Unë jam buka e jetës
21 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Unë jam buka e jetës”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 6, 30-35
“Çfarë shenje bën ti, ‑ i thanë ata ‑ që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit. Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.”
Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.
Siç e dëgjuam populli i drejtohet Jezusit me një kërkesë që tingëllon shumë moderne: “Çfarë shenje bën ti, që të besojmë?”. Në të vërtetë ata sapo kishin parë mrekullinë e shumëzimit të bukëv dhe prapë i thonë: “Çfarë shenje bën ti, që të besojmë?”. Kjo është pak ironike. Por edhe shumë reale. Sepse kështu disa herë jemi edhe ne, kur themi: o Zot, nëse ma dëgjon ketë lutje, do të besoj më shumë. Nëse më hap këtë derë, atëherë do të të ndjek.
Ungjilli na tregon se populli kujton manën në shkretëtirë. Kujton kohen kur Zoti i ka ushqyer në mënyrë të mrekullueshme. Ata i thonë Jezusit; Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë… Hyji u dha të hanin bukë prej qiellit. Ajo ishte vërtete një mrekulli e madhe. Por Jezusi ju thotë diçka shumë më të madhe: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën. Kështu Jezusi zhvendos vëmendjen: nga njeriu te Hyji, nga e kaluara tek e tashmja, nga dhurata tek Dhuruesi.
Populli po jetonte në kujtesën e mrekullisë së kaluar. Jezusi i fton të shohin mrekullinë që po ndodh tani. Po a nuk na ndodhë disa herë edhe ne të jetojmë në një nostalgji shpirtërore: dikur ndihesha më afër Zotit, dikur përjetoja më shumë hire prej Zotit. Por Jezusi na thotë të gjithëve: Ati po të dhuron tani po ata hire për jetën tënde.
Jezusi është duke ju zbuluar se, buka nuk është më një gjë (manë), një dhuratë materiale, por është një Person. Ai po thotë për Vetën: buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën. E zbulesë është një nga pikat kyçe të teologjisë së Gjonit: Në Besëlidhjen e Vjetër: buka = dhuratë/mana në shkretëtirë. Ndërsa në Besëlidhjen e Re: buka = Person, është Jezu Krishti. Për këtë arsye: krishterimi nuk është një sistem moral. Por një jetë e ushqyer nga vetë Hyji. Zoti nuk jep vetëm: udhëzime, ligje, bekime, Ai na dhuron Vetveten.
Pas kësaj fjalë që Jezusi thotë, populli reagon menjëherë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!”. Sigurisht mendojnë për një bukë që zgjidh problemet materiale. Tamam si janë edhe lutjet tona shpesh herë: o Zot, na jep shëndet, na jep sukses në punë, në karrierë. Na jep o Zot, një jetë të sigurte. Por Jezusi nuk erdhi vetëm për të zgjidhur problemet tona, por ka ardhur për të transformuar jetën tonë dhe për të mbushur shpirtin tonë me praninë e Tij.
Në rreshtin 35 të Ungjillit të sotëm kemi një nga deklaratat më të thella të Jezusit: “Unë jam buka e jetës. Jezusi nuk thotë: Unë ju jap bukë. Por, Ai thotë: “Unë jam buka e jetës.” Kjo d.m.th. se, nuk ka jetë të vërtete pa Jezusin. Dhe ashtu si buka mban trupin gjallë, ashtu Krishti mban shpirtin gjallë. Po, Jezusi është ushqimi shpirtit tonë.
Besoj se tashmë e dimë të dashur dëgjues, se njeriu mund të ketë shumë gjëra: pasuri, sukses, marrëdhënie të ndryshme… dhe përsëri të ndiejë një boshllëk brenda vetës. Kjo është shenja e qartë se kemi nevojë të ushqejmë shpirtin me Krishtin. Shihet qartë pra se në zemrën e këtij Ungjilli është Eukaristia.
Në lidhje me këtë Don Tonino Bello thoshte: Eukaristia është Sakramenti i përkuljes së Zotit, ushqimi i të varfërve, shpresa e botës së plagosur.
Në fund të Ungjillit Jezusi bën dy premtime të jashtëzakonshme: kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.
Feja pra nuk është ide, është afrim me Jezusin, është hapje e zemrës për të pranuar Atë, sepse “Buka që zbret nga qielli” është përgjigjja për “urinë që lind në tokë”. Gjithashtu, as besimi nuk është thjeshtë të pranosh diçka si të vërtetë, por të mbështetesh tek Krishti dhe ta besosh jetën tënde në duart e Tij.
O Zot Jezus, Ti je buka e jetës. Të lutem eja në urinë time të brendshme, në boshllëkun tim, në etjen time për dashuri dhe kuptim. Më mëso të vij tek Ti, jo vetëm kur kam nevojë, por sepse Ti je jeta ime dhe vetëm Ti më mjafton. Amen.