Zemra e njeriut është zemra e njeriut ku bie Fjala e Zotit!

12 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Zemra e njeriut është zemra e njeriut ku bie Fjala e Zotit!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT- (Mt 13, 1-23)

 

Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hypi në barkë dhe u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg. U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra. Kështu u tha: “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. Disa tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. Kurse disa tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish. Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Pse po u flet me shëmbëlltyra?” Ai u përgjigji: “Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: ‘Mirë do të dëgjoni, por s’do të kuptoni; mirë do të shikoni, por nuk do të shihni. Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!’ Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! Përnjëmend po ju them: shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan. Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll pranë udhës. E i mbjelli në zallinë, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete, pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. E i mbjelli në ferra, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbet pa fryt. E i mbjelli në tokë të mirë është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton, dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”

 

Siç e dëgjuam, Ungjilli fillon: “Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit.” Benedikti XVI thekson se “dalja e Jezusit prej shtëpisë” shihet si shenja e hyrjes së Fjalës së përjetshme në botë për ta bërë të njohur dashurinë e Atit. “Shtëpia” simbolizon kraharorin e Atit, ndërsa “dalja” është Mishërimi. Deti përfaqëson botën e trazuar; Krishti ulet pranë saj për ta qetësuar e ngushëlluar me Praninë e Tij. Turma e madhe që ngarend tek Jezusi tregon etjen e thellë të zemrës njerëzore për Fjalën e Hyjit, për të vërtetën. Aty Jezusi, me autoritetin e Tij hyjnor dhe me fuqinë e së vërtetës, fillon t'i mësojë turmat. Ai fillon me shëmbëlltyrën e mbjellësit, sepse Mbjellësi është vetë Krishti, Fjala e amshuar e Atit, i cili mbjell me bujari dhe pa u lodhur në çdo zemër njerëzore.

Kuptojmë prej Ungjillit se ka zemra që janë si udha e shkelur: Fjala dëgjohet, por nuk depërton brenda, sepse zemra e shkelur nga mëkatet, krenaria dhe zakonet e këqija është bërë e fortë. Shpendët janë mendimet e liga që e rrëmbejnë menjëherë Fjalën. Armiku i shpirtit dëshiron që ne ta harrojmë Ungjillin sapo dalim nga kisha ose sapo mbaron lutja.

Ka zemra si zallina, të cilat e pranojnë Fjalën me gëzim, por nuk kanë thellësi. Kjo ndodhë kur njeriu e pranon fjalën me gëzim, por nuk ndërtojnë një marrëdhënie të thellë me Krishtin. Vështirësitë dhe sprovat zbulojnë sa të thella janë rrënjët tona. Ai që është i rrënjosur në Krishtin nuk digjet nga vuajtja, por forcohet prej saj. Rrënjët krijohen në lutjen e përditshme, në Sakramente, në leximin e Fjalës së Hyjit dhe në besnikërinë e vogël të çdo dite. Askush nuk bëhet dishepull i fortë pa rrënjë të thella në Krishtin.

Ka edhe zemra të mbuluara nga ferrat. Ferrat janë gjërat që e mbushin zemrën tonë deri në atë pikë sa nuk mbetet më hapësire për Zotin. Nuk janë gjithmonë gjëra të këqija; ndonjëherë janë shqetësimet, puna e tepërt, ambiciet, frika ose dëshirat e kësaj botë...

Ndërsa, toka e mirë është zemra që dëgjon, ruan dhe jeton Fjalën e Hyjit. Nuk është zemra e përsosur, por zemra që lejon Zotin ta punojë, ta pastrojë dhe ta ndryshojë. Këta japin fryte shenjtërie. Tamam ashtu si toka e punuar mirë jep fryt të bollshëm, edhe shpirti që e ruan Fjalën e Hyjit sjell fryte të shumta. Sigurisht, Zoti nuk pret të njëjtin fryt nga të gjithë, por sipas hireve dhe dhuratave që secili ka marrë, nga çdo zemër Ai pret që të japë fryte.

Dhe Hyji ju jep gjithmonë e më shumë atyre që janë besnikë ndaj hireve që kanë marrë dhe japin fryte. Prandaj, të dashur dëgjues: Mos të mjaftohemi me pak. Ta kërkojmë Krishtin, ta dëshirojmë Atë dhe ta duam Atë gjithnjë e më shumë.

Fjalën që Jezusi thotë: “Shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë”, Shën Josemaría e lidh me rrezikun e rutinës shpirtërore. Njeriu mund të marrë pjesë në Meshë, të dëgjojë Ungjillin dhe të lutet, por, nëse zemra e tij është e shpërqendruar ose e mbyllur, ai nuk e lejon Fjalën e Hyjit ta transformojë.

Jezusi u thotë nxënësve edhe: “Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë!”.

Kjo lumturi nuk vjen nga fakti se nxënësit panë Jezusin me sytë e trupit, por sepse besuan në Të dhe e pranuan misterin e Mbretërisë. Shumë profetë e të drejtë e pritën këtë ditë, por apostujve iu dha hiri ta shihnin dhe ta dëgjonin vetë Fjalën e mishëruar. Edhe për ne, lumturia e vërtetë është të kemi sy që shohin praninë e Hyjit dhe veshë që dëgjojnë zërin e Tij në jetën tonë të përditshme. Prandaj, ky Ungjill na fton të pyesim veten: A po bashkëpunoj me hirin që Hyji më ka dhënë? A kam sy për të parë praninë e Krishtit në jetën time? A kam veshë për të dëgjuar atë që Ai dëshiron të më thotë?

 

O Jezus, Mbjellësi hyjnor, përgatite zemrën time që të jetë tokë e mirë për Fjalën Tënde. Largo gjithçka që e pengon hirin Tënd dhe më jep sy për të parë praninë Tënde dhe veshë për të dëgjuar zërin Tënd çdo ditë. Amen.