Unë jam! Mos druani!

18 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

"Unë jam! Mos druani!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 6, 16-21

 

Kur u bë natë, nxënësit e tij zbritën në det,  hynë në lundër e u nisën për në anën tjetër të detit, për në Kafarnaum. Ishte errur e Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata.  Deti u trazua nga era e fortë që fyente.  Pasi rremuan rreth njëzet e pesë apo tridhjetë stadje, panë Jezusin duke ecur përmbi det e po i afrohej lundrës. I kapi frika.  Ai u tha: “Unë jam! Mos druani!”  Deshën ta marrin në lundër, dhe ja, lundra përnjëherë preku tokën në atë vend ku ishin drejtuar.

 

Siç e dëgjuam në Ungjilli nxënësit “zbresin në det” ndërsa “është errësirë” kjo, është  edhe përvoja e besimtarëve kur përballen me “natën” e provës pa ndjesinë e pranisë së Zotit. Nxënësit në det dhe errësira përfaqësojnë njeriun që përpiqet me forcat e veta në botë, duke ndjerë shpesh se  Jezusi “ende nuk kishte ardhur”. Kjo nuk nënkupton mungesën reale të Jezusit, por një mënyrë të fshehtë të pranisë së Tij. Në këtë natë shpirtërore, njeriu mëson të mos mbështetet në siguri të dukshme, por të ecë me besim të thellë, duke zbuluar se Zoti shpesh është më afër pikërisht kur duket më i heshtur. Kështu, “nata” bëhet vendi ku besimi pastrohet nga iluzionet dhe mëson të mbështetet jo në ndjesi, por në besnikërinë e Zotit që vjen gjithmonë në kohën e Tij. Sa herë edhe ne gjendemi në këtë situatë: lutemi dhe nuk ndjejmë asgjë, kërkojmë dhe duket sikur qielli është i mbyllur. Por Ungjilli nuk thotë që Jezusi nuk do të vijë, thotë vetëm që ende nuk kishte ardhur.

Vazhdon Ungjilli duke treguar se: Deti u trazua nga era e fortë që fryente.

Deti në Bibël është simbol i pasigurisë, i së keqes, i forcave që njeriu nuk i kontrollon. Ndërsa Era e fortë është prova, tundimi, kriza, frika që na pushton. Po, jeta njerëzorë ka stuhi reale: familje në krizë, sëmundje, varfëri, pasiguri, mëkate që na rëndojnë… Këto janë “erërat e forta” edhe të përditshmërisë sonë.

Dishepujt rremojnë, bëjnë gjithçka që munden. Por përpjekja e tyre nuk mjafton. Dhe pikërisht aty, në mes të detit dhe frikës, vjen Jezusi duke ecur mbi det — mbi atë që për ta ishte simbol i të keqes dhe pamundësisë. Kjo tregon se Krishti nuk vjen gjithmonë për të ndalur menjëherë stuhinë, por për të treguar se Ai është Zot dhe zotërues mbi të.

Dishepujt nuk e njohin menjëherë Jezusin dhe “rrëmbehen nga frika”.

Sa herë ndodh edhe me ne: Jezusi është afër, por ne shohim vetëm rrezik. Sa herë edhe ne nuk e njohim Jezusin në stuhitë e jetës sonë: në vështirësi që takojmë, në një person që na kërkon ndihmë, në një thirrje për të ndryshuar, shpesh reagimi ynë i parë është- frika. Atëherë Jezusi u tha: “Unë jam! Mos druani!”. Kjo është zemra e Ungjillit të sotëm. “Unë jam” (në greqisht Ego eimi) është e njëjta shprehje që Hyji i tha Moisiut në  kaçubën që digjej. “Unë jam i pranishëm. Unë jam afër. Prandaj: “Mos druani!”. Kjo është fjala që Jezusit ja thotë çdo njërit prej nesh. Ndoshta nuk do të na e heq menjëherë vështirësinë. Por na thotë: “Unë jam me ty, Unë jam afër teje.  Është sikur Jezusi të thotë: Jam këtu në errësirën tënde. Jam këtu në lodhjen tënde. Jam këtu në frikën tënde. Jam me ty. Mos ki frikë… sepse nuk je vetëm.”

Përfundon Ungjilli:  Deshën ta marrin në lundër, dhe ja, lundra përnjëherë preku tokën në atë vend ku ishin drejtuar. Ky është një detaj shumë i bukur: Jezusi nuk imponon praninë e Tij. Ai afrohet, flet dhe pret. Zoti e respekton lirinë tonë. Dishepujt duhet të bëjnë një zgjedhje: ta pranojnë në lundër apo jo. Edhe ne të dashur dëgjues, jemi përpara këtij vendimi çdo ditë: ta lejoj Jezusin të hyjë në vendimet tona, në plagët tona, në mëkatet tona, në frikët tona. Besimi i vërtetë është mikpritje e Zotit që afrohet. Pasi dishepujt e marrin në lundër dhe ja, lundra përnjëherë preku tokën.

Ky është një mister i bukur i hirit që sjell Prania e Krishtit. Kur Jezusi hyn në jetën tonë, gjërat nuk bëhen në mënyrë magjikë të lehta, por bëhen të mbushura me kuptim. Sepse nuk jetojmë më vetëm. Bregu nuk është thjesht një vend fizik. Është: paqja e zemrës, pajtimi, shpresa që rikthehet, ndjenja se jemi në duart e Hyjit.

Ungjill na thotë se mbi ujërat e errëta të historisë sonë, është gjithmonë Dikush që afrohet dhe një Zë që pëshpërit: “Unë jam me ty. Mos ki frikë.” Nëse kjo fjalë bëhet e besueshme në zemrën tonë, atëherë edhe deti më i trazuar bëhet rrugë drejt bregut.

 

O Zot Jezus, që vjen në netët tona pa bërë zhurmë, më mëso të të njoh në mes të stuhisë. Kur deti i jetës sime trazohet, mos më lër të mbyllem në frikë. Të lutem, eja në lundrën time, dhe bëj që, duke të pranuar Ty, të bëhem edhe unë një njeri që sjell paqe në detet e trazuar të të tjerëve. Amen.