Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!
29 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITËS
“Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 16, 13-19)
Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”. Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.” “Po ju u tha atyre ç’thoni: kush jam unë?”. Iu përgjigj Simon Pjetri:
“Ti je Mesia Biri i Hyjit të gjallë!”. Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!
Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”
Ungjilli i sotëm na çon në rajonin e Cezarisë së Filipit, ku Jezusi u drejton nxënësve një pyetje vendimtare: “Po ju, kush thoni se jam unë?” Kjo pyetje nuk është vetëm për Apostujt; ajo jehon në çdo kohë dhe i drejtohet çdo besimtari. Kjo pyetje na drejtohet edhe neve të dashur dëgjues: “Po ju, kush thoni se jam unë?”. Feja e krishterë nuk fillon me një ide apo me një moral, por me takimin personal me Jezu Krishtin dhe me përgjigjen që secili i jep kësaj pyetjeje.
Pas mendimeve të ndryshme rreth identitetit të Tij, është Simon Pjetri ai që shpall: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë.” Ky është kulmi i kësaj pjese. Pjetri nuk flet thjesht nga arsyetimi njerëzor, por nga një dritë që i vjen prej Hyjit. Jezusi ia bën të qartë këtë kur thotë: “Nuk ta zbuloi as mishi e as gjaku, por Ati im që është në qiell.”
Kjo na kujton se feja është para së gjithash dhuratë. Njeriu mund të studiojë, të hulumtojë dhe të arsyetojë, por njohja e plotë e Krishtit lind nga hiri i Hyjit që vepron në zemër. Çdo rrugëtim shpirtëror fillon me këtë hapje ndaj zbulesës së Hyjit.
Pas këtij rrëfimi, Jezusi shpall: “Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time.” Në këtë fjali shohim origjinën hyjnore të Kishës, ashtu edhe misionin e veçantë që i besohet Pjetrit. Kisha nuk është një organizatë e krijuar nga njerëzit; ajo është vepër e Krishtit. Ai vetë është themeli i saj i padukshëm, dhe zgjedh ta ndërtojë atë mbi shërbimin apostolik të Pjetrit.
Shën Augustini shpjegon se shkëmbi lidhet ngushtë me fenë e shpallur nga Pjetri: Krishti është shkëmbi i vërtetë, dhe Pjetri bëhet shkëmb sepse qëndron i bashkuar me Krishtin. Kështu, forca e Kishës nuk buron nga aftësitë njerëzore, por nga besimi në Birin e Hyjit.
Jezusi shton: “As dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj.” Kjo nuk do të thotë se Kisha nuk do të përballet me sprova, përndjekje apo dobësi njerëzore. Por premtimi i Krishtit është se asnjë fuqi e së keqes nuk do ta shkatërrojë veprën e Tij. Kisha mbetet e qëndrueshme jo falë përsosmërisë së anëtarëve të saj, por falë besnikërisë së Zotit. Krishti i beson Pjetrit një shërbim të veçantë për të ruajtur bashkimin e popullit të Hyjit dhe për të mbajtur të lidhur në një fe të vetme të gjithë besimtarët.
Në fund, Jezusi i jep Pjetrit “çelësat e Mbretërisë së Qiejve” dhe pushtetin për të lidhur e zgjidhur. Në gjuhën biblike, çelësat simbolizojnë autoritetin dhe përgjegjësinë. Ky autoritet nuk është privilegj personal, por shërbim për të mirën e popullit të Hyjit. Ai është thirrje për të hapur dyert e Mbretërisë përmes predikimit të Ungjillit, faljes dhe udhëheqjes shpirtërore.
Kjo pjesw e Ungjillit na fton të kalojmë nga njohja sipërfaqësore e Jezusit tek një takim personal me Të. Nuk mjafton të dimë çfarë thonë të tjerët për Krishtin; por secili duhet t’i përgjigjet pyetjes së Tij me jetën e vet: Kush është Krishti për mua? Në të njëjtën kohë, na kujton se jemi pjesë e Kishës së ndërtuar nga Krishti dhe të thirrur të kontribuojmë në bashkimin, shenjtërinë dhe misionin e saj.
Le ta pyesim veten:
- Ku e kam vënë themelin e jetës sime? Në Krishtin apo në ndonjë gjë kalimtare të kësaj bote?
- A besoj në Krishtin si Mesia- i dërguari i Hyjin për Shëlbim tim dhe të mbarë botës?
- A e dua Kishën si Nënë time dhe a i jam i sigurtë se atë e drejton Krishti dhe se unë jam i thirrur ta mbroj, ta dua dhe të lutem për të?
Lutja:
O Zot Jezus Krisht, Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë, Shpëtimtari ynë dhe themeli i jetës sonë. Na jep hirin që, si Pjetri, të të njohim jo vetëm me mendje, por me zemër të ndriçuar nga Ati qiellor. Forcoje fenë tonë kur jemi të dobët, shtoje besimin tonë kur na pushton dyshimi dhe na bëj dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit Tënd.
Bekoje Kishën Tënde, ruaje në bashkim, shenjtëri dhe në të vërtetën tënde. Ndihmoji barinjtë e saj të shërbejnë me përvujtëri e besnikëri, dhe të gjithë besimtarët të jetojnë si gurë të gjallë të ndërtesës sate shpirtërore. Bëj që çdo ditë të mund të shpallim me fjalë dhe me vepra: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë.” Amen.