Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!

23 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT -(Mt 16, 13-20)

 

Në atë kohë, kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.” “Po ju – u tha atyre – ç’thoni: kush jam unë?” Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.” Atëherë u urdhëroi nxënësve që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na çon në krahinën e Cezarisë së Filipit. Jezusi, pasi ka kaluar shumë kohë me dishepujt e Tij, u drejton një pyetje shumë të rëndësishme: “Çfarë thonë njerëzit: kush është Biri i njeriut?” (Mt 16,13). Dishepujt japin përgjigje të ndryshme. Disa e konsiderojnë Jezusin si Gjon Pagëzuesin, të tjerë si Elinë ose një nga profetët. Edhe sot ka shumë mendime për Jezusin. Disa e shohin si një mësues të madh, të tjerë si një njeri të jashtëzakonshëm, një reformator apo një profet. Por Jezusi nuk ndalet tek mendimi i turmës. Ai ua drejton pyetjen personalisht dishepujve: “Po ju, kush thoni se jam unë?” (Mt 16,15). Kjo pyetje është e drejtuar edhe për secilin prej nesh. Nuk mjafton të dimë çfarë thonë të tjerët për Krishtin. Çdo i krishterë duhet të japë përgjigjen e vet personale.

Në emër të të gjithë dishepujve, Simon Pjetri përgjigjet: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë.” (Mt 16,16). Ky është një nga rrëfimet më të bukura të fesë në të gjithë Ungjillin. Pjetri nuk e sheh Jezusin vetëm si një mësues apo profet, por si Mesinë e premtuar dhe Birin e Hyjit. Jezusi i përgjigjet: “I Lumi ti,  o Simon, bir i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell.” (Mt 16,17). Besimi para së gjithash është një dhuratë. Ne nuk arrijmë ta njohim plotësisht Jezusin vetëm me arsyen tonë; është Ati qiellor që e hap zemrën tonë për ta pranuar Krishtin. “Pjetri foli në emër të të gjithë apostujve dhe rrëfeu misterin që Ati kishte zbuluar në zemrën e tij.” Edhe ne jemi të thirrur ta ripërtërijmë çdo ditë këtë rrëfim të fesë: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë.”

Pas rrëfimit të Pjetrit, Jezusi i beson një mision të veçantë: “Ti je Pjetër- shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time.” (Mt 16,18) Kisha nuk ndërtohet mbi fuqinë njerëzore, por mbi besimin në Krisht. Megjithatë, Jezusi zgjedh Pjetrin, me dobësitë dhe kufizimet e tij, për ta bërë shenjë të unitetit dhe të qëndrueshmërisë së Kishës. Kjo na jep shumë shpresë. Hyji nuk zgjedh njerëz të përsosur; Ai zgjedh njerëz të thjeshtë por që i forcon me hirin e Tij. Shën Augustini shkruan: “Pjetri quhet shkëmb jo për shkak të vetes, por sepse rrëfeu Krishtin, Shkëmbin e vërtetë.” Krishti është themeli i Kishës. Për këtë arsye Jezusi shton:

“As dyert e ferrit nuk do të nuk do të ngadhënjejnë mbi të.” (Mt 16,18) Këto fjalë janë një burim ngushëllimi për Kishën e çdo kohe. Pavarësisht sprovave, dobësive njerëzore dhe vështirësive të historisë, Krishti vazhdon ta mbrojë dhe ta udhëheqë Kishën e Tij.

Jezusi i jep Pjetrit edhe “çelësat e Mbretërisë së qiellit”, simbol i autoritetit dhe i shërbimit. Ky autoritet nuk është pushtet sipas logjikës së botës, por një shërbim për të ruajtur unitetin, për të shpallur Ungjillin dhe për të udhëhequr popullin e Hyjit drejt shpëtimit. Shën Leoni i Madh shkruan: “Ajo që Krishti i dha Pjetrit, vazhdon në Kishë për të mirën e të gjithë besimtarëve.” Prandaj ne jemi të ftuar të lutemi gjithmonë për Kishën, për Papën, për ipeshkvijtë dhe për të gjithë barinjtë, që të jenë shërbëtorë besnikë të Krishtit.

Në fund, Ungjilli na kthen përsëri te pyetja e Jezusit. “Po ju, kush thoni se jam unë?” Ndoshta kemi dëgjuar shumë herë për Krishtin, kemi marrë sakramentet dhe marrim pjesë në jetën e Kishës. Por pyetja mbetet gjithmonë e re: Kush është Krishti për mua? A është Ai vetëm një figurë e largët, apo është Zoti i jetës sime? A i besoj Atij në momentet e gëzimit dhe të vuajtjes? A e lejoj Fjalën e Tij të udhëheqë zgjedhjet e mia? Besimi nuk është vetëm njohuri, por një marrëdhënie personale me Krishtin. Shën Augustini thotë: “Ta njohësh Krishtin do të thotë ta duash Atë; dhe ta duash Atë do të thotë ta ndjekësh.”

Të dashur dëgjues, në një botë plot pasiguri, Jezusi mbetet Shkëmbi i sigurt mbi të cilin mund të ndërtojmë jetën tonë. Kur gjithçka duket se lëkundet, le të kujtojmë rrëfimin e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë.” Në këtë rrëfim gjendet shpresa jonë, forca jonë dhe gëzimi ynë.

Lutja.

O Jezus, Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë. Forcoje besimin tonë që, si Pjetri, të të rrëfejmë me guxim dhe dashuri. Na ndihmo ta ndërtojmë jetën tonë mbi Ty, Shkëmbin e vërtetë, që asnjë stuhi e kësaj bote të mos na largojë prej Teje. Bekoje Kishën Tënde, Papën dhe të gjithë barinjtë e saj, që të jenë gjithmonë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit. Na jep hirin të jetojmë çdo ditë si dishepujt e Tu dhe të arrijmë një ditë gëzimin e Mbretërisë sate. Amen.