Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet

 

26 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 10, 1-10

 

 “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub.  Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve.  Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta.  E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë pas, sepse e njohin zërin e tij.  Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”  Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të.  Prandaj Jezusi u tha përsëri: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e deleve.  Të gjithë ata që erdhën (para meje) janë vjedhës dhe cuba; porse delet nuk i dëgjuan.  Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dale dhe do të gjejë kullosë.  Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të  vjedhur, për të prerë e për të bërë dëm. Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi.

 

Ungjilli i sotëm, na sjell një nga figurat më të bukura dhe më të thella që Jezusi përdor për të shpjeguar marrëdhënien e Tij me ne. Ai është Bariu i mirë dhe njëkohësisht dera e deleve. Në të vertetë edhe në Psalmin 23, Zoti paraqitet si Bariu që udhëheq, ushqen dhe mbron. Këto dy tekste nuk janë të ndara, por ato janë një zbulesë e vetme: Psalmi 23 është premtimi dhe Gjoni 10 është përmbushja. Pikërisht siç thotë Shën Augustini: “Në Psalme dëgjojmë zërin e Krishtit; në Ungjill e shohim Krishtin.”

Jezusi fillon me një paralajmërim të fortë për jetën tonë shpirtërore: “… ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub.” Këta mund të jenë: ata që ushtrojnë pushtetin pa dashuri, ata që udhëheqin pa të vërtetën, ata që kërkojnë pushtet mbi ndërgjegjen tonë. Madje disa herë janë edhe zërat e brendshëm që na largojnë nga e mira.

Vazhdon Jezusi: Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. Jezusi është i ligjshëm në jetën tonë. Jezusi nuk hyn me forcë, sepse dashuria e respekton lirinë. Po, Zoti është Bariu i vërtetë. Me të drejtë Davidi thoshte: “Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.” Bariu: i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta.” Kjo është një nga të vërtetat më të bukura: Jezusi si Bari i mirë i njeh delet “një nga një” dhe i thërret me emër. Kjo tregon se marrëdhënia me Krishtin është personale dhe e pa zëvendësueshme. Secili prej nesh ka një vend të veçantë në zemrën e Jezusit. Pra, të jesh i thirrur me emër do të thotë të jesh i njohur plotësisht dhe të jesh i dashur pa kushte. Duke ju pri përjashta Krishti na nxjerr nga errësira e mëkatit dhe e mosnjohjes dhe na prin drejt një bashkimi të thellë me Të, jo vetëm përmes rregullave, por përmes dashurisë dhe dhuratës së hirit.

Bariu i mirë nuk i shtyn delet me forcë, por Ai ecën përpara tyre dhe delet e ndjekin sepse e njohin zërin e Tij, sepse zëri i Tij nuk frikëson as nuk kërcënon. Zëri i Krishtit është i ëmbël, i butë dhe i vërtetë. Ne mësojmë ta njohim gjithnjë e më qartë, zërin e Jezusit, përmes lutjes, përmes Shkrimit Shenjt, përmes Kishës, përmes heshtjes. Duke kaluar kohë me Krishtin, me Fjalën e Tij, mësojmë të bëjmë edhe një dallim shpirtëror, sepse jo çdo zë që dëgjojmë duhet ta besojmë. Zërat që na frikësojnë, që na trishtojnë, zërat që na heqin shpresën prej zemrës, dhe na largojnë nga e vërteta, nuk janë të denjë për besim dhe as nuk duhet t’i ndjekim.

Përsëri thotë Jezusi: “Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të gjejë kullosë.” Krishti është “dera” sepse vetëm nëpërmjet Tij njeriu hyn në jetën e vërtetë. Nuk ka rrugë tjetër për tek Ati përveç Tij. Të hysh nëpër këtë derë, do të thotë të besosh në Krishtin dhe të jetosh sipas mësimit të Tij. Për ata që hyjnë nëpër këtë derë, Jezusi u premton se do të gjejnë kullosë. Kullotat janë Shkrimet e Shenjta. Ushqimi është e vërteta që forcon shpirtin. Jezusi është Bariu që nuk ushqen me iluzione, por me të vërtetën. Ashtu siç thotë edhe Ps 23: “Më pushon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin.” Kullotat e gjelbra nuk janë thjesht rehati tokësore, por ushqimi i Fjalës së Zotit. Shpirti që më parë ishte i uritur dhe i lodhur nga barra e mëkatit, tani ushqehet me të vërtetën hyjnore dhe pushon në Pranin e Tij.

Në rreshtin e fundit të Ungjillit Jezusi thotë: “Unë erdha që delet ta kenë jetën dhe ta kenë me plotësi.” Në të vërtetë Jezusi nuk erdhi vetëm që të na falë mëkatet dhe të na shpëtojë nga ferri. Ai erdhi që të na mbushë shpirtin me jetë hyjnore. Kujdes! Këtu nuk behët fjalë për një jetë perfekte, as për një jetë pa probleme, por për një jetë me kuptim, me paqe të brendshme, me dashuri që i jep gëzim dhe forcë shpirtit  dhe me shpresë edhe në vuajtje. Pra, një jetë në bashkim të thellë me Krishtin.

 

O Bari i dashur i shpirtrave, na ushqe me Fjalën Tënde dhe na çliro nga uria e kotësive të kësaj bote. Na ço në kullotat e paqes dhe na mëso të dëgjojmë zërin Tënd më shumë se çdo zë tjetër.

Përtërije shpirtin tim me hirin Tënd dhe më jep jetën e plotë që vjen prej Teje. Amen.