Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija!

16 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Tema: “Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 4, 43-54

 

Pas këtyre dy ditëve shkoi prej andej në Galile.  Në të vërtetë Jezusi kishte thënë se profeti nuk nderohet në vendin e vet.  Kur arriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë se çka kishte bërë në Jerusalem në kohë të festës. Sepse edhe ata kishin qenë për festë. Erdhi, pra, prapë në Kanë të Galilesë, ku e kishte shndërruar ujin në verë. Aty ishte jë nëpunës i mbretit, i cili e kishte djalin të sëmurë në Kafarnaum.  Ky, kur mori vesh se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai e iu lut të zbriste t’ia shëronte djalin që ishte në fill të vdekjes. Jezusi i tha: “Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni.”  Nëpunësi mbretëror iu përgjigj: “Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija.”

“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ djali yt është shëndoshë!” Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.  Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: “Djali yt është shëndoshë e mirë!”  I pyeti për kohë kur filloi të bëjë më mirë. Ata i thanë: “Dje rreth orës shtatë e lëshuan ethet!”  I ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: “Djali yt është shëndoshë!” Dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij.  Kjo ishte mrekullia e dytë që Jezusi bëri, kur u kthye prej Judesë në Galile.

 

Ungjilli i sotëm na vendos përballë dy mënyrave të besimit: besimit që kërkon të shohë mrekulli, dhe besimit që mbështetet në Fjalën e Zotit.

Dëgjuam se Jezusi largohet nga Samaritanët, që besuan në Të jo për shkak të Mrekullive, por për shkak të Fjalës. Tani Jezusi kthehet në Galile,  territor më “familjar”, por më pak i hapur. Kalimi nga Samaria në Galile krijon një kontrast: ata që konsideroheshin “të huaj” besuan në Fjalën e Jezusit; tani “të vetët” kërkojnë mrekulli. Po kur Jezusi vjen në territorin e jetës sonë, në situatat tona të përditshme. Kur Ai troket në zemrën tonë, a e presim me zemër të hapur, apo jemi ne kërkim të shenjave?

Të dashur dëgjues, një besim i mbështetur vetëm në mrekulli mbetet i brishtë. Mrekullitë mund të zgjojnë interes, por nuk garantojnë kthim. Feja e vërtetë i tejkalon shenjat. Zoti kërkon zemër që e pranon Atë, jo vetëm sy që duan të shohin mrekulli. Ky Ungjill na thërret ta pyesim veten: Po nëse Zoti nuk do të bënte asnjë mrekulli në jetën time, unë a do të vazhdoj ta dua Zotin, ta kërkoj Atë?

Vazhdon Ungjilltari duke thanë: Një nëpunës i mbretit, shkon tek Jezusi dhe i lutet që të zbriste e t’ia shëronte djalin që e kishte në fill të vdekjes. Ai ishte një njeri me autoritet dhe me pushtet, por përball vdekjes ishte i pafuqishëm. Sëmundja e fëmijës e çon babën drejt Jezusit. Në fakt, ndodhë shpesh që vuajtjet, dhimbjet dhe plagët e thella të familjarëve bëhen porta e takimit me Krishtin. Ky njeri/baba shkon tek Jezusi sepse beson në fuqinë e Tij. Por mendon se vetëm nëse shkon Jezusi fizikisht djali i tij do të shërohet.

Jezusi i tha: Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni. Me ketë fjalë Jezusi dëshiron të na çojë në besim më të thellë. Në një besim që lind nga dëgjimi i Fjalës. Por nëpunësi mbretëror vazhdon të këmbëngulë: Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija. Dhimbja e zemrës së atit është më e fortë se krenaria. Prandaj lutja e tij bëhet më e përulur, më e thellë dhe më këmbëngulëse.

Atëherë Jezusi i tha:  “Shko djali yt është shëndoshë!”

Jezusi nuk shkon fizikisht. Por i flet. Dhe njeriu i besoi fjalës së Jezusit dhe shkoi. Këtu ndodh edhe mrekullia e vërtetë. Këtu ndodh kthesa e vërtetë. Ai i beson fjalës që Jezusi i thotë dhe niset të shkoj. Ky është besimi i vërtetë: Të ecësh në Fjalën e Jezusit pa parë shenja të menjëhershme. Fjala Jezusit është burimi i shërimit dhe burim i jetës. Thotë Ungjilli: Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: “Djali yt është shëndoshë e mirë! Ja, mrekullia erdhi përmes fjalës. Dhe i ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: “Djali yt është shëndoshë!” Ne shpesh kuptojmë veprimin e Zotit vetëm pasi kemi ecur në bindje ndaj Fjalës së Jezusit. O sa hire të mëdha do të vijnë në jetën tonë nëse i besojmë me gjithë zemër Fjalës së Jezusit! Kur Fjala e Krishtit pranohet me besim, ajo bëhet brenda nesh burim hiri, burim bekimi, dhe burim shërimi. Të dashur dëgjues Ungjilli i sotëm është ftesë për të kaluar nga një besim i varur prej mrekullive, në një besim të mbështetur në Fjalën e Jezusit.

 

Besimi i atit përhapet si dritë në familje. Thotë Ungjilli: Besoi ai e mbarë shtëpia e tij. Besimi i atit bëhet burim gëzimi për të gjithë. Një babë që beson ndryshon familjen.

Kjo na kujton përgjegjësinë shpirtërore që kemi brenda familjeve tona.

O Jezus, Ti që jep jetë me fuqinë e Fjalës sate, çlirojë zemrën tonë nga besimi që kërkon vetëm shenja. Le të bëhet Fjala Jote, burim hiri, burim shërimi, dhe burim bekimi për familjet tona. Amen.