RENDI I MESHËS

RENDI I MESHËS

Ritet fillestare

 

Pasi të jetë bashkuar populli, meshtari me shërbestarët shkon tek altari, ndërkaq këndohet kënga e hyrjes.

 

Meshtari: Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.

 

Populli: Amen.

 

Meshtari: Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkimi i Shpirtit Shenjt qoftë me ju të gjithë.

 

   Ose:

 

Hiri dhe paqja e Hyjit, Atit tonë dhe e Jezu Krishtit Zot qoftë me ju të gjithë.

 

   Ose: Zoti qoftë me ju.

 

Populli përgjigjet: Dhe me shpirtin tënd.

 

Ipeshkvi, në vend të Zoti qoftë me ju, thotë: Paqja me ju.

 

Riti i pendimit

 

Meshtari: Vëllezër e motra, t’i pranojmë mëkatet tona, që të mund t’i kremtojmë denjësisht misteret e shenjta.

 

Po i rrëfehem Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe juve, vëllezër e motra, se kam mëkatuar shumë, me mendime, me fjalë, me vepra dhe me lëshime: për fajin tim, për fajin tim, për më të madhin fajin tim. Prandaj po i porositem së lumes Mari gjithmonë Virgjër, të gjithë engjëjve, shenjtërve dhe juve, vëllezër e motra, që t’i luteni për mua Zotit, Hyjit tonë.

 

Meshtari: Hyji i gjithëpushtetshëm pastë mëshirë për ne, na i faltë mëkatet tona dhe na përcjelltë në jetën e pasosur.

 

Populli: Amen.

 

   Ose:

 

Meshtari: Vëllezër e motra, t’i pranojmë mëkatet tona, që të mund t’i kremtojmë denjësisht misteret e shenjta.

 

Populli: Sepse kemi mëkatuar kundër teje.

 

Meshtari: Na e dëfto, o Zot, mëshirën tënde.

 

Populli: Dhe na jep shpëtimin tënd.

 

Meshtari: Hyji i gjithëpushtetshëm pastë mëshirë për ne, na i faltë mëkatet tona dhe na përcjelltë në jetën e pasosur.

 

Populli: Amen.

 

M. O Zot, ki mëshirë.

P. O Zot, ki mëshirë.

M. O Krisht, ki mëshirë.

P. O Krisht, ki mëshirë.

M. O Zot, ki mëshirë.

P. O Zot, ki mëshirë.

 

Meshtari:

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

Populli: e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë. Ne po të lëvdojmë, po të bekojmë, po të adhurojmë, po të madhërojmë, po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi. Zot Hyj, Mbret qiellor, Hyj Atë i gjithëpushtetshëm. Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht, Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit, Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne, Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne. Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti, vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht, së bashku me Shpirtin Shenjt, në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Meshtari: Të lutemi.

 

Populli: Amen.

Liturgjia e fjalës

 

Lexuesi: Fjala e Zotit.

 

Populli: Falënderojmë Hyjin.

 

Lexuesi: Fjala e Zotit.

 

Populli: Falënderojmë Hyjin.

 

Vijon Aleluja,

 

Diakoni apo meshtari: Zoti qoftë me ju.

 

Populli: Dhe me shpirtin tënd.

 

Diakoni apo meshtari: Leximi prej Ungjillit të shenjtë sipas E.

 

Populli: Lumturi të qoftë ty, o Zot.

 

Diakoni ose meshtari: Fjala e Zotit.

 

Të gjithë përgjigjen: Lavdi ty, o Krisht.

 

Meshtari nën zë: Me anën e fjalëve të Ungjillit u shlefshin fajet tona.

 

Shpallja e fesë:

 

Meshtari: Besoj në një Hyj të vetëm,

Populli: Atin e gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit e të tokës, të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen. Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin, një të vetmin Birin e Hyjit, të lindur prej Atit para të gjithë shekujve. Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë. I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin, nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet. Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

   Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri. U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat, pësoi dhe u varros dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit. Dhe përsëri do të vijë me lavdi për të gjykuar të gjallët e të vdekurit, e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,që rrjedh prej Atit e prej Birit, që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet, që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike. Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve. Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Liturgjia e Eukaristisë

 

Meshtari: I bekuar je Ti, o Zot, Hyj i gjithësisë: prej bujarisë sate e morëm bukën që po ta kushtojmë, fryt i tokës dhe i punës së duarve të njerëzve: do të bëhet për ne buka e jetës së pasosur.

 

Populli: Qoftë bekuar Zoti në amshim.

 

Meshtari nënë zë: Me anën e misterit të këtij uji dhe të kësaj vere u bëfshim pjesëtarë të natyrës hyjnore të Jezu Krishtit, i cili u denjua të marrë natyrën tonë njerëzore.

 

Meshtari: I bekuar je Ti, o Zot, Hyj i gjithësisë: prej bujarisë sate e morëm verën që po ta kushtojmë, fryt i hardhisë dhe i punës së duarve të njerëzve: do të bëhet për ne pije shpirtërore.

 

Populli: Qoftë bekuar Zoti në amshim.

 

Meshtari: Lutuni, o vëllezër e motra, që flia ime dhe e juaja të dalë e pëlqyeshme para Hyjit Atë të gjithëpushtetshëm.

 

Populli: Zoti e pranoftë flinë prej duarve të tua, e ajo daltë për nder e lavdi të emrit të tij, si edhe për dobinë tonë dhe të mbarë Kishës së tij të shenjtë.

 

Meshtari: Të lutemi:

 

Populli: Amen.

Lutja Eukaristike

 

PREFACIONI I ARDHJES – I

Dy ardhjet e Krishtit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai, me ardhjen e parë në përvujtërinë e natyrës sonë njerëzore, e çoi në vend premtimin e vjetër dhe na hapi rrugën e shpëtimit të amshuar, që, kur të vijë së dyti me lavdinë e madhërisë së vet, të mund të marrim të mirat e premtuara, që tani guxojmë t’i shpresojmë duke i pritur me kujdes.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim:

 

Populli:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti, Hyji i gjithësisë. Qielli e toka janë plot me lavdinë tënde. Hosana në lartësitë qiellore. Bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit. Hosana në lartësitë qiellore.

