edhe këta ëndërrues çnderojnë trupin, përbuzin Madhërinë dhe shajnë Lavditë.
Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë, kur hanë e pinë me ju pa farë frike dhe e fajnë barkun si bagëtia. Janë re pa ujë që erërat i sjellin këndej e andej, lëndë të pafrytshme të vjeshtës në mbarim, dy herë të thata, të nxjerra me rrënjë, valë të tërbuara të detit që bëjnë të shkumiten turpësitë e veta, yje të shkëputura, endacake, për të cilët ruhet terri i errësirës së përjetshme.
Ju, o të dashur, kujtoni fjalët që ju paralajmëruan apostujt e Jezu Krishtit, Zotit tonë. Ata ju thoshin: “Në kohën e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë mbas prirjeve të veta të prujta.” Këta janë ata që mbjellin përçarje ‑ njerëz thjesht shtazorë ‑ që nuk e kanë Shpirtin Shenjt.
Por ju, o të dashur, ndërtoni veten mbi themelin e fesë suaj tejet të shenjtë duke u lutur në Shpirtin Shenjt. Qëndroni në dashurinë e Hyjit duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për jetën e pasosur.
Disa ‑ të ndërdyshmët ‑ qortoni; disa tjerë shpëtoni duke ia rrëmbyer zjarrit; për do tjerë, prapë, kini mëshirë duke u trembur dhe urreni deri edhe petkun e përdhosur prej trupit të tyre.
Atij që mund t'ju ruajë të mos bini në mëkat dhe t'ju paraqesë të patëmetë me hare para Lavdisë së vet ‑
Një të vetmit Hyj, Shëlbuesit tonë, nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë: lavdi, madhëri, fuqi dhe pushtet para çdo kohe, tani dhe në të gjithë shekujt. Amen.
Përgjigjja Krh. Tit 2, 12-13; Heb 10, 24
C Të jetojmë në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, * duke pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e Lavdisë të të Madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishti.
D Le të kujdesemi për njëri-tjetrin me qëllim që të nxitemi kah dashuria dhe veprat e mira,
C duke pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e Lavdisë të të Madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishti.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. 256, 1.2.3; PL 38, 1191-1193)
T’i këndojmë aleluja Hyjit që është i mirë, që na liron nga çdo e keqe.
Të këndojmë këtu aleluja, ndërsa jemi akoma pa siguri, që një ditë të mund ta këndojmë atje lart të sigurt. Sepse këtu jemi në ankth dhe në pasiguri. E si pret që unë të mos jem në ankth kur lexoj: A thua nuk është një tundim jeta e njeriut mbi tokë? (krh. Job 7, 1). Pretendon që të mos jem në ankth, kur prapë thuhet: “Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim”? (Mt 26, 41). Nuk dëshiron që unë të ndjehem i pasigurt kur tundimi është kaq i shpeshtë, saqë edhe vetë lutja na bën të përsërisim: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë”? (Mt 6, 12).
Çdo ditë e bëjmë të njëjtën lutje dhe çdo ditë jemi fajtorë! Dëshiron që unë të jem i qetë kur çdo ditë duhet të kërkoj falje për mëkate dhe ndihmë ndër rreziqe? Dhe vërtet, pasi të kem thënë për mëkatet e kaluara: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë”, menjëherë, për shkak të rreziqeve të ardhshme, duhet të shtoj: “E mos na lër të biem në tundim” (Mt 6, 13).
Po ashtu edhe populli, si mund të ndjehet i sigurt, kur bërtet bashkë me mua: “Na liro nga i keqi”? (Mt 6, 13). Megjithatë, o vëllezër, edhe pse gjendemi ende në këtë gjendje të rëndë, i këndojmë aleluja Hyjit që është i mirë dhe që na liron nga çdo e keqe.
Edhe këtu poshtë mes rreziqeve dhe tundimeve, le të këndohet aleluja nga të tjerët dhe nga ne. “Hyji është besnik. Ai nuk do të lejojë t’u shtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja” (1 Kor 10, 13). Për këtë arsye edhe këtu poshtë këndojmë aleluja. Njeriu është akoma fajtor por Hyji është besnik. Nuk thotë: “nuk do të lejojë t’u shtroheni provave”, por: “Nuk do të lejojë t’u shtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja e, bashkë me prova, do t’ju japë rrugëdalje e forcë për t’u qëndruar” (1 Kor 10, 13). Ke hyr në tundim, por Hyji do të ta japë mënyrën edhe të dalësh, në mënyrë që ti ta përballosh tundimin: sepse sikur ena e vorbëtarit, ti të formohesh nga predikimi dhe të forcohesh me anë të flakës së vuajtjes. Por kur të hysh në tundim, mendo se do të dalësh, “sepse Hyji është besnik”. Zoti do të të mbrojë nga çdo e keqe... do të vigjiloj mbi ty kur të hysh e kur të dalësh (krh. Ps 121 /120/, 7-8).
Por kur ky trup të jetë bërë i pavdekshëm dhe i pashkatërrueshëm, atëherë do të pushojë edhe çdo tundim, sepse “trupi është i vdekur”. Përse ka vdekur? “Për shkak të mëkatit”. Por “Shpirti është jetë”. Përse? “Për shkak të drejtësisë” (Rom 8, 10). Do ta braktisim pra si të vdekur trupin? Jo, por dëgjo: “Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju” (Rom 8, 10-11). Tani vërtet trupi ynë është në gjendje tokësore, ndërsa atëherë do të jetë në gjendje qiellore. O e lumtura aleluja e kënduar atje lartë! O aleluja e sigurisë dhe e paqes! Atje askush nuk do të jetë armik, atje nuk do të humbasim kurrë asnjë mik. Atje do të jehojnë lavditë e Hyjit. Është e vërtet se jehojnë edhe tani këtu. Por këtu në ankth, ndërsa atje lartë në qetësi. Këtu këndojmë si të vdekshëm, atje si të pavdekshëm. Këtu në shpresë, atje lartë në realitet. Këtu të mërguar dhe në shtegtim, atje lartë në atdhe. Të këndojmë edhe tani, jo aq për ta shijuar pushimin, sa për t’u ngritur nga mundimi. Të këndojmë si endacak. Këndo, por ec. Këndo për të lehtësuar ashpërsitë e ecjes, por duke kënduar mos iu përkul përtacisë. Këndo dhe ec. Çka do të thotë të ecësh? Të shkosh para në të mirë, të përparosh në shenjtëri. Janë, pra, sipas apostullit, disa që përparojnë, por në të keqe. Nëse përparon është shenjë se ti ec, por duhet të ecësh në të mirë, duhet të përparosh në fenë e drejtë, duhet të përparosh në shenjtëri. Këndo dhe ec.
Përgjigjja Krh. Tob 13, 17. 18
C Pirgjet tua, o Jerusalem, do të ndërtohen me ar të pastër e këngë hareje do të buçasin, * dhe në të gjitha shtëpitë e tua do të jehojë: Aleluja.
D Do të shkëlqesh me dritë të madhe; te ti do të vijnë të gjithë popujt e tokës,
C dhe në të gjitha shtëpitë e tua do të jehojë: Aleluja.
Lutja
Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnesat e besimtarëve të tu, që të marrim pjesë në veprën tënde të shëlbimit, dhe kështu të fitojmë fryte të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.