Zotëri, ki mëshirë për djalin tim!”
8 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“Zotëri, ki mëshirë për djalin tim!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 17, 14-20)
Kur mbërritën te populli, iu afrua një njeri, ra në gjunj para tij dhe i tha: “Zotëri, ki mëshirë për djalin tim: i bie e tokës dhe po vuan shumë. Shpesh bie herë në zjarr e herë në ujë! E solla te nxënësit e tu, por ata s’mundën ta shërojnë.” “O brezni e pafe dhe e prishur ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jetoj mes jush? Po deri kur do t’ju duroj? Ma bini këtu!” Atëherë Jezusi e urdhëroi djallin e ky doli prej djaloshit, që u shërua në atë çast.
Atëherë nxënësit, iu afruan veçmas Jezusit dhe e pyetën: “Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?” Ai u përgjigj: “Për shkak të besimit tuaj të pakët! Përnjëmend po ju them: në paçit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: ‘Dil këndej e shko atje!’, do të kalojë dhe asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme!”.
Ajo që bie në sy menjëherë në Ungjillin e sotëm është guximi i këtij babai. Ai nuk turpërohet të gjunjëzohet para Jezusit, edhe pse ndodhet në mes të turmës. Ai nuk mendon se çfarë do të thonë të tjerët; e vetmja gjë që ka rëndësi për të është ta çojë të birin te Jezusi. Dhe nga zemra e këtij babai buron një nga lutjet më të thella dhe më prekëse të Ungjillit: "Ki mëshirë për djalin tim." Në një lutje të tillë, zemra e njeriut bashkohet me zemrën e Krishtit, e cila gjithmonë preket nga dhimbja njerëzore dhe është e gatshme të dhurojë mëshirë. Edhe ne, të dashur dëgjues, jemi të thirrur të bëhemi ndërmjetës për të tjerët: për fëmijët tanë, për familjarët, për miqtë, për ata që janë larg Hyjit. Ndoshta nuk mund t’ua zgjidhim të gjitha problemet, nuk mund t’ua shërojmë plagët dhe as t’ua heqim kryqin. Por gjithmonë mund t’i marrim me vete në lutje dhe t’ia paraqesim para Krishtit. Besimi nuk është të mos kesh vuajtje, por të mos e përballosh vuajtjen pa Krishtin.
Ai i afrohet Jezusit me dhimbjen e një ati që sheh vuajtjen e birit të tij dhe i thotë: "I bie e tokës dhe po vuan shumë. Shpesh bie herë në zjarr e herë në ujë!" I Keqi dëshiron ta shkatërrojë njeriun duke e shtyrë nga një ekstrem në tjetrin: herë drejt pasioneve të çrregullta që e djegin zemrën: zemërimi, krenaria, lakmia; herë drejt frikës dhe dëshpërimit që e fundos njeriun. Po, shpirti që nuk është i rrënjosur në Krisht lëkundet vazhdimisht mes këtyre dy skajeve: ose digjet nga pasionet, ose mbytet nga dëshpërimi e frika. Ndërsa Jezusi na çon drejt lirisë, drejt paqes dhe drejt jetës.
Më pas, ky baba i drejtohet Jezusit edhe me këto fjalë: "E solla te nxënësit e tu, por ata s’mundën ta shërojnë." Ky rresht i Ungjillit është aktual edhe sot. Edhe ne, si dishepujt, mund të përpiqemi të ndihmojmë të tjerët, të këshillojmë, të lutemi, të punojmë me zell dhe, megjithatë, të përballemi me situata ku nuk mund të bëjmë asgjë. Por këto çaste nuk janë dështime të pakuptimta. Janë momente hiri, në të cilat Hyji na mëson të heqim dorë nga besimi në forcat tona dhe të pranojmë se vetëm Krishti shpëton. Ne jemi thjesht bashkëpunëtorët e Tij, mjete të brishta, që bëhen të frytshme vetëm kur qëndrojnë në bashkim të thellë me Të.
