Unë jam drita e botës
15 MARS 2026
UNGJILLI I DITËS
“Unë jam drita e botës!”
MEDITIM PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 9, 1-41
Sot në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi shfaqet si Drita e botës. Mrekullia e shërimit të të verbrit nuk është vetëm një akt shërimi fizik, por një zbulim i identitetit të Jezusit dhe një udhëtim i brendshëm nga errësira në dritë. Ungjilli hapet një dialog i thellë mbi vuajtjen, fajin dhe lavdinë e Hyjit. Jezusi: Duke kaluar rrugës, pa një njeri të verbër që kishte lindur i verbër. Nxënësit e tij e pyetën: “Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që lindi i verbër?” Nxënësit bëjnë një pyetje që edhe sot shumë herë dëgjohet: “Nëse ndodhi kjo, kush është fajtor?” E shohin vuajtjen si ndëshkim për shkak të mëkateve. Është prirja jonë ta lidhim vuajtjen me fajin. Ndërsa për Jezusin, është ndryshe. “Nuk mëkatoi as ky, as prindërit e tij,” u përgjigj Jezusi, “por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit.”
Kujdes! Kjo fjali mund të keqkuptohet dhe të mendojmë se Hyji e shkakton vuajtjen për të treguar pushtetin e Tij. Jezusi nuk thotë se Hyji e bëri të verbrin të verbër; Ai thotë kjo situatë mund të bëhet vend ku dëftohet lavdia e Hyjit. Pra, në vend që të bëhet pyetja “kush ka faj që ndodhi kështu?”, është më e drejtë të bëhet pyetja: “Çfarë mund të bëjë Hyji përmes kësaj vuajtje?” Në një takim me Krishtin, vuajtja bëhet burim hirit dhe burim bekimi. Prandaj i dashur dëgjues Ungjilli i sotëm të thotë: Mos mendo se dhimbja jote është shenjë se je i ndëshkuar apo i braktisur nga Hyji. Në historinë e çdo njeriu, edhe në historinë tënde, sado e dhimbshme apo e mëkatshme të jetë, Hyji i Mirë, mund të bëjë të shkëlqejë drita e lavdisë së Tij. Atëherë Jezusi vazhdoj: Derisa të jetë ditë, na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi. Po vjen nata, kur askush s’mund të punojë. Derisa të jem në botë, jam drita e botës. Jezusi flet për “ditën” si kohën e veprimit, të hirit dhe të pranisë së Tij në botë. “Dita” është koha e misionit, e vendimit dhe e përgjigjes ndaj thirrjes së Hyjit. Koha t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi. Dhe veprat e Tij janë shërimit, falja, shpallja e së vërtetës dhe manifestimi i dashurisë së Atit për njerëzimin. Ndërsa “Nata” është gjendja e shpirtit që largohet nga drita e Hyjit; kur zemra errësohet, dobësohet aftësia për ta bërë të mirën. Jezusi nuk thotë vetëm se sjell dritë. Ai është Drita. Kjo lidhet drejtpërdrejt me identitetin hyjnor të Jezusit. Drita në Bibël është simbol i jetës, i së vërtetës dhe i dashurisë hyjnore. Po, në Krishtin, e vërteta dhe dashuria përputhen plotësisht. Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë. Dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë: I Dërguari).” Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte.
Përmendja e dheut dhe baltës ka jehonë të qartë nga Zanafilla 2,7, ku Hyji formon njeriun nga pluhuri i tokës. Krishti, Fjala përmes së cilës u krijua gjithçka, tani vepron me autoritet krijues. Balta është shenjë se shërimi është një akt “rikrijimi”. Pështyma, që del nga goja e Jezusit, simbolizon fuqinë e Fjalës. Kështu, balta, e përbërë nga dheu dhe ajo që del nga Krishti, simbolizojnë bashkimin e hyjnores me njerëzoren.
