Unë jam Ringjallja dhe Jeta
22 MARS 2026
UNGJILLI I DITES
“Unë jam Ringjallja dhe Jeta!”
MEDITIM PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 11, 1-45
Ungjilli i ditës së sotme është sipas Gjonit 11,1-45. Këtu Ungjilltari tregon për ringjalljen e Lazrit nga Betania. Në këtë ngjarje takohen dy realitete që shpesh duken të kundërta: nga njëra anë është drama njerëzore e sëmundjes dhe e vdekjes, nga ana tjetër është prania e Jezusit që sjell jetë dhe dritë. Në familjen të cilën Jezusi e donte shumë – Lazri, vëllai i Martës dhe i Marisë – është i sëmurë. Motrat i çojnë fjalë Jezusit dhe i thonë: “Zotëri, ai që ti e do është i sëmurë.” Kjo fjali e shkurtër shpreh thelbin e lutjes së krishterë. Motrat nuk i tregojnë Jezusit se çfarë duhet të bëjë. Nuk i thonë: “Eja menjëherë” ose “Duhet ta shërosh vëllanë tonë.” Ato thjesht ia paraqesin situatën: “ai që ti e do është i sëmurë.” Ato e dinë mirë se Lazri edhe pse është i sëmur ai është i dashur prej Jezusin.
Pastaj Jezusi thotë diçka që duket e çuditshme: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit.” Në gjuhën biblike, lavdia e Hyjit është zbulimi i pranisë dhe i dashurisë së Zotit për njeriun. Sëmundja, vuajtja dhe vdekja, sipas logjikës së Jezusit, mund të bëhen vendi ku zbulohet lavdia e Hyjit, domethënë vendi ku shfaqet pushteti i dashurisë së Tij.
Po, të dashur dëgjues edhe situatat më të errëta mund të bëhen vend ku zbulohet prania dhe pushteti i dashurisë së Zotit. Vazhdon Ungjilltari duke treguar se: “Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj Marinë dhe Lazrin. Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në vendin ku ndodhej.” Këtu lind pyetja: po nëse Jezusi i donte kaq shumë, pse nuk shkoi menjëherë për ta shëruar Lazrin? Shpesh edhe ne përjetojmë diçka të ngjashme. Ne lutemi, kërkojmë ndihmë, ia paraqesim Jezusit situatat tona dhe megjithatë duket sikur Ai vonon. Por vonesa e Zotit nuk është braktisje e as harresë. Ungjilli i sotëm na mëson se vonesa e Jezusit është një kohë ku besimi vihet në provë dhe zemra e njeriut përgatitet për një bekim më të madh. Jezusi nuk vepron sipas urgjencës sonë emocionale, por sipas planit të Atit.
Atëherë Ai u thotë nxënësve: “Lazri, miku ynë, fle; por po shkoj ta zgjoj.” Jezusi e quan vdekjen gjumë. Për Të vdekja nuk është fjala e fundit. Ai mund ta zgjojë njeriun nga gjumi i vdekjes, sepse është Zot i jetës. Dhe kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para dhe i tha: “Zotëri, të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.” Marta e hap zemrën e vet përpara Jezusit. Nuk e fsheh dhimbjen dhe zhgënjimin e saj. Por në zemrën e saj pra bashkëjetojnë dhimbja dhe besimi. Ajo me besim i thotë Jezusit: “Edhe tani e di se çfarëdo që të kërkosh prej Hyjit, Hyji do të ta japë.” Ai i përgjigjet: “Vëllai yt do të ringjallet… Unë jam Ringjallja dhe Jeta.” “A e beson ti këtë?” Kjo do të thotë se jeta e përjetshme nuk është vetëm një ngjarje e së ardhshmes, por një marrëdhënie me Jezusin. Kush bashkohet me Krishtin, tashmë ka hyrë në jetën që as vdekja nuk mund ta shkatërrojë.
Para se të bëjë mrekullinë e madhe, Jezusi i kërkon Martës besim dhe e pyet: Marta pohon: “Po, Zotëri! Unë besoj se Ti je Mesia, Biri i Hyjit.”