 

PREFACIONI I ARDHJES – II

Pritja e dyfishtë e Krishtit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Atë e paralajmëruan të gjithë profetët, Virgjëra Nënë e mbajti me dashuri të patregueshme, Gjoni tregoi se po vjen dhe e dëftoi të pranishëm. Ai na dha mundësinë të përgatitemi me gëzim për misterin e lindjes së tij, që të na gjejë të zgjuar në uratë e të gëzueshëm duke e lavdëruar atë. Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues, dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRISHTLINDJES - I

Krishti drita

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar:

Sepse me anën e misterit të Fjalës së mishëruar, është shfaqur në sytë e mendjes sonë drita e re e shkëlqimit tënd, kështu që, duke e njohur Hyjin në mënyrë të dukshme, nëpërmjet tij tërhiqemi kah dashuria e gjërave të padukshme.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues, dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRISHTLINDJES – II

Ripërtëritja e gjithmbarshme në Mishërim

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai, në festën e këtij misteri të nderueshëm, i padukshëm në natyrën hyjnore, u dëftua i dukshëm në natyrën tonë.

Ai, i lindur para çdo kohe, filloi të jetojë në kohë, në mënyrë që, duke ngritur atë që kishte rënë, të ripërtërinte plotësisht gjithçka, dhe njeriun e humbur ta ftonte drejt mbretërisë qiellore.

Prandaj edhe ne po të lëvdojmë bashkë me të gjithë engjëjt, duke brohoritur me kremtim të hareshëm: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I DËFTIMIT

Krishti drita e popujve

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar:

Sepse sot ke zbuluar misterin e shpëtimit tonë në Krishtin, dritën e popujve; dhe pasi Krishti u dëftua në natyrën tonë të vdekshme, na ke ripërtërirë me lavdinë e re të pavdekësisë së tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues, dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – I

Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar misteret e Pashkëve, kështu që, duke i kryer me zell detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë, me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën, të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues, dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – II

Pendesa shpirtërore

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta, të angazhohen për vlerat e përkohshme në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.

Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt, të lavdërojmë duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – I

Fuqia e Kryqit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Me mundimet shëlbimprurëse të Birit tënd, mbarë bota mësoi ta shpallë madhërinë tënde, e nëpër fuqinë e patregueshme të Kryqit, kryhet gjykimi i botës dhe shfaqet pushteti i të Kryqëzuarit.

Dhe prandaj edhe ne, o Zot, bashkë me engjëj dhe me të gjithë shenjtërit po të madhërojmë, duke thënë me galdim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – II

Fitorja e Mundimit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Po afrohen ditët e mundimit shëlbimprurës dhe të ngjalljes së lavdishme të tij, kur kremtojmë ngadhënjimin e tij mbi krenarinë e armikut të vjetër dhe përkujtojmë misterin e shëlbimit tonë.

Nëpër të e adhurojnë madhërinë tënde fuqitë engjëllore që për amshim galdojnë në praninë e fytyrës sate. Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë, që, të shoqëruar në galdim, po themi: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PASHKËVE – I

Misteri i Pashkëve

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë, por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë (natë) (ditë) (kohë), kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë që i shleu mëkatet e botës: duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën galdon me harenë e plotë të Pashkëve. Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore e këndojnë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PASHKËVE – II

Jeta e re në Krishtin

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë, por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë, kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Nëpër të lindin bijtë e dritës për jetën e pasosur dhe besimtarëve u hapen dyert e parajsës. Me vdekjen e tij u shëlbua vdekja jonë, e në ngjalljen e tij u ngjall edhe jeta e të gjithëve.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën galdon me harenë e plotë të Pashkëve. Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore e këndojnë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I NGJITJES SË ZOTIT – I

Misteri i Ngjitjes së Zotit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Sepse (sot) Jezusi Zot, Mbreti i lavdisë, ngadhënjyesi mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, u ngjit në lartësitë qiellore përballë engjëjve të mahnitur. Ai është Ndërmjetësi midis Hyjit dhe njerëzve, Gjykatësi i botës dhe Zotëruesi i fuqive.

Ai hyri para nesh në lavdinë tënde, jo për t’u larguar nga gjendja jonë e përulur, por që të kemi shpresë se edhe ne, gjymtyrët e tij, do ta ndjekim atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën galdon me harenë e plotë të Pashkëve. Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore e këndojnë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI PËR TË DIELAT “GJATË VITIT” – I

Misteri i Pashkëve dhe populli i Hyjit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Në saje të veprës së tij të mrekullueshme të kryer me misterin e Pashkëve, ne, që ishim nën zgjedhën e mëkatit dhe të vdekjes, tani e kemi për nder të quhemi fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull i fitores sate, për ta shpallur gjithkund fuqinë tënde, pasi na thirre prej territ në dritën tënde të mrekullueshme.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate, duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI PËR TË DIELAT “GJATË VITIT” – II

Misteri i shpëtimit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai, për mëshirën e vet kundrejt gabimeve të njerëzve, u denjua të lindë nga Virgjëra, duke vdekur në kryq na liroi nga vdekja e amshuar dhe, duke u ngjallur prej së vdekurish, na dhuroi jetën e pasosur.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate, duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I EUKARISTISË SË SHENJTË – I

Flia dhe sakramenti i Krishtit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai, Prifti i vërtetë dhe i amshuar, duke themeluar trajtën e përhershme të flisë, i pari t’u kushtua ty, si fli për shpëtimin tonë dhe neve na urdhëroi ta kushtojmë në përkujtimin e tij.

Trupi i tij i flijuar për ne, kur e marrim në kungim, na përtërin në fuqi dhe gjaku i tij, i derdhur për ne, kur e pimë, na pastron prej të gjitha mëkateve.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate, duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I SHËN MARISË VIRGJËR – I

Amësia e Shën Marisë Virgjër

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar. Dhe po të lavdërojmë, po të bekojmë dhe po të shpallim në ….. e shën Marisë përherë Virgjër.