Ungjilli na tregon se mrekullia nuk ndodh menjëherë pas lyerjes me baltë. Shërimi lidhet me aktin e besimit dhe bindjes. I verbëri duhet të shkojë e të lahet. Ai ecën në errësirë drejt Siloamit. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por i beson fjalës së Krishtit. Kjo është përvoja e çdo të krishteri: njeriu shpesh duhet të ecë në errësirë duke besuar në fjalën e Jezusit, sepse drita vjen pas aktit të besimit.
Ungjilltari thekson: “Siloam do të thotë: I Dërguari.” Jezusi është i Dërguari i Atit. Dërgimi i të verbrit në Siloam simbolizon faktin se njeriu merr dritë duke shkuar te Krishti që është dërguar për shpëtimin tonë.
Ndërsa në rreshtat e mëposhtëm tregohet rrugëtimin e tij nga errësira e mosnjohjes në dritën e Krishtit dhe besimin e plotë. Ai përpara të afërmeve pohon identitetin e tij: “Unë jam.” Dhe kur thotë “Unë jam”, nuk është më thjesht i verbër dhe lyps. Drita që ia hap sytë nuk është vetëm për të parë botën, por për të parë vetveten dhe Hyjin. Ai fiton një identitet të ri.
Kur i pyesin: “Si të erdhi drita e syve?” Ai u përgjigj: “Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.” Kjo tregon se shërimi nuk është thjesht çështje natyrore, por një veprim hyjnor që kërkon besim dhe përvojë personale. Më pas ai dërgohet tek farisenjtë, ku disa i thonë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit sepse nuk e mban të shtunën!” Të tjerët thonë: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta. Këtu tensioni midis ligjit dhe dashurisë hyjnore bëhet i qartë. Pastaj e pyetën prapë të verbërin: “E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?” “Është profet,” - përgjigji. Çfarë kontrastit i madh mes atij që ishte i verbër dhe tani sheh, dhe atyre që mendojnë se shohin, por mbeten të verbër sepse nuk shohin mrekullinë që Jezusi ka bërë në njeriun para syve tyre. Përsëri thirrën atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!” “A është mëkatar?” – u përgjigj – “s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!” Dëshmia e të shëruarit është e thjeshtë dhe fuqishme: “Kam qenë i verbër e tani shoh.” Kjo fjali përmbledh gjithë përvojën e tij shpirtërore: ai nuk argumenton, nuk diskuton, por thjesht tregon për atë që ka parë dhe përjetuar. Dhe vazhdon: “Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!” “Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat,” iu përgjigjën, “e ti po na mëson!?” Dhe e hodhën përjashta.
Por Jezusi e kërkon dhe e gjen. E kur Jezusi e pyet: “A beson ti në Birin e njeriut?”, i shëruari kërkon të dijë se kush është dhe Jezusi i thotë: “Është ai që po flet me ty!” Në fund, ai thotë: “Besoj, o Zot!” dhe bie përmbys para Tij. Besimi lind nga njohja e drejtpërdrejtë e Jezusit. Sy që shohin dhe zemër që beson.
Ai hyn gradualisht në dritën e fesë. Ai në fillim thotë: “Njeriu që quhet Jezus.” Pastaj: “Është profet.” Më vonë: “Po të mos ishte ky prej Hyjit…” Në fund: “Besoj, o Zot!” – dhe bie përmbys para Tij. Ungjilli përfundon me fjalët e Jezusit: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin!” Paradoksi i Ungjillit është ky: Ai që pranon varfërinë e vet dhe nevojën për dritën e Zotit ndriçohet; ai që mendon se nuk ka nevojë për dritë mbetet në errësirë. Në këtë mënyrë, rrugëtimi i të verbrit bëhet simbol i çdo besimtari: nga errësira e mosnjohjes, në dritën e takimit personal me Jezusin, deri në adhurimin dhe besimin të plotë.
O Jezus, Drita e botës, Ti që hape sytë e të verbrit dhe ndriçove zemrën e tij, eja edhe në errësirat e jetës sime. Hapi sytë e zemrës sime, që të të njoh më shumë, të të besoj më fort dhe të të adhuroj me përvujtëri. Amen.