“Shko lirisht në shtëpi se feja jote të shpëtoi!”
12 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“Shko lirisht në shtëpi se feja jote të shpëtoi!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT- Mk 7, 24 – 30
Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Tirit. Hyri në një shtëpi e dëshironte të mos e dijë kush, por nuk mundi të mbetej i fshehur. Sepse menjëherë e mori vesh një grua, vajza e së cilës kishte në trup shpirtin e ndytë. Ajo erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij. Gruaja ishte pagane me prejardhje sirofenikase. I lutej ta dëbonte djallin prej vajzës së saj. Ai i tha: “Prit njëherë të ngihen fëmijët, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve.” Ajo u përgjigj: “Po, Zotëri! Por, edhe këlyshët hanë nën tryezë dromcat e fëmijëve!” Ai iu përgjigj: “Shko lirisht në shtëpi se, në saje të kësaj fjale, djalli doli prej vajzës sate!” Ajo shkoi në shtëpi dhe e gjeti fëmijën në shtrojë. Djalli kishte dalë.
Në këtë Ungjill shohim një grua që, sipas gjykimit njerëzor, nuk kishte asnjë të drejtë të afrohej tek Krishti. Ajo ishte pagane, e huaj, dhe jashtë popullit të zgjedhur të Zotit. Dhe megjithatë, ajo guxoi të trokasë në derën e mëshirës. Kjo grua para Jezusit nuk sjellë me vete merita, as ligj, as traditë. Por sjellë vetëm zemrën e saj të plagosur nga dashuria për vajzën.
Ajo me zemër plot dhimbje, përulet para Jezusit dhe i lutej ta dëbonte djallin prej vajzës së saj. Jezusi fillimisht hesht, pastaj përgjigjet me fjalë të forta. Me të vërtetë, përgjigjja e Jezusit duket mjaft e ashpër. Ai i thotë: “Nuk është e drejtë t’u merret buka fëmijëve e t’u hidhet qenve”. Sigurisht, të dashur dëgjues, se këtë përgjigje të Jezusit nuk duhet ta kuptojmë si mungesë dashurie ndaj Gruas, por Jezusi përdor këtë mënyrë për të nxjerrë në dritë thellësinë e besimit të saj.
Para Jezusit që i përgjigj lutjes saj në këtë mënyrë, gruaja nuk zemërohet, nuk ofendohet, nuk kundërshton me krenari, nuk largohet, as nuk dorëzohet. Por vazhdon duke u përkulë edhe më fort. Ajo i përgjigjet Jezusit me inteligjencë shpirtërore dhe me një besim të thellë: “Edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza.” E dimë, të dashur dëgjues, se thërrimet nuk janë mbetje, por janë pjesë reale e bukës. Kështu gruaja beson se: edhe një “copë” e hirit të Jezusit është e mjaftueshme për lirimin e vajzës së saj, pra tregon një përvujtëri të thellë dhe një besim të fortë e të pastër.
Kjo fe e përulur, që nuk pretendon, por shpreson fort e prek zemrën e Jezusit.
Atëherë Jezusi i thotë fjalën që ndryshon gjithçka. Ai i thotë gruas:
“Për këtë fjalë që the, shko; djalli ka dalë nga bija jote.” Ja, besimi i nënës që sjell çlirimin për vajzën e sajë. Në këtë mënyrë të dashur dëgjues, kjo grua bëhet një shembull ekzemplarë i lutjes këmbëngulëse, me përvujtëri dhe pa pretendime.
Gruaja na mëson të gjithëve se besimi i vërtetë hap edhe dyert që duken të mbyllura.
Ungjilli i sotëm na bën të reflektojmë dhe ta pyesim vetën:
Po ne, a dorëzohemi kur na duket se lutja jonë duket nuk po pranohet?
O Jezus i mirë, të lutem na jep hirin e lutjes këmbëngulëse, që nuk dorëzohet në heshtje, dhe nuk lëkundet në pritje. Na jep një zemër që di të përkulet pa u thyer, dhe që beson edhe kur përgjigjja vonon.
Të lutem Jezus largoje prej nesh krenarinë, dhe na jep përulësinë që hap dyert e hirit. Amen.