Ajo, për virtyt të Shpirtit Shenjt, ngjizi në kraharorin e vet të njëlindurin Birin tënd, dhe, pa e prishur nderin e virgjërisë, ia fali botës dritën e amshuar, Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde, zotëruesit të adhurojnë dhe dridhen pushtetet. Qiejt e fuqitë qiellore dhe serafinët e lumtur bashkohen për të brohoritur me galdim. Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë, ndërsa përvuajtërisht po themi: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – I

Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde, por me anën e apostujve të shenjtë e ruan dhe e mbron vazhdimisht, që të udhëhiqet nga ata të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë porsi barinj në emrin e tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate, duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI PËR SHENJTËR – I

Lumturia e shenjtërve

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ty të jep lavdi shoqëria e shenjtërve, kurse Ti, duke i shpërblyer meritat e tyre, i kurorëzon vetë me dhuratat e tua. Në jetën e tyre na jep shembullin e jetës, në bashkësi me ta na jep miqësinë e tyre, e, me ndërmjetësinë e tyre, ndihmën. Kështu, të përforcuar me aq shumë dëshmitarë, të sulemi ngadhënjimtarë në luftën që na pret për të ndarë me ta të njëjtën kurorë të lavdisë së përhershme, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Dhe prandaj, me engjëj dhe kryeengjëj dhe me korin e të gjithë shenjtërve po të këndojmë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI PËR SHENJTËR MARTIRË – I

Martirizimi shenjë dhe shembull

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Sepse, gjaku i derdhur i shën E., martir, sipas shembullit të Krishtit, në dëshmim të Emrit tënd, shfaq mrekullitë e tua, me të cilat përkryen në ligështi virtytin dhe fuqitë e dobëta i forcon për të bërë dëshmi, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Dhe prandaj me fuqitë qiellore gjithherë të kremtojmë mbi tokë duke i kënduar madhërisë sate pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI PËR SHENJTËR BARINJ

Prania e shenjtërve barinj në Kishë

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Sepse Ti e gëzon Kishën tënde me festën e shën E., e përtërin me shembullin e jetës së përshpirtshme, e mëson me fjalën e predikimit dhe e mbron me anë të lutjes që ty të pëlqen.

Dhe prandaj, me turmën e engjëjve dhe të shenjtërve, po ta këndojmë himnin e lavdit, duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI PËR SHENJTËRESHA VIRGJRA DHE PËR SHENJTËR RREGULLTARË

Vështrimi i jetës së kushtuar Hyjit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Sepse në shenjtërit që iu kushtuan Krishtit për shkak të Mbretërisë qiellore, ne kremtojmë provaninë tënde të mrekullueshme, me të cilën njeriun e grish në shenjtërinë e parë dhe bën që ai, qysh tani, t’i shijojë dhuratat që do t’i gëzojë në botën e re.

Dhe prandaj, bashkë me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt, të lavdërojmë duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PËRBASHKËT – I

Gjithçka u ripëtëri në Krishtin

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të të pëlqeu të ripërtërish çdo gjë dhe të gjithë neve na dhe mundësinë të bëhemi pjesëmarrës të përsosmërisë së tij. Ai, edhe pse Hyj i vërtetë, e përuli veten dhe, me anë të gjakut të derdhur mbi kryq, i fali paqen mbarë botës.

Kështu, i lartësuar mbi të gjitha krijesat, u bë shkaku i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që e dëgjojnë. Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate, duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PËRBASHKËT – II

Shpëtimi nëpër Krishtin

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Në mirësinë tënde Ti ke krijuar njeriun dhe ndërsa ka merituar dënimin, në mëshirën tënde Ti e ke shëlbuar nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde, zotëruesit të adhurojnë dhe dridhen pushtetet. Qiejt e fuqitë qiellore dhe serafinët e lumtur bashkohen për të brohoritur me galdim. Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë, ndërsa përvujtërisht po themi: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI PËR TË VDEKUR – I

Shpresa e ngjalljes në Krishtin

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shëlbimi të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër Të na shkëlqeu shpresa e ngjalljes së lume kështu që, edhe pse na trishton gjendja e sigurt e vdekjes, na ngushëllon premtimi i pavdekësisë së ardhshme. Sepse besimtarëve të tu, o Zot, jeta nuk u merret por u shndërrohet dhe, ndërsa u shkatërrohet kjo banesë tokësore, u çelet në qiell një banesë e amshuar.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues, dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate, duke thënë pa pushim: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

LUTJA EUKARISTIKE I

ose KANONI ROMAK

 

Meshtari:

 

Ty, o Atë tejet i dhimbshëm, përvujtërisht dhe përzemërsisht po të lutemi, nëpër Jezu Krishtin, Birin tënd e Zotin tonë, që t’i pëlqesh dhe t’i bekosh X këto dhurata, këto të fala, këto fli të shenjta e të papërlyera, që po t’i kushtojmë më së pari për Kishën tënde të shenjtë katolike: mbaje në paqe, ruaje dhe bashkoje në mbarë botën, bashkë me shërbëtorin tënd, papën tonë E. me ipeshkvin tonë E. dhe me të gjithë besimtarët e vërtetë, që ndjekin besimin katolik të trashëguar prej apostujve.

 

Përkujtimi për të gjallët.

 

Le të të bjerë në mend, o Zot, për shërbëtorët e tu dhe shërbëtoret e tua E. dhe E.

Le të të bjerë në mend edhe për të gjithë të pranishmit, fenë dhe përkushtinë e të cilëve e njeh Ti vetë. Për ata po ta kushtojmë, edhe ata vetë po ta kushtojnë këtë fli lavdi për vete dhe për të gjithë të vetët, që të fitojnë faljen e mëkateve, sigurinë e jetës dhe shëlbimin, e po t’i drejtojnë lutjet e veta ty, o Hyj i amshuar, i gjallë dhe i vërtetë.

