Unë e njoh Atë, sepse jam prej tij dhe Ai më dërgoi!
20 MARS 2026
UNGJILLI I DITES
“Unë e njoh Atë, sepse jam prej tij dhe Ai më dërgoi!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 7, 1-2.10.25-30
Pastaj Jezusi vazhdoi të përshkojë Galilenë. Nuk donte të shkojë në Jude, sepse judenjtë e kërkonin për ta vrarë. Ishte afruar festa e judenjve, ajo e Tëbanave. Pasi shkuan vëllezërit e tij në festë, shkoi edhe ai, jo ballafaqe, por si fshehtazi. Atëherë disa jerusalemas thanë: “Po a nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? Dhe ja, ky po flet ballafaqe dhe askush s’po i thotë gjë! A thua mos pranuan edhe krerët se është Mesia? Por këtë e dimë se prej nga është e, kur të vijë Krishti, askush s’do ta dijë se nga është.” Atëherë Jezusi, që po mësonte në Tempull, foli me zë të lartë: “Po, ju më njihni dhe e dini se nga jam! E pra, unë nuk erdha prej vetvetes: por është Një i Vërtetë që më dërgoi, të cilin ju s’e njihni. Unë e njoh Atë, sepse jam prej tij dhe Ai më dërgoi.” Që atëherë kërkonin ta zënë, por askush s’vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kish ardhur koha e tij.
Dëgjuam në Ungjillin e sotëm se Jezusi vazhdon të përshkonte Galilenë. Por nuk donte të shkonte në Jude, sepse judenjtë kërkonin ta vrisnin. Këtu fillon tensioni dramatik që do të rritet deri në “orën” e kryqit. Jezusi lëviz në një botë armiqësore, por nuk ndalet. Ai nuk vepron nga frika, por nga bindja ndaj planit të Atit. Nuk e shmang Judenë për të shpëtuar veten, por sepse ora e Tij ende nuk kishte ardhur. Në Ungjillin sipas Gjonit, “ora” është momenti i kryqit dhe i lavdisë, momenti kur dashuria e Hyjit zbulohet deri në fund. Shën Gjon Gojarti thotë se Krishti na mëson maturinë: nuk duhet të hidhemi në rrezik pa arsye, as të kërkojmë martirizimin për lavdi personale. Zoti na mëson të dallojmë kohën e veprimit dhe kohën e pritjes.
Tani është afër festa e judenjve, ajo e Tëbanave. Në këtë festë ata kujtonin shtegtimin në shkretëtirë dhe praninë e Hyjit në tendë. Jezusi është prania e vërtetë e Hyjit që “ngre tendën” mes njerëzve. (Gjn 1,14). Ata janë përballë Pranisë reale të Hyjit. Jezusi është përmbushja e asaj që festa simbolizon. Hyji, në Krishtin, është bërë i afërt me njeriun. Afërsia me Krishtin është një mrekulli e vërtetë për zemrën tonë.
Në këtë sfond Jezusi do të zbulojë identitetin e Tij. Ai shkon në festë, jo haptazi, por si fshehtazi. Jezusi nuk kërkon lavdinë njerëzore, shmang provokimin e panevojshëm; por, kur vjen momenti, flet me autoritet. Ai që është drita e botës hyn në festë në fshehtësi. Ai që është Fjala e përjetshme hyn në heshtje. Edhe në jetën tonë Ai vjen në heshtjen e sakramenteve, në fjalën e shpallur, në ndërgjegjen që dëgjon. Në heshtje lind feja e pjekur.
Siç e dëgjuam Ungjilli flet për dyshimet e popullit mbi identitetin e Jezusit.
Ata mendojnë se e njohin Jezusin sepse e dinë prejardhjen e Tij tokësore, por nuk depërtojnë në misterin e prejardhjes së Tij hyjnore. Krishti ka dy natyra: natyrën njerëzore dhe natyrën hyjnore. Ata shohin vetëm njërën dhe humbasin tjetrën.
Njeriu kur mendon se e njeh Zotin, ai e redukton në skemat e veta. Ndoshta mendojmë se “e njohim” Jezusin edhe prej faktit se kemi dëgjuar dhe lexuar shumë për Të. Por kjo nuk mjafton; është e domosdoshme të hyjmë në marrëdhënie personale dhe të vërtetë me Jezusin. Feja nuk lind nga informacioni, por nga zbulesa. Misteri i Krishtit kuptohet me zemër të hapur, jo vetëm me mendje.
Vazhdon Ungjilli: Atëherë Jezusi, foli me zë të lartë: Unë nuk erdha prej vetvetes: por është Një i Vërtetë që më dërgoi. Unë e njoh Atë, sepse jam prej tij dhe Ai më dërgoi.
Këtu Jezusi zbulohet si Biri i dërguar nga Ati. Ku dërgimi nuk nënkupton inferioritet, por mision dashurie. Gjithçka që Jezusi bën buron nga dashuria e Atit.
Identiteti i Jezusit pra vjen nga marrëdhënia e Tij e përjetshme me Atin. Ai jeton nga Ati dhe për Atin. Në këtë dritë kuptojmë se edhe identiteti ynë i vërtetë nuk buron nga suksesi, roli apo gjykimi i të tjerëve, por nga marrëdhënia jonë me Hyjin. Në Krishtin, edhe ne zbulojmë se jemi bij në Birin.
Mbyllet Ungjilli me fjalët: që atëherë kërkonin ta zënë, por askush s’vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kish ardhur koha e tij. Krishtin askush nuk mund ta prekë pa lejen e Tij. Ai do të dorëzohet vullnetarisht kur të vijë koha e Tij. Koha e dashurisë së plotë.
Dhe “Koha e Tij” është ora e Kryqit - momenti i lavdisë përmes sakrificës.
Kështu Plani e Hyjit Atë, realizohet nëpërmjet lirisë së Birit që dhuron vetveten.
Edhe në jetën tonë ekziston një “orë” e provës dhe e dorëzimit. Kush e njeh vërtet Atin, jeton pa frikë, sepse e di se çdo gjë është në duart e Tij.
O Jezus, Biri i dërguar nga Ati, bëje zemrën time Tendë ku Ti banon dhe zbuloje aty fytyrën e Atit. Kur të më vijë ora e provës, mbaje në paqe dhe më jep hirin të qëndroj në dashurinë Tënde. Amën!