Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit

24 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 6, 52-59

 

 Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi‑shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?”  Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, ërnjëmend po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!  Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit.  Sepse trupi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë.  Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të.  Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua.  Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.”  Këtë mësim Jezusi e dha në sinagogën e Kafarnaumit.

 

Të dashur dëgjues, sot fillojmë reflektimin tonë mbi Ungjillin e ditës me një realitet shumë njerëzor: të gjithë ne kemi momente kur dëgjojmë diçka nga Jezusi dhe themi brenda vetes: “Po kjo është shumë e vështirë… kjo nuk ka kuptim...” Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh sot në Ungjill. Judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?”. Kjo pyetje disa herë është edhe pyetja e jona. Por ndoshta ne e bëjmë në mënyrë më të heshtur, e më të rafinuar: “Si mundet që Zoti të hyjë në jetën time konkrete? Në plagët e mia? Në varfërinë time? Në konfliktet e mia?” Dhe e shohim Jezusin që nuk përpiqet ta zbusë fjalën e Tij, nuk thotë: “Mos u shqetësoni, është vetëm një simbol.” Përkundrazi, e thellon bisedën edhe më shumë: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!”

Jezusi po shpall një mister që tejkalon arsyen, por që nuk e mohon atë. Ai lejon që njerëzit të përballen me misterin. Në fakt, besimi i vërtetë nuk ndërtohet mbi atë që është krejt e arsyeshme, por mbi atë që është e vërtetë. Në Mishërim, Hyji u bë i prekshëm. Ndërsa në Eukaristi, Hyji bëhet ushqim. Ne, të dashur dëgjues, mund të jemi të suksesshëm, mund të jemi të mirë dhe të bëjmë edhe vepra të mira… Por nëse nuk ushqehemi me Krishtin, na mungon diçka thelbësore. Na mungon jeta hyjnore brenda nesh. Kjo është një diagnozë. Është si një mjek që thotë: “Nëse nuk merr këtë ilaç, nuk do të jetosh.” Apo si një nënë që i thotë fëmijës: “Nëse nuk ushqehesh, nuk do të rritesh.” Zoti nuk përjashton. Ai paralajmëron. Ai dëshiron që ne të jetojmë. Sepse Eukaristia është ushqimi i shpirtit tonë. Zoti nuk ka frikë të bëhet i prekshëm, i brishtë, i varur nga duart tona. Mendoni pak, të dashur dëgjues: Zoti i universit bëhet një copë bukë që mund ta kemi në duart tona. Kjo është dashuri që çarmatos. Një Zot që nuk imponohet, por dorëzohet. Një Zot që nuk dominon, por kërkon të pranohet.

Jezusi nuk thotë: “Kush e kupton mësimin tim ka jetën e pasosur.” Ai thotë: “Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur.” Krishterimi nuk është para së gjithash një filozofi për t’u kuptuar, por një jetë për t’u jetuar, një bashkim për t’u përjetuar.

Vazhdon Jezusi: “Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua dhe unë në të.” Kjo është tronditëse… në kuptimin më të bukur të fjalës. Zoti i universit thotë: “Unë dua të jetoj në ty.” Jo vetëm të të ndihmoj. Jo vetëm të të udhëheq. Por të jetoj në ty. Kjo është shkalla më e lartë e bashkimit. Miqtë flasin. Familja ndan jetën. Por Jezusi ndan vetveten me ne duke jetuar në ne. Papa Françesku thotë: “Një nga rreziqet më të mëdha është të mësohemi me Eukaristinë. Të vijmë në Meshë pa habi, pa dëshirë, pa zemër.” Mos e humbni ndjenjën e mrekullisë! Sepse çdo herë që marrim Eukaristinë, ndodh diçka e jashtëzakonshme: Zoti hyn në jetën tonë. Dhe Ai na thotë: Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua. Ati është burimi. Biri jeton për Atin. Ne jetojmë për Birin. Të ushqehesh me Krishtin nuk është vetëm një akt devocioni. Është edhe një akt që na “fton” të marrim stilin e jetës së Tij. Dhe stili i Krishtit është: përvujtëria, shërbimi, falja, dhurimi total. Nuk mund të ushqehemi me Krishtin dhe të jetojmë kundër logjikës së Tij. Është një kontradiktë e dhimbshme: të marrim trupin e Krishtit dhe të jemi indiferentë ndaj të afërmve tanë. Nëse pas Kungimit ne nuk kemi më shumë dashuri për të tjerët, atëherë diçka mungon. Eukaristia na shtyn drejt të varfërve, drejt atyre që vuajnë, drejt atyre që janë të harruar. Mesha nuk përfundon me “Shkoni në paqe”. Ajo fillon aty. Altari vazhdon në familje, në punë, në rrugë. Me të vërtetë, një i krishterë i vërtetë që ushqehet me Krishtin nuk jeton vetëm për veten. Ai bëhet bukë për të tjerët. Edhe një nga shprehjet më të bukura të Etërve të Kishës ishte: “Bëhu ajo që merr.” Nëse marrim trupin e Krishtit, jemi thirrur të bëhemi trupi i Tij për botën.

 

O Jezus, Bukë e gjallë, hyr thellë në zemrën time dhe bëhu jeta ime. Ndize në mua mahnitjen dhe dashurinë për Ty dhe bëj që, i ushqyer me Ty, të bëhem bukë për të tjerët. Amen.