Të bashkuar me mbarë Kishën, po përkujtojmë me nderim së pari të lumen Mari, gjithmonë Virgjër, Nënën e Hyjit dhe Zotit tonë Jezu Krishtit, po edhe shën Jozefin, fatin e saj, shenjtërit apostuj e martirë: Pjetrin, Palin, Andreun,

(Jakobin, Gjonin, Tomën, Jakobin, Filipin, Bartolomeun, Mateun, Simonin e Tadeun, Linin, Kletin, Klementin, Ksistin, Kornelin, Çiprianin, Lorencin, Krizogonin, Gjonin, Palin, Kozmën e Damianin)

dhe të gjithë shenjtërit e tu. Në saje të meritave dhe lutjeve të tyre bëj, o Zot, të gëzojmë gjithmonë ndihmën dhe mbrojtjen tënde.

 

“TË BASHKUAR” TË VEÇANTË

Në Krishtlindje dhe gjatë tetëditëshit

 

Të bashkuar me mbarë Kishën, po kremtojmë (natën tejet e shenjtë) ditën tejet e shenjtë, në të cilën shën Maria, pa e cenuar virgjërinë, nxori në dritë Shpëtimtarin e botës. Po ashtu po përkujtojmë me nderim së pari të njëjtën Mari, gjithmonë Virgjër, Nënën e të njëjtit Hyj dhe Zotit tonë Jezu Krishtit,

 

Në Dëftim të Zotit

 

Të bashkuar me mbarë Kishën, po kremtojmë ditën tejet e shenjtë në të cilën Biri yt i Njëlinduri, i amshuar me ty në lavdinë tënde, u dëftua i dukshëm si ne në trupin tonë të vërtetë njerëzor. Po ashtu po përkujtojmë me nderim së pari të lumen Mari, gjithmonë Virgjër, Nënën e të njëjtit Hyj dhe Zotit tonë Jezu Krishtit,

 

Prej Meshës së Vigjiljes së Pashkëve deri të Dielën II të Pashkëve

 

Të bashkuar me mbarë Kishën, po kremtojmë (natën tejet e shenjtë) ditën tejet e shenjtë

të ngjalljes së Jezu Krishtit, Zotit tonë në trup. Po ashtu po përkujtojmë me nderim së pari të lumen Mari, gjithmonë Virgjër, Nënën e të njëjtit Hyj dhe Zotit tonë Jezu Krishtit,

 

Ditën e të Ngjiturit të Zotit në qiell

 

Të bashkuar me mbarë Kishën, po kremtojmë ditën tejet e shenjtë, në të cilën Zoti ynë, i Njëlinduri Biri yt, e ngriti në lartësinë e lavdisë sate natyrën tonë të ligshtë njerëzore që e kishte bashkuar me veten. Po ashtu po përkujtojmë me nderim së pari të lumen Mari, gjithmonë Virgjër, Nënën e të njëjtit Hyj dhe Zotit tonë Jezu Krishtit,

 

Të Dielën e Rrëshajëve

 

Të bashkuar me mbarë Kishën, po kremtojmë ditën tejet e shenjtë të Rrëshajëve, në të cilën Shpirti Shenjt iu dëftua apostujve në trajtën e gjuhëve të zjarrit. Po ashtu po përkujtojmë me nderim së pari të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, Nënën e Hyjit dhe Zotit tonë Jezu Krishtit.

 

   Me duar të shtrira vazhdon:

 

Pranoje me mirësi, po të lutemi, o Zot, flinë e nënshtrimit tonë, që po ta kushtojmë ne dhe mbarë familja jote. Përcilli ditët tona në paqen tënde, na shpëto prej dënimit të pasosur dhe na prano në numrin e të zgjedhurve të tu.

 

Prej Meshës së Vigjiljes së Pashkëve deri të Dielën II të Pashkëve

 

Pranoje me mirësi, po të lutemi, o Zot, flinë e nënshtrimit tonë, që po ta kushtojmë ne dhe mbarë familja jote edhe për ata që u denjove t’i rilindësh me ujë dhe me Shpirt Shenjt duke ua dhuruar faljen e të gjitha mëkateve.

Përcilli ditët tona në paqen tënde, na shpëto prej dënimit të pasosur dhe na prano në numrin e të zgjedhurve të tu.

Po të lutemi, o Hyj, shenjtëroje, me bekimin tënd, këtë fli, pranoje si fli shpirtërore dhe të përkryer, që të bëhet për ne Korpi e Gjaku i fort të dashurit Birit tënd, Jezu Krishtit, Zotit tonë.

 

Ditën para mundimeve, Ai mori bukën në duart e veta të shenjta e të nderueshme, i çoi sytë nga qielli, te Ti, Hyji dhe Ati i tij i gjithëpushtetshëm, të falënderoi me lutjen e bekimit, e theu, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

 

përkulet pakëz:

 

MERRNI E HANI TË GJITHË PREJ KËTIJ: KY ËSHTË KORPI IM QË DO TË FLIJOHET PËR JU.

 

Pastaj vazhdon:

 

Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe këtë kelk të madhërishëm në duart e veta të shenjta e të nderueshme, përsëri të falënderoi me lutjen e bekimit, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

 

MERRNI E PINI TË GJITHË PREJ TIJ: KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TIM, I BESËLIDHJES SË RE DHE TË AMSHUAR QË DO TË DERDHET PËR JU E PËR SHUMË NJERËZ PËR FALJEN E MËKATEVE. BËJENI KËTË NË PËRKUJTIMIN TIM.

 

Meshtari: Misteri i fesë.

 

Populli:

 

1. Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde me lumturi.

 

Ose:

 

2. Sa herë që hamë këtë bukë dhe pimë këtë kelk, kumtojmë vdekjen tënde, o Zot dhe presim ardhjen tënde me lavdi.

 

Ose:

 

3. Na shëlbo, Shëlbuesi i botës, Ti që na lirove me kryqin tënd dhe me ngjalljen tënde.

 

Meshtari:

 

Prandaj, o Zot, ne, shërbëtorët e tu, por edhe populli yt i shenjtë, duke përkujtuar mundimet e shenjta, ngjalljen prej së vdekurish dhe ngjitjen e lavdishme në qiell të Krishtit, Birit tënd dhe Zotit tonë, po ia kushtojmë madhërisë sate të lartë prej dhuratave që Ti vetë na i fale, flinë e pastër, flinë e shenjtë, flinë e panjollë, bukën e shenjtë të jetës së pasosur dhe kelkun e shpëtimit të amshuar.

