Unë nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët!

21 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Unë nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKES- Lk 5, 27-32

 

Pastaj Jezusi doli dhe në vendin e tatimit pa duke ndenjur një tagrambledhës, që quhej Levi. I tha: “Eja pas meje!”  Ai la gjithçka, u ngrit e shkoi pas tij.  Pastaj Levi i bëri gati në shtëpinë e vet një gosti të madhe. Bashkë me Jezusin rrinin në tryezë shumë  tagrambledhës e njerëz të tjerë.  Farisenjtë dhe skribët e sektit të tyre, murmurisnin dhe u thanë nxënësve të tij: “Pse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?”  Jezusi u përgjigj: “Të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjek, por të sëmurit.  Unë nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët.”

 

Dëgjuam se Jezusi doli dhe pa një njëri të ulur në vendin e taksave. Ishte plotësisht i zhytur në impenjimin për të fituar para, madje edhe në mënyrë të padrejtë. Levin tagrambledhës, të përbuzur nga shoqëria dhe të konsideruar mëkatar publik, Jezusi e shikon në sy, dhe i thotë: “Eja pas meje!”.

Aty ku të tjerët shohin një mëkatar të denjë për ndëshkim, Jezusi sheh një person të denjë për mëshirë dhe i hapë një mundësi të re për të ardhmen e tij. Ky është shikimi i Jezusit. Po, i dashur dëgjues, ky është shikimi i Jezusi edhe për Jezusin ty. Për  Jezusin ti je i denjë për mëshirë dhe i denjë për dashurinë e Tij.

Jezusi e thërret Levin derisa është ende në vendin e tij të përditshëm, në tavolinën e taksave. Ai nuk pret që Levi të largohet nga ai vend, por e thërret aty ku është. Jezusi as nuk i thotë: ndryshoje jetën njëherë, atëherë eja pas Meje, sepse derisa Levi do të jetë në ndjekjen Jezusin, ndryshimi do të ndodhë. Jezusi nuk i vendos kushte, nuk i jep një listë detyrimesh, por i bën ftesë për marrëdhënie të vërtetë me Të.

Në të vërtetë, Levi ishte njëri i pasur, por jo njëri i lirë, sepse ishte i lidhur pas tavolinës së taksave, prandaj thirrja e Jezusit: Eja pas meje, është një ftesë për liri.

Gjithashtu Fjala Eja pas meje është ftesë edhe për një histori të re. Levi nuk do të jetë më “tagrambledhës”, por dishepull. Jezusi nuk i heq thjesht mëkatin, por i jep një emër të ri. Levi, do të thotë: I afeksionuar. Pas takimit me Jezusin do të bëhet Mateu, që do të thotë: Dhuratë e Hyjit” ose “Njeri i Hyjit”.

Siç e dëgjuam, përgjigjja e Levit është e menjëhershme: Duke lënë gjithçka, u ngrit dhe e shkoj pas Jezusit. Ai që ishte i afeksionuar pas pasurisë tokësore, tani kapet për pasurisë qiellore. Pastaj ndodh diçka shumë e bukur: Levi përgatitë në shtëpinë e vet një gosti të madhe. Në këtë gosti mblidhen tagrambledhës e mëkatarë dhe ulen në tryezë bashkë me Jezusin. Këtu nuk mungojnë as Farisenjtë dhe Skribët  me murmurimet e tyre si rregullisht. Ata u thanë nxënësve të tij: “Pse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?Sigurisht, ata mendojnë se shenjtëria ruhet duke u larguar nga mëkatarët. Por Jezusi zbulon një shenjtëri tjetër: shenjtërinë që afrohet për të shëruar. Jezusi  nuk përjashton por shëron. Ai nuk trembet nga errësira e njeriut, sepse Ai vetë është Drita. Prandaj fakti se Jezusi ha me  mëkatarët nuk bën kompromis, por strategji shpëtimi.

Përgjigjja e Jezusit është qendra e Ungjillit: Të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjek, por të sëmurit Këtu Jezusi na zbulon se është Mjeku hyjnor, që vjen të shërojë plagët e mëkatit. Këtu ne të gjithë kuptojmë se mëkati nuk është më arsye përjashtimi, por mundësi shërimi. Kisha e sheh këtë  episod si themel i Sakramentit të Rrëfimit, ku Krishti vazhdon të veprojë si Mjek i shpirtrave. Kisha është vendi ku mëkatarët ulen në tryezë me Krishtin, jo për të justifikuar mëkatet, por për t’u shëruar. Po të dashur dëgjues, çdo herë që i afrohemi Rrëfimit edhe Eukaristisë, ne ri-përjetojmë gostinë e Levit, d.m.th përjetojmë pranimin dhe mëshirën e Mjekut hyjnorë.

 

O Jezus, Mjek hyjnor, shëro atë që është e sëmurë në mua, ndriço errësirën time dhe më ndihmo të besoj se mëshira Jote është më e madhe se mëkatet e mia.

Mari streha e mëkatarëve, lutu për ne!