Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!

09 SHTATOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKES- (Lk 6, 20-26)

Në atë kohë, Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte: “Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni! Të lumët ju që tani qani, sepse do të qeshni!  Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre, kur do t’ju poshtërojnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut! Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell. Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët! Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj!  Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri! Vaj për ju që tani qeshni, sepse do të vajtoni e do të qani!  Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na sjell një nga faqet më të fuqishme të mësimit të Jezusit: Lumturitë. Jezusi i çon sytë mbi nxënësit e vet dhe thotë: “Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni! Të lumët ju që tani qani, sepse do të qeshni!” (Lk 6,20-21)

Pastaj Jezusi thotë edhe disa fjalë të forta: “Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj!” (Lk 6,24) Në pamje të parë, këto fjalë duken të kundërta me mënyrën se si mendon bota. Bota thotë: lum ai që ka shumë, që është i fortë, i admiruar, i suksesshëm dhe që nuk ka nevojë për askënd. Jezusi, përkundrazi, na tregon një rrugë tjetër: lumturia e vërtetë nuk gjendet te ajo që zotërojmë, por te marrëdhënia jonë me Hyjin.

Kur Jezusi thotë: “Të lumët ju, o skamnorë”, nuk po lavdëron mjerimin, urinë apo vuajtjen. Ai nuk dëshiron që njeriu të jetojë në varfëri e padrejtësi. Jezusi është gjithmonë në anën e të dobëtit dhe të vuajturit. Por “i varfër” në kuptimin shpirtëror është ai që e di se ka nevojë për Hyjin. Është ai që nuk mbështetet vetëm në pasurinë, forcën, inteligjencën apo suksesin e vet. I varfëri para Hyjit thotë: “O Zot, pa Ty nuk mundem. Kam nevojë për Ty.” Kjo është pasuria më e madhe e shpirtit. Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Sa kam?”, por: “Ku e kam vendosur shpresën time?”

“Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni!” -Jezusi flet edhe për ata që kanë uri. Kjo mund të jetë uria fizike, por edhe uria për drejtësi, për dashuri, për paqe dhe për Hyjin. Ka njerëz që kanë gjithçka, por janë të zbrazët në zemër. Dhe ka njerëz që kanë pak nga ana materiale, por kanë një zemër të pasur me besim, dashuri dhe shpresë. Jezusi premton: “Do të ngiheni.” Kjo është një fjalë shprese. Zoti nuk harron vuajtjen e fëmijëve të Tij.  Të dashur dwgjues, pasuria nuk është e keqe në vetvete, por bëhet e rrezikshme kur e mbyll zemrën ndaj vëllait që ka nevojë. Prandaj, nëse kemi më shumë, pyetja është: A di ta ndaj atë që kam? Një shtëpi mund të jetë e madhe, por zemra mund të jetë e vogël. Një shtëpi e thjeshtë mund të jetë e varfër në pasuri, por e madhe në dashuri.

“Të lumët ju që tani qani, sepse do të qeshni!”- Jezusi nuk thotë se të qash është gjë e mirë në vetvete. Por Ai u jep shpresë atyre që vuajnë. Sa njerëz sot qajnë në heshtje! Dikush qan për një fëmijë që është larg. Dikush për një sëmundje. Dikush për humbjen e një personi të dashur. Dikush për një martesë të plagosur. Dikush për një mëkat që nuk arrin ta kapërcejë. Jezusi nuk thotë: “Mos qaj.” Ai thotë: “Lotët e tu nuk janë të padukshëm për Hyjin.” Në kryq, vetë Jezusi hyri në thellësinë e vuajtjes njerëzore. Prandaj askush nuk mund të thotë se Hyji nuk e kupton dhimbjen tonë. Zoti e sheh lotin e njeriut të penduar si shenjë të një zemre që po kthehet te Hyji. Lotët mund të bëhen lutje.

Pastaj Jezusi vijon: “Vaj për ju, o të pasanikë…” “Vaj për ju që tani jeni të ngopur…” “Vaj për ju që tani qeshni…” “Vaj për ju kur të gjithë njerëzit ju lavdërojnë…” Jezusi nuk po dënon pasurinë, gëzimin apo respektin e njerëzve. Ai po paralajmëron për rrezikun e një zemre që vetë-mjaftohet vetëm me gjërat e kësaj bote dhe harron Hyjin. Pasuria bëhet problem kur na bën të mendojmë se nuk kemi nevojë për Zotin. Ngopja bëhet problem kur nuk ndiejmë më uri për drejtësi. Gëzimi bëhet problem kur qeshim duke harruar lotët e të tjerëve. Dhe fama bëhet rrezik kur jetojmë vetëm për të kënaqur njerëzit. Njeriu duhet të përdorë të mirat e kësaj bote pa lejuar që ato ta zotërojnë zemrën e tij. Pra, Jezusi nuk na kërkon të urrejmë të mirat materiale. Ai na mëson të mos bëhemi skllevër të tyre.

Ungjilli i sotëm na mëson një të vërtetë shumë të rëndësishme: lumturia e krishterë nuk është mungesa e problemeve, por prania e Hyjit në jetën tonë. Mund të kemi sprova dhe përsëri të kemi paqe. Mund të kemi pak pasuri dhe përsëri të jemi të pasur në dashuri. Mund të qajmë dhe përsëri të kemi shpresë. Mund të jemi të harruar nga njerëzit dhe përsëri të jemi të njohur e të dashur nga Hyji.

Të dashur dëgjues, sot Jezusi na fton të shohim jetën në pasqyrë me sytë e Ungjillit dhe jo vetëm me sytë e botës. Mos e mat jetën vetëm me atë që ke në bankë, me shtëpinë, me pozitën, me suksesin ose me mendimin e njerëzve.

Le ta pyesim veten: A kam Hyjin? A kam dashuri? A kam një zemër që di të falë? A di të bashkëndaj? A kam shpresë? Sepse në fund, këto janë thesaret që kanë vlerë para Hyjit. Lum ai që e ka zemrën e varfër përpara Zotit. Lum ai që nuk e humb shpresën në vuajtje. Lum ai që qan, por vazhdon të besojë. Lum ai që ka pasuri, por nuk lejon që pasuria ta sundojë. Lum ai që jeton me Krishtin, sepse Mbretëria e Hyjit është thesari që nuk mbaron kurrë.

Lutja

O Jezus, më mëso të jem i varfër në shpirt, që ta kuptoj se pasuria ime më e madhe je Ti. Kur të kem uri, më jep shpresë; kur të qaj, më jep ngushëllimin Tënd; kur të kem shumë, më jep një zemër që di të ndajë; dhe kur bota më premton lumturi pa Ty, më ruaj nga mashtrimi. Bëj që të kërkoj gjithmonë Mbretërinë Tënde dhe të jetoj me një zemër të lirë, të mëshirshme dhe të mbushur me dashuri. O Zot, bëj që lumturia ime të mos varet nga ajo që kam, por nga dashuria që marr dhe jap në Ty. Amen.