Hidhe shikimin tënd të ëmbël e plot mëshirë mbi këto dhurata dhe pranoji, po ashtu si u denjove t’i pranoje dhuratat e shërbëtorit tënd Abelit të drejtë, flinë e Abrahamit, atit tonë në fe dhe atë që ta paraqiti Melkizedeku, kryeprifti yt, flinë e shenjtë, kushtin e panjollë.

Përvujtërisht po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm që duart e engjëllit tënd të shenjtë ta paraqesin këtë fli në altarin tënd qiellor, në praninë e madhështisë sate hyjnore, që të gjithë ne, pjesëmarrës të këtij altari duke u kunguar me Korpin dhe Gjakun e shenjtë të Birit tënd, Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

Le të të bjerë në mend, o Zot, për shërbëtorët e tu dhe shërbëtoret e tua E. dhe E., të cilët na prinë të vulosur me shenjën e fesë dhe flenë në gjumin e paqes.

Po të lutemi, jepu atyre, o Zot, dhe të gjithëve që pushojnë në Krishtin, lumturinë, dritën dhe paqen.

Edhe neve, shërbëtorëve të tu mëkatarë, që shpresojmë në mëshirën tënde të pakufishme, na bëj vend në shoqërinë e shenjtërve të tu apostuj dhe martirë: me Gjonin, Shtjefnin, Matinë, Barnabën,

(Injacin, Aleksandrin, Marçelinin, Pjetrin, Feliçitën, Perpetuën, Agatën, Luçinë, Anjezën, Çeçiljen, Anastazien)

dhe me të gjithë shenjtërit e tu. Bëj ta gëzojmë fatin e tyre të lum, jo në saje të meritave tona, por në saje të mëshirës sate të pakufi.

Nëpër Krishtin, Zotin tonë, Ti, o Hyj, të gjitha gjërat e mira gjithmonë i krijon, i shenjtëron, u jep jetë, i bekon dhe na i ndan neve.

 

Merr patenën me hosten dhe kelkun e duke i lartësuar, thotë:

 

Nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin, ty, o Atë, Hyj i gjithëpushtetshëm, në bashkim me Shpirtin Shenjt, të qoftë çdo nder e lavdi, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Populli brohoret: Amen.

 

Atëherë vijon riti i Kungimit.

 

LUTJA EUKARISTIKE II

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shpëtimi, të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, nëpër Birin tënd të dashur, Jezu Krishtin.

Ai është Fjala jote nëpër të cilën ke krijuar gjithçka dhe na e ke dërguar për Shpëtimtar e Shëlbues, të mishëruar për virtyt të Shpirtit Shenjt dhe të lindur prej Marisë Virgjër. Ai, për ta kryer vullnetin tënd dhe për të fituar për ty një popull të shenjtë i shtriu duart në mundimet e veta, për të shkatërruar vdekjen e për të shpallur ngjalljen.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe me të gjithë shenjtërit, po këndojmë lavdinë tënde duke thënë njëzëri: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Meshtari, me duar të shtrira, thotë:

 

Me të vërtetë je shenjt, o Zot, burim i çdo shenjtërie.

 

I bashkon duart dhe, duke i mbajtur të shtrira përmbi dhurata, thotë:

 

Ty, pra, po të lutemi, shenjtëroji këto dhurata me hirin e Shpirtit tënd, që të bëhen për ne Korpi e X Gjaku i Zotit tonë, Jezu Krishtit.

 

Ai, kur vullnetarisht po pranonte mundimet, mori bukën, të falënderoi, e theu, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

 

përkulet pakëz:

 

MERRNI E HANI TË GJITHË PREJ KËTIJ: KY ËSHTË KORPI IM QË DO TË FLIJOHET PËR JU.

 

Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun, përsëri të falënderoi, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

 

MERRNI E PINI TË GJITHË PREJ TIJ: KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TIM, I BESËLIDHJES SË RE DHE TË AMSHUAR QË DO TË DERDHET PËR JU E PËR SHUMË NJERËZ PËR FALJEN E MËKATEVE. BËJENI KËTË NË PËRKUJTIMIN TIM.

 

Mestari: Misteri i fesë.

 

Populli:

 

Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde me lumturi.

 

Ose:

 

Sa herë që hamë këtë bukë dhe pimë këtë kelk, kumtojmë vdekjen tënde, o Zot dhe presim ardhjen tënde me lavdi.

 

Ose:

 

3. Na shëlbo, Shëlbuesi i botës, Ti që na lirove me kryqin tënd dhe me ngjalljen tënde.

 

Pastaj meshtari, me duar të shtrira, thotë:

 

Prandaj, o Zot, duke përkujtuar vdekjen e ngjalljen e Birit tënd, po ta kushtojmë bukën e jetës dhe kelkun e shpëtimit, e po të falënderojmë që na lejove të qëndrojmë para teje e të të shërbejmë ty. Po të lutemi me përvujtëri që Shpirti Shenjt të na bashkojë në një trup të vetëm, të gjithë ne që po marrim pjesë në Korpin e Gjakun e Krishtit. Le të të bjerë në mend, o Zot, për Kishën tënde, të shpërndarë në katër anët e botës. Përsose në dashuri bashkë me papën tonë E., me ipeshkvin tonë E. dhe me gjithë klerin tënd.

 

Në meshët për të vdekur, mund të shtohet:

 

Le të të bjerë në mend për vëllain (motrën) tonë E., që (sot) e ke thirrur nga kjo jetë tek ti: dhe sikurse me pagëzim e ke bashkuar me Birin tënd në vdekje, po ashtu bashkoje me të edhe në ngjalljen e tij.

 

­­­­­­­­­­­­­Le të të bjerë në mend edhe për vëllezërit tanë e motrat tona, të cilët pushuan me shpresë të ngjalljes edhe për të gjithë ata që vdiqën në mëshirën tënde. Pranoji edhe ata në dritën e fytyrës sate.

Po të lutemi: ki mëshirë edhe për ne të gjithë, që të bëhemi pjesëtarë në jetën e pasosur

me Marinë Virgjër, Hyjlindëse, me shën Jozefin, fatin e saj, me shenjtërit apostuj e me të gjithë shenjtërit, që gjithherë të pëlqyen, që të të madhërojmë dhe të të lëvdojmë, nëpër Jezu Krishtin, Birin tënd.

