Shiko Jezusin në Kryq dhe kujto se Ai e bëri këtë për dashuri ndaj teje
03 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Shiko Jezusin në Kryq dhe kujto se Ai e bëri këtë për dashuri ndaj teje”
MEDITIM PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT DHE SIPAS GJONIT
Në Ungjillin e Markut kap 14, po ashtu edhe në Ungjillin e mundimeve sipas Gjonit, lexojmë se: pasi mbaroi darka e mistershme, Zoti shkon bashkë me dishepujt në malin e Ullinjve për tu lutur. Mk 14: Mundimi i Krishtit në Getseman ishte më të vërtetë i tmerrshëm. Jezusi hyn në një agoni të tillë aq sa filloj të djersitej Gjak. Po, djersa Gjakut del nga trupi i tij i shenjt dhe bie pik pik në tokë. E nëse trupi i tij arrin në këtë gjendje, imagjino si ishte shpirti i Jezusit. Në Gjetseman Jezusi bën përvojën e vetmisë së tmerrshme, përvojën e heshtjes së Hyjit. E megjithatë Jezusi lutet edhe më me zemër. Abba! O Atë, ti mundesh gjithçka! nëse do, largoje këtë kelk prej meje! E pavarësisht mundimit të papërshkrueshëm, Jezusi bën një dorëzim vullnetit të Atit... jo çka dua unë, por çka do ti o Atë! Jo vullneti im, por u bëftë vullneti yt o Atë.
Kur Jezusi mbaron lutjen, mbërrin ajo shoqëri djallëzorë. Mbërrin Juda i cili kishte mohu rolin e tij si apostull dhe ishte bërë udhërrëfyes e kapiten i ushtrisë së djallit. Ky mik i rrejshëm e shet Jezusin me një puthje. Kjo është ora juaj dhe pushteti i territ - ju thotë Jezusi. Pas këtyre fjalëve e gjithë kjo tufë ujqërisht hidhen mbi Qengjin e butë duke e shqyer si kush nga njëra anë e kush nga ana tjetër. I lidhin duart e tija të shenjta që vetëm pak përpara kishte bërë mrekulli. Oh sa keq e kanë trajtua, sa të këqijat ia kanë thënë dhe i kanë bërë! Të gjithë e godasin me radhë.
Këta njerëz me gojën e tyre djallëzorë e mbulonin me pështyma fytyrën e Tij hyjnore. O përvujtëri e mrekullueshme dhe duresë e Birit të Hyjit a thua është fytyra e jote një fytyrë për tu pështyrë. Atëherë Pilati duke parë se nuk mund ta qetësojë tërbimin e këtyre bishave djallëzorë vendosi që Jezusi të frushkullohet me shpresë se ndoshta kjo do të mjaftoj për të qetësuar zemërimin e tyre. Jezusi i lejon pa e hap gojën që ta zhveshin dhe ta lidhin për shtyllë në mënyrë që të mund ta rrahin sipas dëshirës së tyre. E kur e lidhin, ata fillojnë me një egërsi të madhe të bien mbi trupin e shenjtë të Jezusit, derisa e bëjnë plagë plagë dhe mbulohet krejt me gjak. Po me gjak janë duart e atyre që e rrahin, kamxhikët dhe shtylla në të cilën është i lidhur.
Pastaj a thua se nuk mjafton ajo rrahje aq e tmerrshëm dhe gjithë ai Gjak i derdhur për tokë, por duhet edhe kurora me ferra në krye të Jezusit? Po këta njerëz të paaftë për mëshirë i vendosin Jezusit një kurorë ferrash në krye, i japin një kallam në dorë, e veshin me një mantel të kuq dhe duke e goditur e përqeshin e tallen me të. Jezusi duke qenë mbret i qiellit, bëhet mbret i dhimbjes dhe i poshtërimit.
Me të përfunduar kurorëzimi me ferra Gjykatësi i padrejtë e merr Jezusin ashtu të plagosur e të përgjakur dhe e paraqet para popullit e thotë: ja Njeriu(Gjn 19, 5)
Ja Njeriu- që ka ardhur jo për ta heq dhimbjen, as për të na dhënë një doktrinë mbi vuajtje, por ka ba diçka më shumë, ka bërë diçka që duket çmenduri hyjnorë. Ka ardhë me bashkënda, me marrë pjesë dhe me marrë mbi vetë dhimbjet e mëkatet e të gjithë njerëzve. Ja Njeriu që: Kaifa e trajton si heretik, Herodi si të dal mendsh, Pilati e njeh si të pafajshëm, por e frushkullon për vdekje, Ushtaret si qesharak. Pleqt pështyjnë mbi ta, Kryeprifterijt dhe Anëtarët e sinedrit i bien me shputa. Pjetri betohet dhe përbetohet se nuk e ka njohur kurrë, turma preferon Barnaben. Miqtë janë fsheh, kushedi ku...
