Zotëria im dhe Hyji im!

3 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Zotëria im dhe Hyji im!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 20, 24-29

Sh. Toma, festë.

 

Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ai që quhet Binjak nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!”. Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vrimën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e vënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” . Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”

 

Sot është festa e Shën Tomës dhe, siç e dëgjuat, Ungjilli na flet për takimin e Jezusit të Ringjallur me apostullin që donte të shihte për të besuar. Për këtë arsye shumë e quajnë Tomën “jobesimtari”. Por, në të vërtetë, mesazhi i këtij Ungjilli është krejt tjetër...

Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve, nuk ishte i pranishëm kur Jezusi iu shfaq nxënësve një javë më parë. Ai nuk i besoi dëshmisë së të tjerëve që thoshin: “E pamë Zotërinë!”. Toma u thotë: “Pa e parë në duart e tij vrimat e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Toma është kërkues dhe këmbëngulës. Për të besuar, ai dëshiron të shohë! Nuk po kërkon një mrekulli që të mund të besojë. Jo! Por ai dëshiron ta shohë Jezusin dhe t’i prekë plagët e Tij. Toma, të dashur dëgjues, e donte Jezusin deri në atë pikë sa ishte i gatshëm të vdiste me Të. Në kapitullin 11 ai thotë: “Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me Të!”. Ndërsa tek kapitulli 14, e shohim Tomën që i thotë Jezusit: “Zotëri, ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?” Jezusi u përgjigj: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.” Ndërsa tani, për Tomën, udha është zhdukur, e vërteta është errësuar dhe jeta ka vdekur në kryq. Toma ishte thellësisht i tronditur nga Kryqëzimi i Jezusit; prandaj ai dëshironte të shihte pikërisht Krishtin e kryqëzuar, me shenjat e plagëve të Tij. Ai dëshiron sigurinë se Jezusi i Ringjallur është po ai Jezus që vuajti në Kalvar.

Thotë Ungjilli se: “Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: ‘Paqja me ju!’” Më pas, Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”

Jezusi nuk e kritikon as nuk e gjykon Tomën për mosbesimin. Nuk i thotë: “Nëse të tjerët kanë besuar, pse nuk beson ti?” Por i afrohet atij me një mirësi të jashtëzakonshme dhe i thotë: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. Toma mund t’i prekë plagët e Jezusit, të cilat në mënyrë të mistershme janë ende të hapura. Ato plagë, të cilat janë shenjë se dashuria është më e fortë edhe se vdekja. Shën Çirili i Aleksandrisë thotë: “Plagët e Krishtit janë si një libër i hapur ku lexojmë dashurinë e Hyjit dhe çmimin e shpëtimit tonë.” Edhe Shën Bernardi thotë: “Në plagët e Krishtit gjej sigurinë time. Përmes plagëve të Tij hyj në zemrën e Tij.” Po, plagët e Krishtit janë burim shërimi edhe për plagët e shpirtit tonë.

Përvoja me Krishtin e Ringjallur e çoi Tomën në një nga shpalljet më të bukura të besimit: “Zotëria im dhe Hyji im!” Fjalët e Tomës janë një shpallje e drejtpërdrejtë e hyjnisë së Krishtit. Toma me gisht prek mishin e Jezusit, dhe me zemër depërton në natyrën hyjnore të Jezusit. Prandaj përgjigjja e Tomës mbahet si shpallja më e thellë e besimit personal në gjithë Ungjillin. Toma është apostulli i fundit që e pa Jezusin dhe besimtari i parë që shpall: “Zoti im dhe Hyji im.”

Atëherë Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”. Kjo, nuk është një “korrigjim” për Tomën, por një bekim për ne. Ne jemi të lumë, sepse na është dhënë Shpirti Shenjt, na është dhënë edhe mundësia të dëgjojmë Fjalën e Zotit; prandaj edhe ne mund ta bëjmë të njëjtën shpallje si Toma: “Zoti im dhe Hyji im!”

Përfundoj duke thënë se ky fragment i Ungjillit të Gjonit është një nga tekstet më të dashura dhe më të thella për jetën shpirtërore. Të gjithë mund ta lexojmë jo vetëm si një ngjarje historike, por si një përvojë që ndodh edhe sot në jetën tonë.

 

O Zot Jezus, ashtu si Tomën, edhe ne na tako në dyshimet dhe në plagët tona. Na jep hirin të bëjmë një përvojë të thellë të pranisë Sate dhe të themi me besim: “Zoti im dhe Hyji im!”. Forcoje besimin tonë, shëroji plagët tona dhe na bëj dëshmitarë të vërtetë të dashurisë sate në botë. Amen.