 

Merr patenën me hosten dhe kelkun e duke i lartësuar, thotë:

 

Nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin, ty, o Atë, Hyj i gjithëpushtetshëm, në bashkim me Shpirtin Shenjt, të qoftë çdo nder e lavdi, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Populli: Amen.

 

Atëherë vijon riti i Kungimit.

 

LUTJA EUKARISTIKE III

 

Meshtari, me duar të shtrira, thotë:

 

Me të vërtetë je shenjt, o Zot, dhe është e drejtë të të lëvdojë çdo krijesë, sepse Ti, nëpër Birin tënd, Jezu Krishtin, Zotin tonë, e me veprën e fuqishme të Shpirtit Shenjt, i jep jetë dhe e shenjtëron gjithësinë e vazhdon ta bashkosh rreth vetes popullin, që nga lindja e diellit e deri në perëndim, të kushtohet në nder të emrit tënd flia e panjollë.

Prandaj, o Zot, po të lutemi me përvujtëri: denjohu t’i shenjtërosh, me fuqinë e të njëjtit Shpirt, këto dhurata që i sollëm për t’i kushtuar ty: që të bëhen Korpi e X Gjaku i Zotit tonë, Jezu Krishtit, i cili na urdhëroi t’i kremtojmë këto mistere.

 

Ai vetë, atë natë në të cilën qe tradhtuar, mori bukën, të falënderoi, e bekoi, e theu, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

 

përkulet pakëz:

 

MERRNI E HANI TË GJITHË PREJ KËTIJ: KY ËSHTË KORPI IM QË DO TË FLIJOHET PËR JU.

 

Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun, të falënderoi me lutjen e bekimit, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

 

MERRNI E PINI TË GJITHË PREJ TIJ: KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TIM, I BESËLIDHJES SË RE DHE TË AMSHUAR QË DO TË DERDHET PËR JU E PËR SHUMË NJERËZ PËR FALJEN E MËKATEVE. BËJENI KËTË NË PËRKUJTIMIN TIM.

 

Pastaj thotë:

 

Misteri i fesë.

 

Populli brohoret:

 

1.        Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde me lumturi.

 

Ose:

 

2.       Sa herë që hamë këtë bukë dhe pimë këtë kelk, kumtojmë vdekjen tënde, o Zot dhe presim ardhjen tënde me lavdi.

 

Ose:

 

3.       Na shëlbo, Shëlbuesi i botës, Ti që na lirove me kryqin tënd dhe me ngjalljen tënde.

 

Pastaj meshtari, me duar të shtrira, thotë:

 

Prandaj, o Zot, duke përkujtuar mundimet shpëtimtare të Birit tënd, si edhe ngjalljen e tij të madhërueshme dhe ngjitjen e tij në qiell, e duke pritur ardhjen e tij të dytë, po ta kushtojmë me falënderim këtë fli të gjallë e të shenjtë.

Po të lutemi, o Zot, shikoje kushtin e Kishës sate dhe pranoje për fli, me të cilën deshe të pajtoheshe me ne dhe bëj që ne, të cilët po ushqehemi me Korpin e me Gjakun e Birit tënd, të mbushur me Shpirtin Shenjt, të bëhemi në Krishtin një trup e një shpirt i vetëm.

Në saje të tij u bëfshim për ty një fli e amshuar, që, bashkë me të zgjedhurit e tu, të fitojmë lumturinë e parajsës, së pari me të Lumen Mari Virgjër, Hyjlindëse, me shën Jozefin, fatin e saj, me shenjtërit apostuj të tu dhe me martirë të lumë, (me shën E.: shenjti i ditës apo pajtori) dhe me të gjithë shenjtërit, me ndërmjetësinë e të cilëve shpresojmë që gjithmonë të kemi ndihmën tënde.

Po të lutemi, o Zot, që kjo fli e pajtimit tonë të vlejë për paqen e shpëtimin e mbarë botës. Forcoje në fe dhe dashuri Kishën tënde, udhëtare mbi tokë, bashkë me shërbëtorin tënd, papën tonë E., me ipeshkvin tonë E., me urdhrin ipeshkvor, me gjithë klerin tënd, si edhe me popullin që ke fituar për vete.

Dëgjoji lutjet e familjes sate që ke thirrur në praninë tënde. Bashkoji me ty, o Atë i mëshirshëm, të gjithë bijtë e tu të shpërndarë nëpër botë. Pranoji me mëshirë pranë vetes në Mbretërinë tënde vëllezërit tanë e motrat tona të vdekur, edhe të gjithë të drejtët që, në paqe me ty, kaluan nga kjo jetë, ku shpresojmë se edhe ne, bashkë me ta, do të gëzojmë përgjithmonë lumturinë tënde, nëpër Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin i jep botës çdo të mirë.

 

Kur kjo Lutje eukaristike përdoret në Meshët për të vdekur, mund të thuhet:

 

Le të të bjerë në mend për vëllain (motrën) tonë E., që (sot) e ke thirrur nga kjo jetë te ti: dhe sikurse me pagëzim e ke bashkuar me Birin tënd në vdekje, po ashtu bashkoje me të edhe në ngjalljen e tij, kur Ai, Krishti, t’i ngjallë të vdekurit prej dheut dhe ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në përngjasimin e trupit të vet të lavdishëm.

Po të lutemi, pranoji në Mbretërinë tënde edhe vëllezërit tanë e motrat tona të vdekur, si edhe të gjithë ata që, në paqe me ty, kaluan nga kjo botë, ku shpresojmë se, një ditë, të gjithë së bashku do të shijojmë lumturinë tënde për amshim.

Atje Ti do të fshish çdo lot prej syve tanë, atje do të të shohim ty, Hyjin tonë, ashtu siç je,

atje do të bëhemi të ngjashëm me ty për amshim dhe do të të lëvdojmë ty pa mbarim, nëpër Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin i jep botës çdo të mirë.

