Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje!
29 Maj 2026
UNGJILLI I DITES
“Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje!”
MEDITIM PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT- Mk 11, 11-25
Ungjilli i sotwm fillo: 11 Jezusi hyri në Jerusalem, në Tempull, shikoi çdo gjë dhe, pasi dita ishte në të sosur, shkoi me të Dymbëdhjetët në Betani. 12 Të nesërmen, kur dolën prej Betanisë, Jezusi ishte uritur. 13 Prej së largu pa një fik me gjethe, shkoi për të gjetur ndonjë kokërr në të. Por, kur iu afrua, nuk gjeti në të asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve. 14 Atëherë i tha: “Askush mos ngrëntë kurrë e për këtë jetë më fryt prej teje!” Nxënësit e tij i dëgjuan këto fjalë. 15 Dhe arritën në Jerusalem.
Dëgjuam se Jezusi hyn në Tempull dhe shikon çdo gjë. Tempulli kishte ruajtur strukturën, ceremonitë fetare, por kishte humbur frytin e vërtetë: drejtësinë, lutjen dhe dashurinë ndaj Hyjit dhe menjëherë Ungjilltari na sjell episodin e fikut me gjethe pa kokrra. Në traditën hebraike, fiku shpesh simbolizon jetën shpirtërore dhe besnikërinë ndaj Besëlidhjes me Hyjin. Vazhdon Ungjilli duke thënë se Jezusi ishte uritur dhe prej së largu pa një fik me gjethe, shkoi për të gjetur ndonjë kokërr në të, por nuk gjeti. Sipas Shën Augustinit, fiku përfaqësonte popullin që kishte Ligjin, Tempullin dhe praktikat fetare, por nuk sillte frytin e drejtësisë. Gjethet simbolizonin pamjen e jashtme të devotshmërisë, ndërsa mungesa e frytit tregonte mungesën e dashurisë dhe bindjes ndaj Zotit. Të dashur dëgjues, ashtu si iu afrua fikut, Jezusi i afrohet edhe secilit prej nesh për të kërkuar fryte në jetën tonë: një besim të gjallë, dëgjimin e Fjalës së Tij dhe kthimin e zemrës. Pra nuk mjafton vetëm të shkojmë në Kishë, nuk mjafton vetëm të “dukemi” si besimtarë të mirë. Krishti nuk kërkon nga ne shkëlqimin e gjetheve, por ëmbëlsinë e frytit që lind nga dashuria e jetuar në përditshmëri. Një pemë pa fryt është figura e shpirtit që jeton vetëm për sy të botës.
Atëherë Jezusi tha: “Askush mos ngrëntë kurrë e për këtë jetë më fryt prej teje!” Sigurisht, ky nuk është akt zemërimi njerëzor, por është një paralajmërim se zemra e besimtarit, kur largohet prej Zotit, thahet “me gjithë rrënjë”, pasi humbet lidhjen me burimin e jetës. Në këtë kuptim, fiku i tharë bëhet figurë e çdo shpirti që mbetet i mbyllur ndaj hirit hyjnor dhe rrjedhimisht nuk jep më fryte për jetën e përjetshme.
Menjëherë pas kësaj: 15Jezusi hyn në Tempullin e Jerusalemit dhe filloi t’i dëbojë ata që shitnin e blenin në Tempull. Ndërruesve të të hollave ua përmbysi tavolinat e shitësve të pëllumbave ua rrëzoi bankat. 16 Askënd s’la të mbartë ndonjë gjë nëpër Tempull. 17 I mësonte dhe u thoshte: “Po, a nuk thotë Shkrimi i shenjtë: ‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje për të gjithë popujt?’e ju e bëtë shpellë cubash!” 18 Kur dëgjuan kryepriftërinjtë e skribët, kërkonin mënyrën si ta vrisnin; por e druanin, sepse populli mbarë ishte i ngazëlluar me mësimin e tij. 19 Kur u bë natë, Jezusi e nxënësit po dilnin jashtë qytetit. Jezusi është Zoti i Tempullit, dhe Ai ka plotësisht të drejtë ta pastrojë shtëpinë e Atit të Tij. Në fakt, shpesh theksohet se njerëzit habiten kur shohin Jezusin duke përmbysur tavolinat, sepse janë mësuar me një imazh të Jezusit vetëm “të qetë”. Por duhet ta kemi të qartë se zemërimi i Jezusit nuk është zemërim njerëzor i pakontrolluar, por “zemërimi i shenjtë” i dashurisë së Hyjit për atë që është e shenjtë. Ekziston një dallim i madh midis zemërimit egoist të njeriut dhe zellit hyjnor që lind nga dashuria për njeriun. Prandaj ky episod na tregon se dashuria e vërtetë nuk është indiferente. Në dimensionin shpirtëror, R. Cantalamessa e lidh këtë pjesë edhe me nevojën për një “pastrim të zemrës”. Tempulli i ri është zemra e të pagëzuarit. Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Çfarë ndodhte në Tempullin e Jerusalemit?”, por: “Çfarë po ndodh në tempullin e brendshëm të zemrës sime?” Edhe zemra jonë mund të mbushet me “tregtarë”: egoizëm, krenari, indiferencë, dëshirë për t’u dukur. Në këtë mënyrë tempulli i zemrës sonë bëhet “shpellë cubash”. Prandaj, ndonjëherë Jezusi duhet të “përmbysë tavolinat” edhe në jetën tonë. Kjo mund të jetë e dhimbshme. Por nuk është ndëshkim, është dashuri.
Dëgjuam edhe se: 20 Kur, në mëngjes, kaluan andej, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë. 21 Atëherë Pjetrit i ra ndër mend e i tha: “Rabbi, shiko! Qenka tharë fiku që ti nëme!” 22 Jezusi mori fjalën e u tha: “Kini besim në Hyjin! 23 Përnjëmend po ju them: nëse ndokush i thotë këtij mali: ‘Çohu dhe hidhu në det!’ ‑ e nuk dyshon në zemrën e vet, por beson se do të ndodhë siç thotë, ashtu do t’i ndodhë! 24 Prandaj po ju them: çkado që të kërkoni me lutje, besoni se e morët, e do ta fitoni me siguri. 25E, kurdo të ngriteni për t’u lutur, falni nëse keni ndonjë gjë kundër ndokujt, që Ati juaj që është në qiell, t’jua falë edhe juve fajet.”
Me pastrimin e Tempullit dhe tharjen e fikut Jezusi po kalon nga një fe e jashtme në një besim të gjallë e personal. Tempulli i vërtetë tani është zemra që beson. Mali që “hidhet në det” simbolizon pengesat shpirtërore që duken të pamundura në jetën tonë: krenaria, frika, mëkati, dëshpërimi, plagët e së kaluarës, mungesa e shpresës. Ungjilli na siguron se besimi i gjallë mund t’i lëvizë këto male, sepse ai e lidh njeriun me fuqinë e Hyjit.
Një aspekt shumë i rëndësishëm në Ungjillin e sotëm është edhe lidhja mes lutjes dhe faljes. Jezusi thotë: “Kurdo të ngriteni për t’u lutur, falni…” Ashtu si Hyji fal pa masë, edhe i krishteri duhet të mësojë të çlirohet nga hidhërimi dhe hakmarrja. Falja është shenjë e një zemre që është e prekur nga dashuria e Hyjit.
O Zot Jezus, pastroje zemrën time si tempullin Tënd. Largo prej meje çdo gjë që nuk jep fryt dhe më mëso të jetoj në besim, në dashuri dhe në falje. Amen.