Tani vjen përgjigjja e Jezusit: "O brezni e pafe dhe e prishur, deri kur do të jetoj mes jush? Po deri kur do t’ju duroj?" Kjo nuk është një shpërthim zemërimi, por si një klithmë e dashurisë së Hyjit për zemrat që nuk duan të besojnë. Jezusi nuk ankohet për dobësinë e njeriut, por për ngurtësinë e zemrës që nuk pranon hirin. Sepse ai që beson, ia hap derën Krishtit; ai që nuk beson, e lë veten rob të armikut.
Pastaj Krishti ju thotë: "Ma bini këtu!" Kjo është edhe ftesa që Zoti na bën çdo ditë: ma sill mëkatin tënd, ma sill frikën tënde, ma sill varësinë tënde, ma sill familjen tënde, ma sill zemrën tënde. Shërimi ndodh me një urdhër të vetëm. Kjo tregon se e keqja nuk është një fuqi e barabartë me Hyjin. Në Krishtin, Mbretëria e Hyjit ka hyrë në botë dhe pushteti i së keqes është tashmë i mundur. Prandaj, jeta e krishterë nuk është një luftë ku nuk dimë se kush do të fitojë; është një betejë që zhvillohet nën fitoren e Krishtit të Ngjallur.
"Atëherë nxënësit iu afruan veçmas Jezusit dhe e pyetën: ‘Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?’ Ai u përgjigj: ‘Për shkak të besimit tuaj të pakët!’" Jezusi nuk ju thotë se nxënësit nuk kishin besim aspak, por se besimi i tyre ishte i vogël. Ata kishin parë mrekullitë e Jezusit dhe kishin marrë prej Tij autoritet mbi shpirtrat e këqij, por në këtë rast duhej të kuptonin më thellë se pa Krishtin nuk mund të bëjnë asgjë. Kur njeriu fillon të mbështetet në vetvete, edhe dhuratat që ka marrë humbasin frytin e tyre.
Prandaj u thotë apostujve: "Përnjëmend po ju them: në paçit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: ‘Dil këndej e shko atje!’ Do të kalojë dhe asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme!" Një kokërr sinapi është e vogël, por është e mbushur me një fuqi të fshehur që, kur mbillet në tokë, bëhet një bimë e madhe. Kështu është edhe besimi. Në fillim ai mund të duket i vogël dhe i brishtë, por kur ushqehet me Fjalën e Hyjit, me lutjen dhe me sakramentet, ai rritet dhe jep fryte që tejkalojnë çdo pritshmëri njerëzore. Pyetja është: A e ushqejmë çdo ditë besimin tonë, apo presim që ai të rritet vetvetiu?
Po çfarë është "mali" për të cilin flet Jezusi? Mali është gjithçka që duket e pamundur për njeriun: një zemër që nuk fal, një mëkat që është bërë zakon, një frikë që na paralizon, një vuajtje që nuk arrijmë ta kuptojmë, një plagë që nuk shërohet, një marrëdhënie e vështirë, një familje e përçarë ose një kryq që duket tepër i rëndë.
Jezusi nuk na kërkon të kemi besim te vetja, por te fuqia e Tij. Kur mbështetemi tek Ai, edhe ajo që dukej e pamundur fillon të lëvizë. Besimi nuk i mohon malet, por shpall se mbi çdo mal qëndron Zoti. Kur njeriu pushon së mbështeturi vetëm në vetvete dhe mbështetet te Krishti, e pamundura bëhet vendi ku shfaqet fuqia e hirit.
O Zot Jezus, rrite besimin tonë të vogël. Na mëso të mos mbështetemi në fuqinë tonë, por në hirin dhe dashurinë tënde. Na ndihmo t’i sjellim para Teje të gjitha plagët, frikat dhe vështirësitë tona, duke besuar se për Ty asgjë nuk është e pamundur. Amen.