E Jezusi hesht. Këtu nuk dëgjohet asnjë zë në favor të drejtësisë. Ai që nuk kishte ardhur për ta dënuar boten por që ta shpëtojë, tani dënohet nga të gjithë. Ai që ishte i destinuar të jetë Emanueli, hiqet nga mesi i tyre në mënyrë brutale.
Kryqëzoje, kryqëzoje, Pilati lan duart dhe Jezusi e dorëzoi vullnetit të tyre.
Të gjithë marrin atë që duan. Kryepriftrit dhe pleqtë dënimin e mbretit të Judesë, turma Baraben, Juda dinarët, dishepujt gjumin, ushtaret kënaqësinë argëtuese, Pilati duart e pastra. Edhe Ati ka marre atë që ka dashur: Bindjen e Birit.
Ndërsa Jezusi ka marrë çdo gjë që të tjerët kanë dashur.
E kështu njerëzimi merr provën më të pabesueshme të dashurisë.
Tashmë Kryqi është gati dhe Jezusi nuk e refuzon këtë peshë në të cilin ishin të gjitha mëkatet tona, përkundrazi e përqafon. E kështu me atë peshë të tmerrshme mbi shpatulla, me kurorë ferrash në krye, e trupin e mbuluar me plagë fillon ecjen Ai, Izaku i pafajshëm drejt vendit të flijimit. Jezusi ecën drejt malit të Kalvarit, i shoqëruar nga armiqtë dhe i braktisur nga miqtë, i persekutuar nga hebrenjtë, i përqeshur nga ushtarët, i përbuzur nga kryepriftërinjtë, i dënuar nga mbreti i padrejtë, i akuzuar padrejtësisht dhe i përjashtuar nga çdo ndihmë njerëzorë. Ecën pas të Birit edhe Virgjëra e shenjtë. Dëshira për ta parë Jezusin ia jep forcën të cilën dhimbja ia heq. Janë edhe pikat e gjakut të trupit të Birit, që Nënës ia tregojnë rrugën dhe e udhëheqin pa pasur nevojë që dikush ti thotë: bjeri këndej apo andej.
Kur mbërrin Shpëtimtari në vendin e Kryqëzimit këta armiq të mbrapshtë ia heqin dhunshëm të gjitha veshjet e Tija. E Jezusi me butësi, pa hap gojën vet, i lejon ta zhveshin. Disa Eter të Kishës thonë se: duke ja hequr Zotit veshjen ja kanë hequr edhe kurorën me ferra dhe pastaj ia vendosin duke i shkaktuar përsëri dhimbje.
Qengji hyjnorë shtrihet mbi shtratin e vdekjes, iu shtrinë duart kryqëzuesve dhe Atit të amshuar i paraqet flinë e madhe të Jetës së Tij për shpëtimin e njerëzimit.
E kryqëzojnë Zoti Tonë, Jezu Krishti, e çfarë dhimbje kur ato gozhda kanë depërtuar në duart e këmbët e Jezusit. E kryqëzojnë dhe e lartësojnë në Kryq. Jezusi njeri i vërtetë dhe Hyj i vërtetë i varur mbi një Kryq. Në kryq është mbishkrimi: “Jezus Nazareni, mbreti i Judenjve. Po ky fron dhimbjesh, këto duar të gozhduara, ky krye i kurorëzuar me ferra, tregojnë mirë se Ti Jezus je mbret, por ama mbret i dashurisë.
O Zot Jezu Krisht, i kryqëzuar për mua, unë vij para Teje me zemër të përulur dhe të penduar. Shikoj duart e Tua të shporuara dhe kuptoj sa shumë më ke dashur, edhe kur unë kam qenë larg Teje. Shikoj plagët e Tua dhe mësoj se dashuria e vërtetë nuk shmang dhimbjen, por e shndërron atë në shpëtim.
Në këtë Premte të Madhe, të lutem më mëso të qëndroj pranë Teje pa frikë.
Kur unë vuaj, më kujto vuajtjen Tënde. Kur unë bie, më ngrit me shpresën që buron nga Kryqi. Më jep një zemër të re, të butë, të përvujtë dhe të aftë për të dashur si Ti.
Në heshtjen e Kryqit, unë të dorëzoj gjithçka që jam. Në duart e Tua, e vendosi jetën time, të kaluarën time dhe të ardhmen time. Amen.