Vejusha prej skamjes së vet qiti gjithçka pati!
6 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Vejusha prej skamjes së vet qiti gjithçka pati!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT- Mk 12, 38-44
Pastaj në mësimin e vet u thoshte: “Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin të tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e bëjnë gjasme thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!” Pastaj u ul përballë arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, d. m. th. një të katërtën e asit. Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që hodhën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.”
Ungjilli i sotëm mund të ndahet në dy pjesë. Në të parën, Jezusi i drejtohet turmës, duke e paralajmëruar kundër sjelljes së skribëve. Në të dytën, Ai u drejtohet dishepujve për të tërhequr vëmendjen e tyre te një vejushë e varfër që jep në thesarin e Tempullit gjithçka që zotëron. Nga njëra anë, Jezusi na thotë: “Ruhuni nga…”; nga ana tjetër, na fton të “shikojmë te dhurata e vejushës skamnore…”
“Ruajuni prej skribëve.” Skribët ishin ekspertët e Torahut, mësuesit e Ligjit, teologët dhe juristët e kohës. Ata nuk janë figura që ngjallin dyshim; ishin njerëz të respektuar, të dëgjuar dhe të nderuar. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku: një jetë fetare që duket e shenjtë nga jashtë, por që brenda është e zbrazët nga dashuria. Prandaj Jezusi bën thirrje për vigjilencë shpirtërore. Jezusi përshkrua disa sjellje të skribëve: “U pëlqen të shëtisin në petka të gjata dhe t’i përshëndesin të tjerët në sheshe.” Këtu sigurisht nuk është fjala për veshjen, por për zemrën që kërkon të duket. Edhe Shën Ambrozi porosiste: Kujdesni prej atyre që kërkojnë lavdinë e jashtme më shumë se pastërtinë e brendshme. Sot i krishteri me zemrën e skribit e mat vlerën e vet me duartrokitjet e botës dhe jo me dashurinë e Hyjit. Ai kërkon të admirohet nga njerëzit më shumë sesa të pëlqehet nga Hyji.
Prandaj, i dashur dëgjues, kujdes! Mos e mbështet zemrën mbi lavdërimin e njerëzve, sepse ajo që jepet nga njerëzit është kalimtare si era: sot të lartësojnë dhe nesër të harrojnë.
Me të vërtetë, kush jeton nga miratimi i njerëzve, mbetet skllav i tyre; kush jeton nga dashuria e Hyjit, gjen lirinë e zemrës.
Vazhdon Jezusi duke thënë se Skribve: “U pëlqen të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti.” Ky është një nga tundimet më të vjetra të njeriut fetar: të jetë i pari në sytë e njerëzve, të jetë i admiruar dhe i vlerësuar nga njerëzit. Por, kush e vendos veten në qendër të vëmendjes së njerëzve, rrezikon ta zhvendosë Hyjin nga qendra e zemrës së tij. Jezusi demaskon një fe që ushqehet dukjen e jashtme, por që i mungon dashuria e vërtetë. Në vend që t’i shërbejnë Hyjit, këta përdorin Hyjin: “luten gjatë për t’u dukur”; dhe në vend që t’i shërbejnë të afërmit, e shfrytëzojnë atë, duke arritur madje Të përlajnë shtëpitë e vejushave... Sot Krishti zbulon fytyrën më të errët të hipokrizisë fetare, të fshehur nën petkun e devotshmërisë. Sa herë që feja humbet dashurinë, ajo fillon të prodhojë padrejtësi. Dhe kur mungon drejtësia, lutja nuk është më dialog me Hyjin, por zhurmë fjalësh që humbasin në boshllëk. Prandaj fjalët e Jezusit janë serioze dhe të rënda: “Do të gjykohen veçanërisht rreptë”.
Në pjesën e dytë të Ungjillit, skena ndryshon. Jezusi është i ulur përballë arkës së Tempullit dhe vështron njerëz të rëndësishëm, dhe të pasur që hedhin ofertat e tyre të mëdha. Por ja që afrohet një vejushë; ajo hedh në arkë dy monedha të vogla. Është pothuajse asgjë, por të është gjithçka që ajo kishte për të jetuar.
Atëherë Jezusi i i thirri nxënësit e vet dhe u tha: ‘Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët, sepse dha gjithë sa pati për jetesën e vet. Zoti nuk mat “sa”, por “si” dhe “pse”. Vejusha na mëson se dhurata më e madhe është besimi që i jep gjithçka Zotit, edhe kur duket pak në sytë e botës. Zoti nuk kërkon pasurinë tonë, por vetveten tonë të plotë. Ajo që e bën të madhe veprën e vejushës është se ajo i besoi Zotit më shumë se sigurisë së vet. Kjo do të thotë: ta duash Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde. Kështu vejusha e varfër e Ungjillit parathotë në mënyrë profetike atë që do të bëjë Jezusi tri ditë më vonë, duke ia dorëzuar jetën e Vet, Atit për ne.
O Zot Jezus, na jep një zemër të pastër dhe të përvuajtur, që të mos kërkojmë lavdinë e njerëzve, por vetëm dashurinë Tënde. Na liro nga çdo gjë e tepërt në zemrën tonë dhe na mëso të jetoj me besim të plotë nw Ty, edhe kur nuk kemi asgjë tjetër përveç Teje. Amen.