 

Nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin, ty, o Atë, Hyj i gjithëpushtetshëm, në bashkim me Shpirtin Shenjt, të qoftë çdo nder e lavdi, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

P: Amen.

 

Atëherë vijon riti i Kungimit.

 

LUTJA EUKARISTIKE IV

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është e denjë të të falënderojmë, përnjëmend është e drejtë të të nderojmë, o Atë i shenjtë, sepse vetëm Ti je Hyji i gjallë dhe i vërtetë, para çdo kohe, qëndron për amshim dhe banon në Mbretërinë e dritës së pakufi.

Vetëm Ti je i mirë, burimi i jetës, që krijove gjithësinë për t’i mbushur me bekime krijesat e tua e për të gëzuar shumë prej tyre me shkëlqimin e dritës sate.

Prandaj para teje qëndrojnë turma të panumërta engjëjsh, që ty të shërbejnë ditë e natë, dhe, duke kundruar lavdinë e fytyrës sate, të nderojnë pa pushim. Me to edhe ne, e, nëpër zërin tonë, edhe mbarë krijesat nën qiell, me galdim nderojmë emrin tënd dhe këndojmë: Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Meshtari, me duar të shtrira, thotë:

 

Po të nderojmë, o Atë i shenjtë, sepse je i madh e të gjitha veprat e tua i përftove me dije e me dashuri. Njeriun e krijove në përngjasimin tënd dhe atij ia le në kujdes mbarë botën, që të të shërbejë vetëm ty, Krijuesit të vet e të sundojë mbi të gjitha krijesat.

E kur me padëgjesën e vet e humbi miqësinë tënde, Ti nuk e le nën sundimin e vdekjes, por secilit i erdhe në ndihmë me mëshirë, që, duke të kërkuar, të mund të të gjenin të gjithë. Shumë herë ke bërë besëlidhje me njerëzit e, me anën e profetëve, i ke mësuar të shpresojnë në shpëtim.

Dhe aq fort, o Atë i shenjtë, e deshe botën, sa që, në plotësimin e kohërave, na dërgove të Njëlindurin Birin tënd si Shpëtimtar. Ai u bë njeri për virtyt të Shpirtit Shenjt dhe lindi prej Marisë Virgjër, krejtësisht i ngjashëm me ne me përjashtim vetëm të mëkatit. Skamnorëve u shpalli ungjillin e shpëtimit, robërve lirinë, të pikëlluarve gëzimin. E, për ta zbatuar planin tënd, pranoi vullnetarisht të vdesë e, duke u ngjallur nga të vdekurit, e shkatërroi vdekjen dhe e përtëriu jetën.

E, që të mos jetojmë më për vete, por për Atë që vdiq dhe u ngjall për ne, dërgoi prej teje, o Atë, Shpirtin Shenjt, dhuratën e parë besimtarëve, që ta përkryejë veprën e Krishtit në botë dhe të kryejë çdo shenjtërim.

 

I bashkon duart dhe, duke i mbajtur të shtrira përmbi dhurata, thotë:

 

Prandaj po të lutemi, o Zot, që i njëjti Shpirt Shenjt t’i shenjtërojë këto dhurata, që të bëhen Korpi e X Gjaku i Zotit tonë, Jezu Krishtit, për të kremtuar këtë mister të madhërueshëm, që Ai vetë na e la si shenjë të besëlidhjes së amshuar.

 

Në trajtëzat që vijojnë fjalët e Zotit të shqiptohen qartazi dhe në mënyrë të kuptueshme, si e lyp vetë natyra e këtyre fjalëve.

 

Kur erdhi koha që Ti, o Atë i shenjtë, ta lavdëroje, mbasi i kishte dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund dhe, ndërsa po hanin darkë, mori bukën, e bekoi, e theu, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

 

përkulet pakëz:

 

MERRNI E HANI TË GJITHË PREJ KËTIJ: KY ËSHTË KORPI IM QË DO TË FLIJOHET PËR JU.

 

Po ashtu mori kelkun plot me verë rrushi, të falënderoi, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

 

MERRNI E PINI TË GJITHË PREJ TIJ: KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TIM, I BESËLIDHJES SË RE DHE TË AMSHUAR QË DO TË DERDHET PËR JU E PËR SHUMË NJERËZ PËR FALJEN E MËKATEVE. BËJENI KËTË NË PËRKUJTIMIN TIM.

 

M: Misteri i fesë.

 

Populli brohoret:

 

1. Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde me lumturi.

 

Ose:

 

2. Sa herë që hamë këtë bukë dhe pimë këtë kelk, kumtojmë vdekjen tënde, o Zot dhe presim ardhjen tënde me lavdi.

 

Ose:

 

3. Na shëlbo, Shëlbuesi i botës, Ti që na lirove me kryqin tënd dhe me ngjalljen tënde.

 

Pastaj meshtari, me duar të shtrira, thotë:

 

Prandaj edhe ne, o Zot, ndërsa po kremtojmë përkujtimin e shëlbimit tonë, kujtojmë vdekjen e Krishtit dhe zbritjen e tij në tokën e vdekjes, dëshmojmë ngjalljen e tij dhe ngjitjen e tij në të djathtën tënde dhe, ndërsa presim ardhjen e tij në lavdi, po ta kushtojmë ty Korpin e Gjakun e tij, fli të pëlqyeshme për ty, e burim shëlbimi për mbarë botën.

Shikoje me dashuri, o Zot, këtë fli që Ti vetë e përgatite për Kishën tënde, e bëj, në mirësinë tënde, që të gjithë ata që do të kungohen me këtë bukë të vetme dhe prej këtij kelku të vetëm, të bashkuar prej Shpirtit Shenjt në një trup të vetëm, të bëhen në Krishtin fli e gjallë, në nder të lavdisë sate.

Dhe tani, o Zot, le të të bjerë në mend për të gjithë ata, për të cilët po ta kushtojmë këtë fli: më së pari për shërbëtorin tënd, papën tonë E., për ipeshkvin tonë E., për mbarë urdhrin ipeshkvor, si edhe për gjithë klerin tënd, për ata që me ne e kushtojnë këtë fli, për të pranishmit, për mbarë popullin tënd dhe për të gjithë njerëzit që të kërkojnë me zemër të çiltër.

