Unë dua të jetoj si bir i Atit që fal pa masë

10 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Unë dua të jetoj si bir i Atit që fal pa masë!”

 

MEDITIM PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT

Mt 18, 21-35

 

Ungjilli i sotëm na vë në pah një aspekt të rëndësishëm të dashurisë së krishterë: faljen. Hebrenjtë e Besëlidhjes së Vjetër e njihnin detyrën e faljes. Nëse dikush mban zemërim kundër një tjetri, si do të guxojë të kërkojë shërim prej Zotit? (Sir 28,2-3). Ajo që nuk ishte e qartë për Judenjtë ishte masa e faljes: sa herë duhej falur i afërmi? “Atëherë, Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: ‘Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?’ Jezusi iu përgjigj: ‘Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!’” Jezusi i thotë: fal gjithmonë. Kjo është masa me të cilën Zoti e fal secilin prej nesh. Kjo do të thotë se nuk mund të themi: këtë person e kam falur mjaft dhe tani jo më. I krishteri është thirrur të jetë njeri i mëshirës, jo i llogarive.

Për ta bërë më të kuptueshëm mësimin e vet, Jezusi tregon shëmbëlltyrën e dy borxhlinjve. Ai thotë: “Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi dhe ia fali detyrimin.”

Dhjetë mijë talenta: borxh i madh! Meqë nuk kishte mundësi ta paguante borxhin, ai i lutet zotërisë të ketë durim, t’i japë kohë, edhe pse e dinte se një jetë e tërë nuk do të mjaftonte për ta shlyer. Zotëria, i prekur nga dhembshuria, ia fal plotësisht borxhin. Mësimi është i qartë: nëse Zoti nuk i fal mëkatet tona, ne vetë nuk do të mundemi kurrë ta fitojmë shëlbimin e amshuar. Jezusi, Biri i Hyjit, vdiq në kryq që të paguante borxhin, të cilin e kishim ne ndaj Atit.

Por pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ Por ai nuk deshi; shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin. Kur shërbëtorët e tjerë, shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute.’

Jezusi e quan “shërbëtor i keq” sepse nuk e fali të afërmin e tij. Jezusi nuk na quan shërbëtorë të këqij pse kemi mëkatuar, sepse Zoti, në mëshirën e Tij, na fal çdo mëkat për të cilin pendohemi, por sepse nuk tregojmë mëshirë ndaj tjetrit. Kush ka përjetuar mëshirën e Hyjit, nuk mund ta mbajë zemrën e mbyllur ndaj vëllait.

Jezusi vazhdon: “A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?” Arsyeja e thellë, pra, pse duhet ta falim të afërmin është se Zoti na ka falur ne; dhe duhet ta bëjmë në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën masë si Zoti. Falja e Zotit nuk njeh kushte, nuk ndalet para asnjë mëkati dhe nuk përjashton asnjë mëkatar. Falja e krishterë buron nga fakti se Zoti na ka falur. Kjo shëmbëlltyrë lidhet me lutjen “Ati ynë”: “na i fal fajet tona, sikurse ne i falim…”. Falja që marrim është e lidhur me faljen që japim. “Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.” Kjo është drejtësi e shenjtë përballë padrejtësisë së shërbëtorit të pamëshirshëm. Kjo është edhe një paralajmërim serioz për pasojat e mos faljes. Shën Augustini e sheh këtë varg si figurë të gjykimit përfundimtar. Ai paralajmëron: nëse nuk falim, falja që kemi marrë “hiqet”, jo sepse Zoti ndryshon, por sepse ne dalim nga gjendja e hirit. Gjithashtu, torturues të vërtetë janë edhe ankthi, trishtimi, sëmundjet e ndryshme psikike dhe fizike, zemërimi dhe urrejtja, e cila është një torturuese e pamëshirshme, pasi bëhet edhe një derë e hapur për veprimin e djallit. Në këtë mënyrë, zemra jonë do ta humbë edhe dhuratën e madhe të lirisë, sepse do të jetë si e lidhur e si e burgosur. Prandaj, të falësh është sikur të lirosh një të burgosur nga burgu dhe pastaj ta kuptosh se ky i burgosur ishe ti. Kush refuzon të falë, herët a vonë, do të përfundojë viktimë e mosfaljes, sepse do të mbyllet në një botë vuajtjesh shumë më të mëdha. Mosfalja është dënimi më i rëndë që mund t’ia bëjmë vetvetes. Mosfalja është si të pish helm duke pritur që tjetri të vdesë. Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” Është e vërtetë se nganjëherë e keqja dhe vuajtja që të tjerët na i shkaktojnë është shumë e madhe dhe shumë e rëndë. Por është e vërtetë edhe se falja është e vetmja rrugë për të zbutur dhimbjen në zemrën tonë dhe për të përjetuar lirinë e shpirtit dhe për të përjetuar faljen e Hyjit. Të dashur dëgjues, të falësh nuk do të thotë të thuash se e keqja nuk ndodhi; nuk do të thotë as të pranosh padrejtësinë. Falje do të thotë: unë nuk do ta lejoj që urrejtja ta sundojë zemrën time. Unë dua të jetoj si bir i Atit që fal pa masë.

Përfundoj duke thënë se ne mund të jetojmë së bashku dhe mund të punojmë së bashku jo pse nuk gabojmë e nuk i shkaktojmë asnjë vuajtje njëri-tjetrit, por pse e duam dhe e falim njëri-tjetrin.

 

O Atë i mëshirshëm, Ti që na fale borxhin që s’mund ta shlyenim kurrë. Na çliro nga burgu i mosfaljes, nga ankthi, zemërimi dhe hidhërimi. Bëje zemrën tonë të lirë, të butë dhe të ngjashme me Zemrën Tënde. O Jezus, që në kryq fale edhe ata që të kryqëzuan, mësoje shpirtin tonë të thotë çdo ditë: “dua të fal, sepse jam falur.” Amen.