Pastaj Marta shkon dhe i thotë Marisë: “Mësuesi është këtu dhe të thërret.” Kjo na tregon se Jezusi nuk vjen vetëm për të zgjidhur situatat tona të vështira, por për të na thirrur në një takim personal me Të. Në takim me Jezusin zemra mbushet dhe çdo dhimbje, ëmbëlsohet nga dashuria që komunikon prania e Tij. E kur Maria dëgjon se Jezusi po e thërret, çohet menjëherë dhe shkon tek Ai. Dhe ajo i thotë: “Zotëri, të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.”
Është sikur të thoshte: “O Zot, e ku ishe? Pse nuk erdhe më herët?” Shpesh këto janë edhe fjalët e zemrës sonë. O Zot, ku ishe? Pse nuk bane diçka?
Por të dashur dëgjues rreshtat 33-35 janë fjalë që përmallojnë dhe ngushëllojnë zemrën e njeriut edhe nëse gjendet në dhimbjet ma të forta. Thotë Ungjilli: Jezusi, kur pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe Judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua dhe pyeti: “Ku e keni vënë?” “Zotëri, eja e shih!” ‑ iu përgjigjën. E Jezusit i ngufi vaji. “
Përballë dhimbjes së njeriut Zemra e Jezusit tronditet dhe sytë e Tij lotojnë. Lotët e Jezusit tregojnë se Ai ka një zemër që ndien dhimbjen e njeriut. Ne kemi një Zoti që qan me ne. Kemi një Zot që nuk na len të vuajmë vetëm. Zoti ynë nuk është vetëm Zot i fuqishëm, por edhe Zot që merr pjesë në vuajtjen tonë.
Pastaj Jezusi arrin te varri, që ishe një shpellë e mbyllur me një gur, dhe thotë: “Hiqeni gurin!”. Sigurisht se Jezusi mund ta hiqte vetë gurin, por kërkon që edhe njeriu ta bëj pjesën e tij. E Marta thotë: “Zotëri, tashmë mban erë, sepse ka katër ditë që ka vdekur.”
A nuk mendojmë kështu edhe ne për disa situata të jetës sonë, kur në zemrën tonë themi: “Është tepër vonë”? Për shembull: për një marrëdhënie të thyer, një plagë të vjetër, një mëkat që përsëritet, apo një shpresë që duket e vdekur. Na duket se është tepër vonë. Por Jezusi i thotë Martës dhe të thotë edhe ty i dashur dëgjues: “Nëse beson, do ta shohësh lavdinë e Hyjit.” Ne shpesh na vjen të themi: “Nëse shoh mrekullinë, atëherë do të besoj.” Por Jezusi thotë: “Nëse beson, atëherë do të shohësh.” Besimi është porta që hap rrugën që të ndodhë mrekullia.
Pastaj Jezusi çon sytë kah qielli dhe lutet: “O Atë, të falënderoj që ma dëgjove lutjen.” Këtu shihet marrëdhënia e thellë e Tij me Atin. Fillon lutjen me falënderim dhe ka besim se Ati e dëgjon. Kjo është lutja ma e mrekullueshme që mund të dalë prej një zemre.
Pastaj Jezusi thërret me zë të lartë: “Lazër, dil jashtë!” dhe “Lazri doli jashtë.”
Fjala e Jezusit është më e fortë se vdekja. Fjala e Jezusit e arrin deri në varr tek trupi i vdekur i Lazrit dhe ja kthen jetën. Kështu Ungjilli i sotëm na shpall se Jezusi është Zot i jetës, dhe kush beson në Të nuk mund të mbetet në errësirën e varrit.
O Jezus, Ti që qave para varrit të Lazrit eja edhe në varret e heshtura të zemrës sonë. Thirre edhe zemrën tonë, siç thirre Lazrin: “Dil jashtë!”
Dil nga frika, nga dëshpërimi, nga mëkati dhe nga çdo gjë që na mban në errësirë dhe të lidhur. Mbushi zemrat tona me dritën e Pranisë sate dhe me jetën tënde hyjnore. Amen.