“U afrua Mbretëria e Hyjit!”
14 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“U afrua Mbretëria e Hyjit!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKES -Lk 10, 1-9
Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër! Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’
Të dashur dëgjues dëgjuam se Jezusi: i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës dhe i dërgoi nga dy. Kuptohet qartë pra se Jezusi është Ai që zgjedh, që thërret dhe që dërgon, ndërsa nxënësit janë bashkëpunëtorë të Tij. Ju kujtoj edhe se numri 72 tregon hapjen universale të misionit të Jezusit. Në këtë mision, Ai dëshiron të jenë “dy e nga dy”, d.m.th. na mëson se Feja jetohet në bashkim, në mbështetje reciproke dhe në dëshmi të përbashkët. Para se ti dërgoj Jezusi ju thotë: Luteni të zotin e të korrave. Misioni pa lutje bëhet propagandë; lutja pa mision bëhet rehati shpirtërore. Vetëm ai që e lejon Zotin ta prek me hirin e Tij, mund ta prekë zemrat e tjerëve.
Jezusi atyre që i ka zgjedhë ju thotë: Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish!
Po, Jezusi i dërgon si qengja, sepse Ai Vetë është Qengji. Në lidhje me këtë Shën Gjoni Gojarti thotë: Krishti i dërgon dishepujt si qengja, që të tregojë se Ungjilli vepron jo me dhunë, por me butësi. Kush humbet butësinë, humbet edhe Ungjillin. Realisht butësia ungjillore është një forcë e brendshme, që refuzon dhunën edhe atëherë kur plagoset.
Pikërisht kjo është forca që i ndryshon zemrat. Edhe Tereza e Vogël thoshte: “Të duash kur nuk të duan, është të jesh qengj mes ujqërve.” Për shenjtën, ky është një martirizimi i vogël, por martirizim i vërtetë. Krishti nuk na dërgon për të fituar beteja, por për të dëshmuar dashurinë. Me siguri, Qengji mes ujqërve: ose shndërrohet në dëshmi dashurie, ose bëhet martir i heshtur i së vërtetës. Gjithsesi, në të dy rastet, Ungjilli fiton.
Gjithashtu të dashur dëgjues Jezusi nxënësve ju urdhëron edhe: Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet. Kjo nuk është vetëm një këshill praktike, por është një qëndrim shpirtëror. Është Pra një thirrje për tu mbështetur plotësisht në Zotin.
Me të vërtetë varfëria e shpirtit është hapësirë për tu mbushë me Zotin, dhe mundësi për të bërë misionin të lirë.
Vazhdon përsëri Jezusi duke thënë: Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po, nxënësi i Jezusit është i thirrur të jetë njeri i paqes dhe edhe bartës i paqes. Me siguri aty ku mbërrin i dishepulli i Krishtit me fjalë e paqes në buzë dhe me dashuri në zemër, aty edhe Jezusi është tashmë duke trokitur për të hyrë brenda.
Nëse ndolle që paqja nuk pranohet, nxënësi nuk zemërohet, por vazhdon rrugën, me liri dhe besim. Tëhuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’. d.m.th. thuaju njerëzve se Zoti është afër, thuaju se Zoti është me ty, se Zoti dëshiron të mbush me bekimet e Tija...
O Zot Jezus më ruaj qengj kur tundimi më shtyn të bëhem ujk.
Të lutëm bëjë zërin tim bekim, praninë time ngushëllim, dhe hapat e mi shenjë të afërsisë së Sate. Amen! O Mari shpresa e zemrës sonë, lutu për ne!