Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak!
07 KORRIK 2026
UNGJILLI I DITES
“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT- (Mt 9, 32-38)
Në atë kohë, ia sollën Jezusit një memec të djallosur. Pasi e nxori djallin, memeci foli. Njerëzit të mrekulluar, thoshin: "Kurrë s'u pa një gjë e tillë në Izrael!" Ndërsa farisenjtë thoshin: "Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve." Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë. Kur e pa turmën e popullit, ndjen dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. Atëherë u tha nxënësve të vet: "Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta."
Ungjilli i sotëm, të dashur dëgjues, na zbulon zemrën e Jezusit dhe njëkohësisht na ndihmon të kuptojmë gjendjen e shpirtit tonë. Që në rreshtat e parë tregohet për një njeri memec, i cili nuk mund të flasë sepse është nën pushtetin e djallit. Në mentalitetin biblik, të folurit nuk është thjesht vetëm një aftësi fizike; është edhe aftësia për të hyrë në marrëdhënie me Zotin dhe me njerëzit. Në fakt, memecëria e këtij njeriu është një pasqyrë e gjendjes shpirtërore të shumë njerëzve. Sa herë mëkati, frika, plagët e zemrës dhe pushteti i së keqes e bëjnë njeriun të humbasë zërin e tij para Zotit. Sa njerëz sot nuk mund të luten, nuk mund të rrëfejnë mëkatet e tyre! Sa njerëz nuk arrijnë të falin, as nuk arrijnë të shprehin dashurinë! Kanë një zemër që dëshiron të flasë, por diçka i mban të lidhur. Shën Ambrozi thotë: djalli gjithmonë përpiqet ta bëjë njeriun të heshtë përballë Zotit. Ai nuk ka frikë aq shumë nga inteligjenca jonë apo nga forca jonë, sa ka frikë nga një zemër që lutet dhe e lavdëron Zotin. Prandaj, gjëja e parë që përpiqet të bëjë armiku është t’ia mbyllë njeriut zemrën dhe gojën. Ai na shtyn të besojmë se lutja nuk ndryshon asgjë dhe se Zoti nuk i dëgjon britmat e zemrës sonë. Na tregon Ungjilli se Jezusi e nxori djallin dhe memeci foli. Po, takimi me Krishtin na rikthen lirinë.
Pas mrekullisë që Jezusi bën, shfaqen dy reagime krejtësisht të ndryshme. Turma mrekullohet dhe thotë: "Kurrë s'u pa një gjë e tillë në Izrael!". Ndërsa farisenjtë akuzojnë e thonë: "Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve." Zemra e hapur sheh veprën e Zotit; zemra e mbyllur gjen një arsye për ta refuzuar atë. Farisenjtë nuk mund ta mohojnë mrekullinë. Por krenaria nuk i lejon të pranojnë se Jezusi vjen prej Hyjit. Edhe ne, të dashur dëgjues, mund të biem në të njëjtin kurth. Ndonjëherë Zoti vepron para syve tanë, por ne vazhdojmë të dyshojmë sepse veprimi i Tij nuk përputhet me pritshmëritë tona. Është domethënëse që, përballë akuzave të farisenjve, Jezusi nuk u zemërua as nuk u shkurajua, por vazhdoi me besnikëri misionin që Ati i kishte besuar. Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre, predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë. Ungjilltari e përmbledh veprën e Jezusit në tre veprime: mësonte, predikonte, shëronte. Jezusi mëson, sepse mendja ka nevojë për dritë. Jezusi predikon, sepse zemra ka nevojë për shpresë. Jezusi shëron, sepse natyra njerëzore ka nevojë për mëshirë. Krishti nuk është vetëm mësues, as vetëm profet, as vetëm mjek. Ai është Shpëtimtari i njeriut në tërësinë e tij, të trupit dhe të shpirtit.
Vazhdon Ungjilli duke treguar se Jezusi: Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të... Jezusi nuk e shikon turmën me indiferencë, as me gjykim, por me një shikim të mbushur me dashuri, dhembshuri dhe mëshirë. Ai sheh përtej pamjes së jashtme. Sheh zemra të lodhura nga pesha e jetës, sheh plagët që askush tjetër nuk i njeh. Sheh dhimbjen dhe vetminë që jetojmë në thellësinë e shpirtit, prandaj Jezusi ndjen dhimbje.
Më pas Ungjilli thotë se: ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pas dore si delet pa bari. Një dele pa bari humbet lehtë drejtimin. Nuk di ku të gjejë ushqim, nuk di ku të kërkojë siguri dhe rrezikon të humbasë. Dhe pikërisht kjo është edhe gjendja e njeriut kur largohet nga Hyji. Mund të ketë pasuri, dije, sukses apo pushtet, por nëse nuk është me Bariun e shpirtit, mbetet i humbur. Koha jonë e dëshmon këtë, sepse kurrë nuk kemi pasur kaq shumë mjete komunikimi dhe megjithatë ka kaq shumë vetmi. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë njohuri dhe megjithatë ka kaq shumë pasiguri. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë mundësi dhe megjithatë brenda shumë zemrave ka një boshllëk të thellë.
Në fund të Ungjillit të sotëm, Jezusi thotë: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak.” Të korrat janë shpirtrat që Hyji dëshiron t’i shpëtojë. Janë njerëzit që kërkojnë të vërtetën, që presin një fjalë shprese, janë ata që vuajnë në heshtje dhe në vetmi. Ndërsa punëtorët janë barinjtë, predikuesit dhe të gjithë ata që, me jetën dhe fjalën e tyre, i udhëheqin të tjerët drejt Krishtit. Në të vërtetë, çdo i krishterë është i thirrur të bëhet punëtor në arën e Zotit. Në familje, në vendin e punës, në bashkësi dhe në jetën e përditshme, ne mund të jemi dëshmitarë të Krishtit përmes dashurisë, durimit, faljes dhe shembullit tonë. Prandaj Jezusi edhe thotë: “Lutjuni, pra, Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.” Ai nuk thotë: “Organizohuni më mirë.” Nuk thotë as: “Gjeni metoda më moderne.” Ai thotë: “Lutuni.” Lutja është frymëmarrja e misionit; nëse mungon lutja, misioni rrezikon të shndërrohet në aktivizëm të zbrazët.
O Jezus, Ti që e çlirove memecin dhe i ktheve të folurit, mw çliro edhe mua nga gjithçka që ma mbyll zemrën para Teje. Shëroi plagët e mia, forcoje besimin tim dhe më jep hirin të të flas me besim, të të lavdëroj me gëzim dhe të jetoj në lirinë e bijve të Hyjit. Amen.