Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën!

31 Maj 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën!”

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT -Gjn 3, 16-18

 

Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm nuk fillon me mëkatin e njeriut, por me dashurinë e Hyjit: “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën...” Jezusi nuk tha vetëm se Hyji e deshi botën, por se e deshi “aq fort”, për të treguar pafundësinë e dashurisë së Tij. R. Cantalamessa thotë se fjala më e rëndësishme në Bibël është: “Hyji të do.” Jo në mënyrë të përgjithshme, por të do personalisht, konkretisht dhe tani. Prandaj ndalohu për një moment, i dashur dëgjues, dhe meditoje këtë fjalë: Hyji të do. Jo sepse je i përsosur. Jo sepse nuk gabon. Jo sepse e meriton. Ai të do sepse është Ati yt. Dashuria e vërtetë matet jo me fjalë, por me atë që je gati të japësh.

Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet. Kjo është masa e dashurisë së Tij. Ati nuk na dha diçka. Ai na dha dikë: Birin e Tij. Po, në Krishtin, Hyji hyn në historinë tonë, prek plagët tona, vuan me ne dhe vdes për ne.

Ndoshta edhe ti, i dashur dëgjues, në zemrën tënde mban: plagë të vjetra, ndjenja faji, mëkate të fshehta, turp për dobësitë e tua, apo zhgënjim që të mbyll zemrën. Por dije se në Kryq, Jezusi të thotë: “Ti je aq i dashur për mua, sa dhashë jetën time për ty.” Në Kryq, Hyji nuk flet me fjalë, por me gjakun e Jezusit, për të treguar sa i çmuar je në sytë e Tij. Prandaj thotë Ungjilltari: “Secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.” Besimi nuk është vetëm të pranosh se Hyji ekziston, por ta lejosh Krishtin të hyjë në zemrën tënde dhe t’i dorëzohesh dashurisë së Tij. Shën Augustini thoshte: Besimi është të prekësh Krishtin me zemër. Ky besim ndryshon jetën, pastron zemrën dhe ripërtërin shpirtin. Kujdes! Besimi nuk do të thotë mungesë vuajtjeje. Por, do të thotë të dish se nuk je vetëm në vuajtje.

Kështu, të mos birresh” do të thotë, të mos e humbasësh kuptimin e jetës në egoizëm apo dëshpërim. Ndërsa, besimi në Krishtin e çon njeriun drejt një jete që nuk njeh fund, sepse rrjedh nga dashuria e pashtershme e Hyjit.

Siç e dëgjuam, Jezusi nuk thotë vetëm “do të ketë” jetën e pasosur, por: “ka” jetën e pasosur. Me të vërtetë, të dashur dëgjues, Jeta e pasosur fillon kur falim, kur duam, kur lutemi, kur jetojmë në hir, kur e vendosim Krishtin në qendër të zemrës sonë.

Jeta e pasosur është jeta e Shpirtit Shenjt në ne.

Vazhdon Ungjilli: “Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën...” Kjo është një nga fjalët më ngushëlluese të Ungjillit. Krishti vjen si mjek, jo si xhelat. Në Ungjill e shohim se: Jezusi fal, Jezusi prek të papastërit, ha me mëkatarët dhe kërkon të humburit.

Shpesh frika nga Hyji lind sepse Ai shihet si gjykatës i ashpër, jo si Atë i dashur. Kjo frikë shërohet vetëm duke soditur Krishtin. Kush sheh Krishtin, sheh mëshirën e Atit.

Ungjilli përfundon me disa fjalë që në pamje të parë duken të ashpra: Kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

Dënimi fillon kur njeriu refuzon dritën. Kur zemra mbyllet ndaj Krishtit: errësira rritet, egoizmi forcohet, shpirti dobësohet. Hyji i mirë e respekton aq shumë lirinë e njeriut, sa pranon edhe mundësinë që njeriu ta refuzojë dashurinë e Tij. Po, në zemrën e njeriut zhvillohet drama më e madhe: pranimi ose refuzimi i dritës së Krishtit. Por Ungjilli mbetet gjithmonë lajm shprese: dera është vazhdimisht e hapur. Kështu Ungjill i sotëm na thotë tri të vërteta të mëdha: Hyji të do personalisht; Krishti erdhi për të të shpëtuar, jo për të të dënuar; Besimi është porta e jetës së pasosur.

 

O Hyji i dashurisë së pamasë, që aq fort e deshe botën sa na dhe Birin tënd, bëje zemrën time banesë të kësaj dashurie, që të jetoj e fshehur në Ty, për Ty dhe në Ty.

O Jezus, Ti që më deshe deri në Kryq, mos lejo që zemra ime të largohet prej Teje. Në errësirën time bëhu dritë, në dobësinë time bëhu forcë, dhe në mbrëmjen e jetës tokësore, më tërhiq në dritën e fytyrës sate! Amen.