Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit!
UNGJILLI I DITES
“Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT- Gjn 6, 51-58
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është trupi im ‑ për jetën e botës.”
Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi‑shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?” Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse trupi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.”
Në Ungjillin e sotëm Jezusi thotë: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit”, dhe shpall me forcë se kush ha këtë bukë do të jetojë për amshim. “E buka që unë do ta jap është trupi im për jetën e botës.” Në kulturën biblike buka është simboli i jetës. Hyji bëhet bukë që njeriu të jetojë. Në Mishërim, Hyji u bë i prekshëm. Ndërsa në Eukaristi, Hyji bëhet ushqim. Ne, të dashur dëgjues, mund të jemi të suksesshëm, mund të bëjmë edhe vepra të mira… por nëse nuk ushqehemi me Krishtin, na mungon diçka thelbësore. Na mungon jeta hyjnore brenda nesh. Kjo është një diagnozë. Është si një mjek që thotë: “Nëse nuk merr këtë ilaç, nuk do të jetosh.” Apo si një nënë që i thotë fëmijës: “Nëse nuk ushqehesh, nuk do të rritesh.” Zoti dëshiron që ne të jetojmë. Prandaj Ai na la vetveten si ushqim të shpirtit tonë. Kjo është dashuria e Tij për ne. Një Zot që nuk imponon, por dorëzohet. Një Zot që nuk dominon, por kërkon të pranohet. Me të vërtetë, kur ne e shikojmë Kryqin, mund të kuptojmë sa na ka dashur Jezusi, dhe kur e shikojmë Hosten e Shenjtë, kuptojmë sa shumë na do Jezusi tani. Prania e Jezusit në Hosten e Shenjtë është burim i vërtetë shërimi, çlirimi e ngushëllimi dhe e shenjtëron zemrën e krejt qenies sonë. Shën Toma thoshte: Sakramenti i Trupit të Zotit na e pastron shpirtin nga mëkati, qetëson zemërimin e Hyjit, i bën djajtë të ikin, ndriçon mendjen për ta njohur Hyjin, ndez vullnetin për ta dashur Hyjin, mbush mendjen me dritë dhe zemrën me ëmbëlsi hyjnore, na çliron nga vdekja e përjetshme, na udhëheq drejt banesës së amshuar dhe ringjall trupin për jetën e përjetshme.
Por për hebrenjtë kjo ishte tronditëse dhe ata reagojnë me çudi: “Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?” Jezusi as nuk përpiqet ta zbusë fjalën e Tij. Nuk thotë: “Mos u shqetësoni, është vetëm një simbol.” Përkundrazi, e thellon bisedën edhe më shumë: “Nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!” Sigurisht, ky është një mister që tejkalon arsyen. Por besimi i vërtetë nuk ndërtohet mbi atë që është krejt e arsyeshme, por mbi atë që është krejt e vërtetë. Krishterimi nuk është para së gjithash një filozofi për t’u kuptuar, por një jetë për t’u jetuar, një bashkim për t’u përjetuar. Për këtë arsye Jezusi nuk thotë: Kush e kupton mësimin tim… Por thotë: “Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit.” Kjo është shpresa e madhe e krishterimit. Vdekja nuk është fjala e fundit. Njeriu nuk është krijuar për t’u zhdukur, por për të jetuar në përjetësi pranë Hyjit.
Prandaj Eukaristia është: bukë e udhës, forcë për shtegtimin tokësor, parapërgatitje për banketin qiellor.
Vazhdon Jezusi: “Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua dhe unë në të.” Zoti i universit thotë: “Unë dua të jetoj në ty.” Jo vetëm që të ndihmoj. Jo vetëm që të udhëheq. Por të jetoj në ty. Kjo është shkalla më e lartë e bashkimit.
Dëgjues të dashur, Korpi i Krishtit në Eukaristi është i njëjti trup që ka lindur nga Virgjëra Mari; është i njëjti trup që ka vuajtur për mëkatet tona, i njëjti trup që ka qenë kryqëzuar në malin e Kalvarit, që ka vdekur në Kryq dhe është varrosur. Korpi i Krishtit në Eukaristi është i njëjti trup që është ngjallur prej së vdekurish dhe rri në të djathtën e Atit duke ndërmjetësuar për ne. Në çdo tabernakull të botës, Krishti vazhdon të presë. Ai pret zemrën e lodhur, mëkatarin, të varfrin, të plagosurin në shpirt, atë që kërkon kuptim, atë që ka humbur shpresën. Dhe vazhdon të thotë: “Unë jam buka e gjallë.”
Por sot rreziku më i madh është rutina. Mund të marrim pjesë në Meshë pa zemër. Mund ta marrim Kungimin pa vetëdije. Ungjilli i sotëm na fton ta rizbulojmë madhështinë e Eukaristisë. Kur afrohemi te altari, nuk afrohemi te një simbol bosh, por te Krishti i gjallë, te Ai që na njeh, na fal, na ushqen dhe na transformon. Papa Françesku thotë: “Një nga rreziqet më të mëdha është të mësohemi me Eukaristinë. Të vijmë në Meshë pa habi, pa dëshirë, pa zemër.” Mos e humbni ndjenjën e mahnitjes! Sepse çdo herë që marrim Trupin dhe Gjakun e Jezusit, ndodh diçka e jashtëzakonshme: Zoti hyn në jetën tonë.
Të ushqehesh me Krishtin nuk është vetëm një akt devocioni. Është edhe një akt që na fton të marrim stilin e jetës së Tij. Dhe stili i Krishtit është: përvujtëria, shërbimi, falja, dhurimi total. Eukaristia na shtyn drejt të varfërve, drejt atyre që vuajnë, drejt atyre që janë të harruar. Me të vërtetë, një i krishterë i vërtetë që ushqehet me Krishtin nuk jeton vetëm për veten. Ai bëhet bukë për të tjerët. Edhe një nga shprehjet më të bukura të Etërve të Kishës ishte: “Bëhu ajo që merr.” Nëse marrim trupin e Krishtit, jemi të thirrur të bëhemi trupi i Tij për botën.
O Jezus, Bukë e gjallë e zbritur prej qiellit, ushqeje zemrën tonë, forcoje shpirtin dhe ndriçoje mendjen tonë. Na jep hirin ta njohim praninë Tënde në Eukaristi, ta marrim me dashuri dhe të jetojmë të bashkuar me Ty. Jezus, na ndihmo që, të ushqyer me Ty, edhe ne të bëhemi bukë për të tjerët: bukë mirësie, bukë faljeje, bukë paqeje dhe bukë dashurie! Amen.