Le të të bjerë në mend edhe për ata që vdiqën në paqen e Krishtit tënd edhe për të gjithë të vdekurit, fenë e të cilëve vetëm Ti e ke njohur.

Bëj, o Atë i dhimbshëm, që edhe ne, bijtë e tu, ta fitojmë trashëgimin qiellor, bashkë me të Lumen Mari Virgjër, Hyjlindëse, me shën Jozefin, fatin e saj, me apostujt dhe shenjtërit e tu, në Mbretërinë tënde, ku, me mbarë krijesat të liruara nga shkatërrimi i mëkatit dhe i vdekjes, do të këndojmë lavdinë tënde, nëpër Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin i jep botës çdo të mirë.

 

Nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin, ty, o Atë, Hyj i gjithëpushtetshëm, në bashkim me Shpirtin Shenjt, të qoftë çdo nder e lavdi, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Populli: Amen.

 

Atëherë vijon riti i Kungimit, fq. 505.

 

Riti i kungimit

 

Meshtari, pasi të ketë ulur kelkun dhe patenën, me duar të bashkuara, thotë:

 

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në tokë.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot; na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë; e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i keqi.

 

Meshtari:

 

Na liro, po të lutemi, o Zot, prej të gjitha të këqijave dhe, për mirësinë tënde, na jep paqen në ditët tona, e, në saje të mëshirës sate, do të lirohemi përgjithmonë prej mëkatit e do të jemi të sigurtë prej çdo turbullimi, duke pritur shpresën e lume: ardhjen e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.

 

Populli:

 

Ti, o Zot, je mbret, Ti je i gjithëpushtetshëm, Ti je i lumtur në amshim.

 

Meshtari:

 

O Zot, Jezu Krisht, Ti u ke thënë apostujve të tu: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time”,

mos i shiko mëkatet tona, por fenë e Kishës sate, jepi asaj, sipas vullnetit tënd, paqe dhe bashkim. Ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

 

Populi: Amen.

 

Meshtari: Paqja e Zotit qoftë gjithmonë me ju.

 

Populli: Dhe me shpirtin tënd.

 

Diakoni ose vetë meshtari:

 

Jepjani njëri-tjetrit shenjën e paqes.

 

Të gjithë shndërrojnë njëri me tjetrin shenjën e paqes,

 

Meshtari thotë me zë të ulët:

 

Korpi e Gjaku i Zotit tonë Jezu Krishtit, të bashkuar në këtë kelk, u bëfshin, për ne që po i marrim në zemër, ushqimi i jetës së pasosur.

 

Ndërkaq këndohet apo thuhet:

 

O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.

O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.

O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet e botës, jepna neve paqen.

 

Meshtari:

 

O Zot Jezu Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, Ti që, për vullnet të Atit, me bashkëveprim të Shpirtit Shenjt, me anën e vdekjes sate ia solle botës jetën, me anën e këtij Korpi e Gjaku tënd të shuguruar më liro prej të gjitha fajeve të mia dhe prej të gjitha të këqijave dhe bëj që t’u rri gjithnjë besnik urdhërimeve të tua e mos lejo kurrë të ndahem prej teje.

 

Ose:

 

Kungimi me Korpin dhe Gjakun tënd, o Zot Jezu Krisht, mos të bëhet për mua gjykim dënimi, por, në saje të mirësisë sate, u bëftë bar për mbrojtjen e shpirtit dhe të trupit.

 

Meshtari:

 

Ja Qengji i Hyjit, ja Ai që shlyen mëkatet e botës. Lum ata që janë të thirrur në gostinë e Qengjit.

 

Populli:

 

O Zot, unë nuk jam i denjë që të marr pjesë në tryezën tënde, por thuaj një fjalë të vetme, e shpirti im do të shërohet.

 

Meshtari, thotë me zë të ulët:

 

Korpi i Krishtit më ruajtë për jetën e pasosur.

 

Gjaku i Krishtit më ruajtë për jetën e pasosur.

 

Pastaj merr patenën apo piksidën, u afrohet atyre që duan të kungohen: Korpi i Krishtit.

 

Ai që kungohet përgjigjet: Amen.

 

Ndërsa pastron kelkun, meshtari thotë me zë të ulët:

 

Çka morëm me gojë, o Zot, e kuptofshim me mendje të pastër e dhurata e përkohshme na u bëftë bar shërimi i përhershëm.

 

Meshtari: Të lutemi.

 

Populli: Amen.

 

Riti i përfundimit

 

Meshtari: Zoti qoftë me ju.

 

Populli: Dhe me shpirtin tënd.

 

Meshtari e bekon popullin duke thënë:

 

Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri X e Shpirti Shenjt.

 

Populli: Amen.

 

Në meshë pontifikale kremtuesi merr mitrën dhe, me duart e shtrira, thotë: Zoti qoftë me ju.

 

Të gjithë përgjigjen: Dhe me shpirtin tënd.

 

Kremtuesi thotë: Qoftë bekuar emri i Zotit

 

Të gjithë përgjigjen: që tani e deri në amshim.

 

Kremtuesi thotë: Ndihma jonë është në Emër të Zotit,

 

Të gjithë përgjigjen: që krijoi qiellin e tokën.

 

Atëherë kremtuesi, duke mbajtur pastoralin (nëse përdoret), thotë:

 

Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm, Ati X e Biri X e Shpirti X Shenjt.

 

Të gjithë përgjigjen: Amen.

 

Pastaj diakoni apo meshtari, me duar të bashkuara, me fytyrë drejt popullit, thotë:

 

Mesha u krye: shkoni në paqe.

 

Ose: Shkoni, për ta shpallur Ungjillin.

 

Ose: Shkoni në paqe dhe lavdëroni Zotin me jetën tuaj.

 

Populli përgjigjet: Falënderojmë Hyjin.

 

Tani meshtari e nderon, si zakonisht, me të puthur altarin, si në fillim.

Pastaj, bashkë me shërbestarët, i bën nderimin e duhur altarit dhe tërhiqet.

Nëse fill pas Meshe bëhet ndonjë veprim liturgjik, riti i lëshimit nuk mbahet.